Data e sotme
July 22, 2019

PARTIA APO SHTETI

Shkruan: Trifun Kostovski

 

Të nderuar bashkëqytetarë të mi dëshiroj të flas për një anomali të tmerrshme që na ndodh në përditshmërinë tonë ndërsa ato janë punësimet partiake.

Jemi dëshmitarë për një paradoks i cili ka përmasa shkatërruese lidhur me shoqërinë dhe shtetin. Në vend se të avokohemi për zhvillim ekonomik dhe prosperitet të shtetit, ku kërkohet profesionalizëm dhe ekspertizë e vërtetë në të gjitha sferat, veçanërisht në ato që janë me rëndësi jetike, vijnë njerëz të cilët ndoshta kanë pika kontakti me vendin e punës ku janë të vendosur, por janë mediokër dhe vështirë se mund të ofrojnë ekspertizë përkatëse.

Nëpër këto thuajse tre dekada të Maqedonisë së Pavarur, jemi dëshmitarë të nepotizmit, klientelizmit dhe punësimeve partiake. Çdo parti kur vjen në pushtet e keqpërdor funksionin dhe shtetin sikurse është kompani e tyre private dhe jo e mirë e përbashkët.

Vitin e kaluar ishim dëshmitarë kur pushteti aktual e kritikonte pushtetin paraprak pasi rreth 2000 të punësuar nuk kanë qenë në vendet e tyre të punës, kanë marrë pagë dhe kanë qëndruar në shtëpi. Sipas meje ky është klientelizmi më i keq. Sot jemi dëshmitarë të shumë punësimeve të reja në administratë me përkatësi partiake të partive të cilat janë pjesë e koalicionit i cili sot është në pushtet në Republikën e Maqedonisë.

Përshtypja ime është se vështirë se mund të lirohemi prej kësaj kulture klienteliste dhe nepotiste. Pikërisht kjo është ajo që është më e dëmshme për shtetin – nuk mbizotëron parimi i cilësisë por tregu partiak e madje edhe në segmentet më me ndikim siç janë shëndetësia, arsimi dhe gjyqësia.

Kemi shembuj të funksioneve të larta të ndara në administratë, në qeveri, ndërsa këta bartës së funksioneve nuk kanë as zyrë dhe as karrige pune. Nuk e dimë se çfarë punojnë konkretisht dhe si e fitojnë pagën e tyre. Pyetem nëse do t’u jepet fund politikave të tilla të vogla klienteliste dhe modeleve të tilla të udhëheqjes së shtetit? Deri kur do të punësojmë persona me përgatitje jo të barabartë shkollore për kryerjen e detyrave përgjegjëse? Deri kur do të ndërtojmë armatë prej të punësuarve në administratën shtetërore të cilët nuk kontribuojnë aspak, ndërsa në kohën time i quanim HARAMINJË.

Vallë nuk ka mbetur asnjë grimë virtyti për të mirën e këtij populli? A kemi humbur plotësisht interesin për të mirat e përbashkëta? Ne jemi dëshmitarë se ekonomia jonë po stagnon, ndërsa shpenzimet e çdo individi në vend po rriten dita ditës. I pyes njerëzit përgjegjës, ku dhe si i shpenzojnë këto mjete të cilat ndjej sikur me forcë ua marrin qytetarëve të tyre. Sigurisht një pjesë e këtyre parave shkon për punësimet partiake, sepse misioni kryesor i çdo partie që vjen në pushtet në vendin tonë është t’i shpërblejë dëgjuesit dhe pjesëtarët e saj.

Kjo kulturë e tillë do ta shkatërrojë shtetin.

Na prijnë zgjedhjet presidenciale … Ndjej dhe justifikoj dorëheqjen e qytetarëve, e cila po rritet gjithnjë e më shumë pas çdo cikli zgjedhor. Spekulohet edhe nga partitë në pushtet se nuk mund të ketë cenzus prej 40% të votuesve të regjistruar në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Për çdo politikan përgjegjës këto janë sinjale shumë të forta që duhet të merren parasysh dhe të cilat duhet të jenë një paralajmërim për pakënaqësinë e qytetarëve.

Largimi masiv i popullatës së re nuk ka prekur sipas vizionit tim tek krijuesit kryesorë të jetës së vërtetë në Maqedoni. Prandaj, i bëj thirrje strukturave qeverisëse që t’i drejtohen problemeve thelbësore, dhe kjo është ekonomia, gjegjësisht, ekonomia dhe natyrisht profesionalizmi që duhet të jetë një prioritet në çdo sferë të jetës sonë.

Shumë mendojnë se unë e kam të lehtë në jetë, se kam gjithçka që bashkëqytetari im nuk e ka dhe besoj se kanë të drejtë. Të dashur bashkëqytetarë, do të jem edhe më i lumtur kur të shoh fytyra të lumtura, të buzëqeshura dhe të kënaqura të bashkëqytetarëve të mi. Motoja ime e jetës është lumturinë personale të ndaj me secilin nga bashkëqytetarët e mi.

Në fund, dëshiroj të jap një mesazh të fuqishëm deri tek kjo qeveri si dhe qeveritë e ardhshme të Republikës së Maqedonisë.

Është koha për t’u vetëdijesuar, Bashkimi Evropian dhe NATO nuk do të na japim bukë për të ngrënë. Duhet ta fitojmë vetë. Përkushtojuni interesave të Republikës së Maqedonisë dhe lejoni në partitë tuaja të zhvillohet një demokraci e vërtetë me qëllim që të krijohen dhe piqen njerëz të rinj, ide të reja dhe me qëllime reale për të ardhmen e Republikës së Maqedonisë. Mos e shtypni intelektualin në radhët tuaja, por përkundrazi t’i jepni atij një shans për t’u ngritur dhe së bashku me të, edhe ju si epror i tij.

Në fund, do të doja t’ua uroj festën e Shën Trifunit besimtarëve të besimit ortodoks ndërsa katolikëve ditën e Shën Valentinit ndërsa pjesa tjetër e qytetarëve le të gëzohen në këto dy festa, sepse vera dhe dashuria janë dhuratat më të bukura të Perëndisë.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit