Data e sotme
December 5, 2019

PUSHTET I PRIVATIZUAR

Partia në pushtet po i jep makinës me shpejtësi në anën e kundërt. Ajo e lëvizi dioptrinë e saj parazgjedhore që nga koha e rrëzimit të regjimit.

Shkruan: Zoran Ivanov

 

 “A di dikush edhe sa të papunësuar në familje ka deputetja që ta llogaris se kur do të vij në radhë”?

Kjo është vetëm një grimë e reagimeve satirike apo një grimë revolte dhe denigrimi me rastin e valës më të re të përforcuar të punësimeve të fëmijëve dhe familjarëve të tjerë të elitës politike të privilegjuar.

 

Pakënaqësia e qytetarëve prej shtyrjeve pa radhë me kurdisje në pozitat atraktive shtetërore, i derdhi edhe gotën edhe fuçinë. Funksionarët qeveritarë dhe kuvendor u akomoduan, u punësuan, i privatizuan pozicionet, projektuan privilegje. Në ngushtësinë e natës parazgjedhore morën hovin për t’i hequr hallet shtëpiake dhe në stampedon e punësimeve t’i kontrabandojnë më të afërmit e tyre. T’i rregullojnë në punë të sigurta shtetërore, në pozita të paguara mirë.

Vala e re e privilegjeve është vazhdimësi e sinjaleve gjithnjë e më të shpeshtuara korruptive të cilat u vendosën edhe te ky pushtet. Tani disave u erdhi radha për t’i punësuar, fëmijët, balldëzen, mikun, motrën, baxhanakun e madje edhe prindin. Para këtyre disa të tjerëve, që njerëzve të tyre t’u rregullojnë bursa, specializime. Para kësaj disa të tjerëve atyre në shtëpi t’u rregullojnë donacione, inovacione, subvencione të ndryshme dhe shpërdorime të tjera të ngjashme. Me këto veprime të veta partia në pushtet po i jep makinës me shpejtësi në drejtim të kundër. Ajo e lëvizi dioptrinë e saj parazgjedhore që nga koha e rrëzimit të regjimit. Nënkuptohet jo të gjithë, por jo edhe pak prej eshalonëve të lartë të partive bëjnë gjithçka kundër asaj për të cilën luftoi partia e tyre. Pyetja është se pse të tjerët, të pagabuarit, miqtë e tyre partiakë heshtin. Ose pushteti është duke i korruptuar ose udhëheqësia nuk ka forcë që ithtarëve të tyre të përkëdhelur dhe të papërgjegjshëm t’u thotë mjaft.

 

Shembujt e fundit me valën e punësimeve të privilegjuara familjare, i derdhën edhe gotën edhe fuçinë. Pakënaqësia e qytetarëve i vërshoi mediat dhe rrjetet sociale. Interneti dhe programet interaktive në radio dhe tv pa pardon i zhveshin moralistët e rremë të pushtetit. Opinioni është veçanërisht i irrituar nga lehtësia me të cilën ministrat, deputetët dhe fytyra të tjerë me autorizime publike e arsyetojnë keqpërdorimin e dukshëm të pozitave të tyre të larta. E veçanërisht që gjatë kurdisjeve të tyre korruptuese pa dozë sikleti, manifestojnë prepotencë, arrogancë, paturpësi. Ajo që për qytetarët është akoma më shokuese është solidariteti me të cilin, duke u mbrojtur midis vetes, funksionarët shtetërorë i mbështesin veprimet e tyre të nepotizmit.

Gjykuar për nga reagimet masive dhe gjithnjë e më të zëshme, pak a shumë është e tillë dioptria përmes së cilës opinioni i gjerë votues dhe qytetar e përjeton valën më të re të nepotizmit në institucionet qeveritare. Ndërsa po afrojnë zgjedhjet. Euforia e fitores me Marrëveshjen e Prespës dhe me mbështetjen e pakursyer të një numri të madh të qytetarëve për këtë sukses kapital diplomatik, ngadalë po shuhen. Për shkak të aferave të shpeshtuara, me nepotizmin, klientelizmin, besimi ngadalë por bie. Nëse pushteti sanohet për një kohë të shpejtë në zgjedhjet presidenciale në vigjilje del me rejting mjaft të prishur. Në rrethana të tilla të dëshpërimit parazgjedhor të qytetarëve, vetëm kandidati i përbashkët i koalicionit mund t’i kundërpërgjigjet abstenimit të pritshëm masiv zgjedhor dhe përqindjes së padëshiruar me censusin.

Deri më tani, në këto thuajse tre dekada të shtetit në tranzicion, patëm lloje të ndryshme të pushtetit. Më demokratik dhe më liberal apo më totalitar dhe jotolerant, më kozmopolit apo më nacionalist, më modest apo më lakmitar, më të butë apo më të pamëshirshëm. Ai aktual po sillet në mënyrë unike. Private. Sikurse resurset e koncentruara në kompanitë shtetërore, institucionet, agjencitë, fondet, komisionet dhe në çka jo tjetër shtetërore janë trashëgimi e tyre. Kjo është përshtypje mirëpo edhe fakt që ai tashmë është duke e konfirmuar me punësimet e rregulluara për djemtë, vajzat, bashkëshortet, bashkëshortët, balldëzet, prindërit, baxhanakët.
Opinioni ai qytetar, ai i thjeshtë, modest, për të cilin vendet shtetërore të punës janë shumë lart, reagon. Është i mashtruar, i dëshpëruar i indinjuar. Me ditë dhe muaj qëndronte nëpër bulevardet dhe sheshet e Shkupit, brohoriste kundër regjimit dhjetëvjeçar, e ngjyrosi padrejtësinë. U lidh për opozitën e atëhershme me shpresë për një bashkësi më ndryshe, më të lirë, më të barabartë dhe më humane. E besoi idealin e proklamuar si shoqëri të barabartë me të gjithë.

Kundrejt kësaj shprese, ky eshalon i yjeve politike aktuale, po atyre qytetarëve tani po ua hedh fytyrës sloganin e tyre kryengritës “pa drejtësi s’ka qetësi”.

E bën atë ashtu prej lartë, me arrogancë, pa mëshirë, pa ndjenja. Prej lartësisë së pushtetit. Mu prej aty ku e vendosën qytetarët, aktivistët, bojaxhinjtë, studentët, nxënësit mendjehapur. Ata luftëtarë të palodhur kundër regjimit. Privilegjet dhe demagogjia e metastazuan edhe këtë pushtet. Lidhjet partiake, lidhjet familjare, lidhjet e biznesit, të dashurisë, ngadalë por sigurt po bëhen karakteristikë e saj. Në vend të konturave të pritshme qytetare po merr kontura të mbyllura, private për nevoja të veta. Nuk arrin të mbrohet nga vetja, prej atyre të korruptuarve prej radhëve të veta. Prej elitizmit dhe privilegjeve në të cilat, sipas rregullit dhe pa përjashtim harrohet dhe humbet.

Cili do të jetë epilogu juridik, politik dhe para së gjithash moral i aferës më të re “MEPSO, NEPSO, ELEM, MELEM, AVAM, NAVAM” ose sido që quhen vendet shtetërore atraktive dhe të paguara mirë është e parëndësishme. Është e rëndësishme që deri më tani askush nuk ka dëgjuar se ndonjë politikan fëmijën e tij e ka punësuar për shembull gjithashtu në “Hekurudhat e Maqedonisë” apo në “Eurokompozit”. E atje, fëmijë funksionarësh, shpresa të reja, të talentuar, të arsimuar këtyre të falimentuarve t’u japin nga rinia e tyre, njohuri dhe energji të reja. Të ndihmojnë që edhe këto kompani përfundimisht ta shohin dritën e ditës.

Gjithsesi se duhet të jetë dhe sigurisht janë, të pakontestueshme cilësitë e familjarëve të papunësuar të funksionarëve të lartë shtetërorë. Edhe ndoshta edhe duhet të jenë dhe sigurisht janë të pakontestueshme edhe procedurat ligjore. Madje le të jenë të pakontestueshme edhe punësimet e fëmijëve të tyre menjëherë një ditë pas përfundimit të shkollimit të tyre.

Por prandaj nga ana tjetër të kontestueshme janë pasqyrimet e veprimeve prej atyre të pushtetit. Dhe kontestues janë njerëzit të cilët nuk kanë funksionarë në familjen e tyre. Dhe veçanërisht janë kontestues zhgënjimet për shoqëri të barabartë për të gjithë.

Dhe më e kontestueshmja, gjithsesi është privatizimi i pushtetit.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit