Data e sotme
February 17, 2019

AUF WIEDESEHEN!

Shkruan: Bardhyl ZAIMI

 

Askush nuk e thotë numrin e të rinjve, të cilët largohen nga vendi. Në opinion qarkullojnë shifra alarmante. Një gjë mbetet e sigurtë, gati në çdo vendbanim numri i të rinjve që po largohen është jashtëzakonisht i madh. Brenda kohës, jo vetëm gjatë këtyre viteve të fundit, dhjetëra mijëra qytetarë tashmë kanë kapur valixhet dhe janë nisur drejt vendeve perëndimore për një jetë më të mirë. Kohëve të fundit tashmë vërehet një fluks shumë më i madh i atyre që e braktisin Maqedoninë. Një dukuri shqetësuese që dita-ditës po merr përmasa më të mëdha dhe më të dhimbshme.

Gati në çdo bisedë me miqtë dhe njerëz të tjerë që i takojmë ndjenja e arratisë mbetet gjithnjë e pranishme. “ Ky vend nuk bëhet”, është refreni fatal që vazhdimisht përsëritet. Duket si një refren që mund të lexohet te poezia “Kurrë më” e Edgar Alan Poe-s, poetit të ankthit dhe të tmerrit. Një lloj ankthi i pashpjeguar rri pezull në ajër. Një ndjenjë padurimi që mund të lexohet te gjithsecili. Gati se për çdo gjë çarshia mbetet barometri më i saktë. Aty mund t’i marrim realisht sinjalet e para të asaj që po ndodh. Aty ku pulson jeta dhe ku njerëzit ia dinë hallin njëri-tjetrit. Ato halle që s’janë të njëjta, apo siç thuhet në një vepër të Eskilit: “ Sa shumë halle ka kjo botë, halli hallit nuk i ngjan”.

Pikërisht ndër njerëz flitet edhe për raste sui generis. Njerëzit rrëfejnë edhe për qytetarë që përkundër faktit se kanë pasur një status solid social kanë lënë gjithçka dhe e kanë braktisur vendin. Intepretimet e kësaj situate janë të ndryshme. Ka nga ata që besojnë se kjo është dukuri rajonale bile edhe më gjerë. Një dëshirë për t’u zhvendosur në një botë më të mirë që është në përputhje me ambicien për të qenë në sinkron me gjithë paletën e gjerë të një jetese që diktohet nga moderniteti. Sidoqoftë, intepretimet dominante ndërlidhen me shkaqet ekonomike dhe përgjithësisht të atmosferës që dominon në shtet.

Trajektorja e jetës politike dhe ekonomike në Maqedoni gjithnjë është përcjellë me premtime të shumta. Që nga fillimet e demokracisë, në secilin cikël zgjedhor, nën premtimet e secilës qeveri, qytetarët kanë besuar në ndryshim. Realisht ndryshime nuk kanë ndodhur, ndërkohë që janë ripërsëritur të njëjtat refrene optimiste që nuk kanë prekur në mirëqenien e qytetarëve. Kjo situatë ka krijuar një pakënaqësi të përhershme të qytetarët që ndonjëhrë ka shpërthyer edhe në tone sarkastike. Një mik imi, gjersa po bisedonim për gjendjen e rënduar ekonomike lehtësisht pëshpëriti: “ Që 30 vite vidhet ky shtet dhe për çudi akoma ka për të vjedhur”.

Realisht, përkundër shpresës së herëpashershme, perceptimi i parë mbi qeverisjen mbetet korrupsioni, apo siç e përdorin njerëzit “vjedhja”. Pavarësisht nga interpretimet e ndryshme, një gjë mbetet e sigurtë që shpresat e qytetarëve për një jetë më të mirë gjithnjë e më tepër po bien si gjethet në vjeshtë. Zbrazja e vendbanimeve nga të rinjtë, por edhe nga të tjerë më në moshë tashmë nuk është një gjendje migrimi që jemi mësuar ta shohim ndër vite, por është një lloj arratie që nuk mund të matet vetëm me parametra sociologjik. Duket si një arrati ontologjike, një ikje nga vendi dhe vetvetja. Një arrati ekzistenciale që nuk ndërlidhet vetëm me statusin social, por edhe me gjithë sistemin e kalbur që prodhon ndjesi tjetërsimi shumë më të thellë, që prek shqetësimin e pasigurisë për të ardhmen.

Vetëm në këtë mënyrë mund të shpjegohet fakti që mes atyre që arratisen, ose që iu fle arratia në shpirt, ka edhe nga ata me status të mirë social. Shumë herë në opinion është thënë se “këtu vriten shpresat”. Ky zhgënjim i formuluar kësisoj nuk ndërlidhet vetëm me të tashmen, por edhe me të ardhmen si një kohë, në të cilën njeriu e projekton fatin e qenies së tij. Mbase e tashmje edhe mund të përballohet, por kur horizonti i së ardhmes duket i zymtë ankthi njerëzor bëhet i padurueshëm. E tashmja gjithmonë mbetet një moment që edhe mund të tejkalohet, ndërsa frika e së ardhmes prodhon shqetësime dhe padurime që tejkalojnë dozat optimiste të injektuara nga cilado qeveri, cilido politikanë.

Duket se përveç gjendjes së rënduar ekonomike, mosbesimi në ndryshim mbetet një ndër faktorët kryesor i kësaj arratie që ka mbërthyer një shumicë të konsiderueshme njerëzish, sidomos të rinjtë. Pas aq shumë sprovash rezistence dhe idesë se do të bëhet më mirë zhgënjimi ka mbërritur kulmin, sidomos në kohën kur përsëri vazhdohet me të njëjtin avaz premtimesh boshe ose “progresesh” ekonomike që vështirë prekin në besimin e qytetarëve. Një sistem i rrënuar vlerash, punësimet me libreza partiake, “ndryshimet” kozmetike që prekin vetëm një grup i caktuar njerëzish, prania akoma enorme e korrupsionit, nepotizimi dhe shumë defekte tjera shoqërore mund të prodhojnë vetëm ndjenjën e ikjes si një lloj shpëtimi dhe kundërvënie ndaj gjithë fasadës që ofrohet me tone kaq optimiste.

Për këtë shkak, shumë të rinj, me kohë shkojnë nëpër kurse të gjuhës gjermane për të siguruar “instrumentin” e nevojshëm të së ardhmes së e tyre, e cila padiskutim që mendohet jashtë Maqedonisë. Një mësim masiv i gjermanishtes sikur i jep gjithë kuptimin kësaj ndjenje arratie, që dita-ditas po shndërrohet në kuptim ekzistencë.

Ka ardhur koha që seriozisht të mendohet për këtë dukuri. Koha është për projekte konkrete dhe kreative për ta parandaluar këtë migrim masiv. Vetëm një trajtim i gjithanshëm i këtij fenomeni i përcjellë me politika konkrete investimesh reale mund të zbusë këtë situatë “depresioni” të përgjithshëm që gjithnjë e më tepër po tërheqë shpirtra të ri brenda vetes. Padiskutim edhe një aksion i sinqertë për korrigjimin e gjithë sistemit për të krijuar shanse të barabarta për gjithë qytetarët dhe jo vetëm “mirëqenie” për eksponatet partiake. Ky duhet te jetë vetëm fillimi për t’i dhënë pak infuzion besimit të rrënuar qytetar. Në të kundërtën do të dëgjojmë përshëndetjen e arratisë “Auf Wiedesehen”, që i bie lamtumirë!

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit

Администратор
Администратор

Latest posts by Администратор (see all)