Data e sotme
April 19, 2019

PRESIDENTI I “AGJENDAVE” PARTIAKE!

Shkruan: Bardhyl ZAIMI

 

Prilli do të jetë muaj zgjedhor. Maqedonia do të duhet të zgjedh presidentin e shtetit. Partitë politike kanë filluar me strategjitë dhe taktizimet e tyre. Dy partitë në bllokun politik maqedonas, LSDM dhe VMRO-DPMNE tashmë kanë hapur konkurse për të mbërritur kështu te emri që do të jetë kanditat i mundshëm. Në bllokun politik shqiptar kanë vazhduar hamendësimet. BDI ka ripërsëritur gjatë tërë kohës se mbetet e përcaktuar për një kandidat koncensual, duke lënë të kuptohet se kjo do të ishte zgjedhja më e mirë për koalicionin qeverisës. Ndërkohë, nuk kanë munguar paralajmërimet për një kandidat që do të dalë nga radhët e LSDM-së, pa mbajtur llogari për idenë e një presidenti që do të jetë i pranushëm për partnerët e koalicionit. Së fundmi, kryeministri Zaev ka ftuar partitë tjera politike “ që të vetëdijësohen për parimin e kandidatit koncensual për president”.

Pikërisht ideja e presidentit koncensual duket se ka trazuar “padurimet” tash për tash të “matura” mes partnerëve të koalicionit. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, në një debat televiziv ka lëshuar mesazhin e “koduar” drejt liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, se jo çdo kandidat i propozuar nga partia e tij do të përkrahet si kandidat koncensual.

Paraprakisht, Lideri BDI-së, Ali Ahmeti, ka shfaqur gatishmëri për të biseduar për një kanditat të përbashkët edhe me opozitën në bllokun politik shqiptar, por që e njëjta ide është kundërshtuar nga këto parti me arsyetimin se Ahmet rikthehet te kanditati i përbashkët shqiptar pasi ka dështuar në idenë për kandidat koncensual. Lideri i ASH-së, Zijadin Sela ka paralajmëruar partitë shqiptare në Maqedoni po mendojnë seriozisht për një kandidat shqiptar për president. Sipas tij, vota shqiptare nuk duhet të rrjedhë në drejtim të kanditaturave që dalin nga subjektet politike maqedonase.

Edhe pse akoma nuk ka vendime përfundimtare të partive politike për kandidimet për zgjedhjet presidenciale një gjë mbetet e sigurtë, që deri në momentin e fundit ato do të taktizojnë për të nxjerrë në pah parashenjën partiake. Në kohën kur nuk dihet nëse do të ketë ose jo zgjedhje të parakohshme parlamentare duket se zgjedhjet presidenciale shikohen si një mundësi e mirë për të matur “fuqinë” partiake. Beteja për legjitimime politike duket e pashmnagshme. Dhe, në këtë betejë mekanizmat për t’u etabluar në elektorat përzgjidhen varësisht nga rrethanat dhe varësisht nga objektivat për të “përvetësuar” sa më shumë elektorat.

Vota për president me gjasë do ta përcaktojë edhe praninë politike të secilit subjekt politik, por edhe synimin për të treguar “triumfalizëm” politik në kohët që vijnë. Në lojë janë vendimet dhe retorikat partiake, të cilat me gjasë do të gjenerojnë raporte kundërvënëse dhe diskualifikuese. Secila parti me kauzën e vetë, secila parti me idenë e fuqizimit në elektorat. Secila parti me matematikat zgjedhore që shkojnë përtej fitores ose humbjes në zgjedhjet për president. Një karshillëk partiak që nuk mban llogari për karakterin e zgjedhjeve presidenciale dhe zgjedhjen e numrit një të shtetit. Jo njëherë ka ndodhur që të humbet tërësisht fokusi i zgjedhjeve dhe të kalohet në retorika mburrjesh dhe dominimesh që në esencë e kanë pushtetin pa mbajtur llogari për vizionin, principet dhe praktikat që ofrojnë zgjedhjet çfarëdo qofshin ato.

Egocentrizmi partiak gjithnjë ka ngadhënjyer mbi mbarështrimin e ideve fine demokratike, të cilat do të ishin në korrelacion me pritjet e qytetarëve. Sigurisht, ata që kërkojnë racionalitet në politikë janë idealistë. Politika kërkon pasionin, kërkon rreshtimin, kërkon psikologjinë e turmës për të përthithur sa më shumë votues, për të ngadhënjyer mbi tjetrin në çfarëdo mënyre. Matrica partiake në këtë rast shndërrohet në orbite të vetme funksionimi. Çdo tejbartje nga kjo matricë konsiderohet dobësi, mbase edhe zhgënjim për gjithë ata që rreshtohen vetëm në bazë të kësaj logjike.

Ky lloj i të kuptuarit të politikës, zakonisht e përjashton hapjen, bashkëpunimin, vizionin e përbashkët dhe interesin e shumicës së qytetarëve. Kjo logjikë politike kërkon prototipin e partiazanisë partiake, i cili gjithnjë mbetet lojal ndaj strukturës, degës dhe gjithë logjikës që nënkupton konzervimin ideologjik si një lloj “mbijetese” në skenën gjithnjë të acaruar dhe histerike politike.

Ndjeshmëritë politike të deritashme mbi zgjedhjet presidenciale akoma të pashpaluara deri në fund e reflektojnë pikërisht këtë koncept të deplasuar “triumfalizimi” thjesht partiak edhe pse mbahen të mbuluara me diskurse “bashkëpunimesh”. Prirjet për të imponuar pozicione tërësisht partiake e pamundësojnë që kandidati për president të gjendet diku jashtë këtyre matricave ideologjike.

Me gjasë nëpër agjendat partiake do të humbet profili dhe perfomanca e presidentit të ardhshëm. Gjatë tërë kohës mjegulla e këtyre agjendave ka mbuluar fushëpamjet e qarta, konceptet dhe platformat moderne, por edhe fushatat që më tepër janë kuptuar si një ring boksi se sa si një agorë idesh që hapin horizonte tjera pritjesh.

Maqeonisë i duhet një president inkluziv, një president që do të qëndrojë mbi ndasitë ideologjike, etnike dhe çfarëdo ndasish tjera. Një president që përveç ushtrimit të kompetencave që ka do të jetë në të njëjtën kohë edhe promotor  i një vizioni tjetër gjithpërfshirës për gjithë qytetarët e shtetit. Një president për të cilin qytetari është mbi të gjitha dhe jo një president që “verbohet” nga ngjyrat partiake. Një president që do të jetë një hap para pushtetit, qeverisë dhe meskiniteteve partiake. A do ta gjejë Maqedonia një president të tillë mbetet të shihet!

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit

 

Latest posts by Администратор (see all)