Data e sotme
September 21, 2019

LLOGARIDHËNIA E KOMUNAVE: “KODI I HESHTJES” MË I FUQISHËM SE TRANSPARENCA

  • Sa në të vërtetë janë transparente komunat rurale në rajonin e Pollogut? A përgjigjen në pyetjet e gazetarëve, organizatave e qytetarëve që janë të bazuara në Ligjin për qasje të lirë në informacionet e karakterit publik? Sa i kanë funksionale faqet në internet dhe çfarë publikojnë?
  • Hulumtimi tregoi se komunat rurale të këtij rajoni janë nën mesataren e transparencës së komunave në nivel shtetëror.

 

Shkruan: Xhelal NEZIRI

 

Jo të gjitha komunat në Maqedoni janë të lumtura kur e dëgjojnë definicionin se transparenca është ilaçi më efikas ndaj korrupsionit. Gati të gjitha 84 komunat e Maqedonisë dhe qyteti i Shkupit e kanë të qartë se transparenca nënkupton një institucion të hapur për publikun, llogaridhënës për qytetarët dhe komunikativ me palët.

Komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarët, apo nëpërmjet faqeve të internetit, duket se nuk është duke përmbushur pritshmërinë. Llogaridhënia dhe transparenca janë të garantuara me Kushtetutë, Ligjin për vetëqeverisjen lokale, Ligjin për qasje të lirë në informacionet me karakter publik dhe në disa akte tjera, ku prerazi obligohen institucionet që të informojnë qytetarin për mënyrën dhe koston e menaxhimit të resurseve publike, por edhe për rrugën si të kryej një punë administrative.

Por sa në realitet komunat në Maqedoni u përmbahen këtyre obligimeve?

Ivana Qurçieva nga Qendra për Menaxhim me Ndryshime (QMN) me seli në Shkup është pjesë e projektit “Ndjekja e parimeve të administratës publike në ruajtjen e vlerave të menaxhimit të mirë”, i financuar nga Bashkimi Evropian (BE). Organizata e saj ka mbikëqyrur punën e komunave për një periudhë të caktuar, me ç’rast ka matur edhe nivelin e transparencës së tyre.

“Në asnjë mënyrë nuk mund të jemi të kënaqur me të dhënat që publikohen në faqet e internetit të komunave”, thotë Qurçieva. “Rezultatet e barometrit të transparencës tregoi se komunat mesatarisht publikojnë vetëm 16 për qind të të dhënave që i posedojnë, të cilat nevojitet të jenë publike konform nevojave të qytetarëve”.

Rezultatet hulumtimit kanë treguar se gjatë vitit 2017 komunat mesatarisht kanë marrë nga 25 kërkesa për informacione të karakterit publik, me ç’rast vetëm 2 për qind prej tyre nuk kanë marrë përgjigje. Ndërkohë, indeks më të lartë të transparencës në faqet e internetit ka komuna e Shtipit me 61,54 për qind, kurse indeks më të ulët ka komuna e Zelenikovës me 1,28 për qind. Në periudhën e mbikëqyrjes komuna e Bogovinës, Bërvenicës, Vrapçishtit, Rankovcës, Staro Nagoriçanës dhe Butelit nuk kanë pasur ueb-faqe funksionale.

 

(JO)TRANSPARENCA E KATËR KOMUNAVE TË POLLOGUT

Hulumtim është realizuar në kuadër të projektit të organizatës CED, me mbështetje të shoqatës joqeveritare Transparencë Maqedoni.

Sa në të vërtetë janë transparente komunat rurale në rajonin e Pollogut? A përgjigjen në pyetjet e gazetarëve, organizatave e qytetarëve që janë të bazuara në Ligjin për qasje të lirë në informacionet e karakterit publik? Sa i kanë funksionale faqet në internet dhe çfarë publikojnë?

Hulumtim i realizuar në kuadër të projektit të organizatës CED, me mbështetje të shoqatës joqeveritare Transparencë Maqedoni, tregoi se komunat rurale të këtij rajoni janë nën mesataren e transparencës së komunave në nivel shtetëror.

Pyetjes për informacion të karakterit publik lidhur me shpenzimet për reprezentim gjatë periudhës 2012-2017 iu përgjigjën vetëm komuna e Bogovinës dhe Mavrovo-Rostushes, kurse në afatin e caktuar 30-ditor munguan përgjigjet e komunës së Tearcës dhe Jegunovcës. Të katër komunat gjatë vitit 2018 kanë pasur faqe funksionale në internet, por nuk kanë publikuar detaje për shpenzimet për reprezentim, veturat zyrtare apo tenderët që kanë lidhur për shërbimet e ndryshme që u janë ofruar qytetarëve.

Komunat e Jegunovcës dhe Bogovinës shfrytëzojnë modelin e njëjtë të gatshëm, që kushton 64 dollarë amerikanë e që mundëson që përmbajtja të jetë në tri gjuhë, komuna e Mavrovo-Rostushës shfrytëzon një model të gatshëm pa pagesë, ndërkaq komuna e Tearcës ka një faqe të dizajnuar nga fillimi vetëm për këtë institucion.

I pakënaqur nga kualiteti i informacioneve që publikohen në faqet zyrtare të komunave është edhe Martin Todevski nga QMN dhe koordinator i projektit “Ndjekja e parimeve të administratës publike në ruajtjen e vlerave të menaxhimit të mirë”.

“Komunat patjetër të kenë kanale të mjaftueshme për komunikim me palët ose t’i informojnë mjaftueshëm si duhet të mbarojnë një punë të caktuar. Në kuadër të projektit tonë i vizituam të gjitha komunat që të informohemi se si jepen këto shërbime në teren. Të dhënat treguan se vetëm 17 për qind e komunave i publikojnë informacionet në një vend të dukshëm, vetëm 28 për qind kanë publikuar se si paguhen taksat administrative dhe 25 për qind kanë formularë për ato taksa”, thotë ai.

 

SA SHPENZUAN NËPËR RESTORANTE?

 

Sipas shpjegimit zyrtar, reprezentimi është një shpenzim që parashihet në buxhet që të shfrytëzohen për përfaqësim të institucioneve gjatë ngjarjeve apo takimeve me palë. Katër komunat që ishin në fokus të këtij hulumtimi duket se nuk kanë kursyer mjete publike kur është dashur të paguhen llogaritë e ndejave të ndryshme.

Komuna e Bogovinës, që numëron afër 29 mijë banorë, ka shpenzuar mbi 105 mijë euro për reprezentim gjatë një periudhe gjashtëvjeçare – prej vitit 2012 e deri në vitin 2017. Për fatura në restorante dhe kafene në vitin 2012 janë shpenzuar afër 19 mijë euro, në vitin 2013 – afër 18 mijë euro, në vitin 2014 – afër 24 mijë euro, në vitin 2015 – afër 28 mijë euro, në vitin 2016 – afër 8 mijë euro, po aq edhe në vitin 2017.

Nga tetori i vitit 2017 në krye të komunës vjen Albon Xhemaili nga Aleanca për Shqiptarët, ndërkohë që më parë kryetar ka qenë kuadër i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).

Mjetet e shpenzuara për reprezentim përbëjnë 0.2 për qind të buxhetit të përgjithshëm për vitin 2016 dhe 2017, 0.8 për qind nga buxheti i vitit 2014 dhe 2015 si dhe 0.5 për qind i buxhetit për vitin 2012 dhe 2013.

Në bazë të dokumenteve nga Ministria e Financave, Komuna e Bogovinës nuk figuron se ka borxh në bazë të ndonjë kredie të marrë. Borxhi i përgjithshëm i komunës është 314 mijë euro, gjë që e rendit atë në pjesën e komunave me një borxh mesatar.  Në bazë të kësaj shume, çdo banor i komunës së Bogovinës është futur në borxh nga udhëheqësia për afër 11 euro.

Nuk ka kursyer edhe Komuna e Mavrovës-Rostushës në rastet kur është dashur të paguhen pije dhe ushqime me mjetet e institucionit. Për një periudhë prej gjashtë vitesh, pra nga 2012 e deri më 2017, kjo komunë e vogël që numëron 8.6 mijë banorë, ka shpenzuar afër 90 mijë euro për reprezentim. Kjo i bie se çdo banorë ka paguar nga afër 11 euro për harxhimet e kryesisë së komunave për ushqime apo pije. Në përjashtim të vitit 2012, kur harxhimet për reprezentim kanë qenë vetëm 0.2 për qind, në pesë vitet pasuese kjo shumë ka prekur gati 1 përqindëshin e shpenzimeve të përgjithshme të komunës.

Nga tetori i vitit 2017 në krye të komunës është Medat Kurtovski i LSDM-së, kurse në periudhën e mëparshme kryetar komune ka qenë Mukrem Memedi i VMRO-DPMNE-së.

Sipas të dhënave zyrtare, kjo komunë ka një borxh të vogël prej 5.5 mijë eurosh dhe është ndër komunat me më pak borxh në Maqedoni. Sipas analizave, çdo banor i komunës Mavrovë-Rostushë është futur në borxh nga drejtuesit e saj për vetëm 40 denarë.

Komuna e Jegunovcit duket të ketë qenë më dorëmbledhur kur bëhet fjalë për shpenzimet në restorante të bartësve të këtij institucioni. Për një periudhë pesëvjeçare, nga viti 2012 e deri më 2016, kjo komunë ka shpenzuar rreth 22 mijë euro për reprezentim. Kjo njësi e pushtetit lokal numëron 10.790 banorë, që i bie se çdo qytetar për këtë periudhë ka ndarë vetëm 2 euro për të gjitha gostitë e kryetarit dhe funksionarëve tjerë komunalë.

Deri në vitin 2017 komuna është drejtuar nga kryetari Toni Kocevski i VMRO-DPMNE-së, ndërkaq për mbi një vit ajo menaxhohet nga Darko Blazhevski i LSDM-së. Me një borxh prej afër 222 mijë euro, Jegunovca renditet në grupin e komunave me borxh mesatar. Në bazë të analizave, i bie që udhëheqësia komunale të ketë futur në borxh çdo banorë për afër 20 euro, një shifër kjo më e lartë se borxhi për kokë banori në komunën e Bogovinës, Mavrovë-Rostushës dhe Tearcës.

Për dallim nga Jegunovca, Komuna e Tearcës nuk ka grafë buxhetore ku mund të shihen mjetet e planifikuara apo të realizuara për pagesa të faturave nëpër restorante apo kafene. Në fakt, kjo komuna ka disa grafa në buxhet të cilat nuk janë të definuara qartë dhe janë emëruar  si “transferta të tjera”, “transferime të ndryshme”…Si grafë që deri diku pasqyron shpenzimet e reprezentimit figuron e titulluar si “shpenzime tjera rrjedhëse”.

Së këndejmi, në një periudhë pesëvjeçare – nga viti 2012 e deri më 2016 – vetëm për këtë qëllim kjo komunë ka shpenzuar afër 91 mijë euro.

Komuna e Tearcës, sipas dokumenteve nga Ministria e Financave, nuk figuron të ketë marrë kredi, por ka një borxh në vlerë prej 239 mijë eurove. Në bazë të regjistrimit të vitit 2002 komuna numëron 22.454 banorë, që i bie se çdonjërin prej tyre bartësit e komunës e kanë futur në një borxh prej afër 10 eurosh. Nga viti 2009 në krye të komunës qëndron Isen Asani nga BDI-ja.

 

KOMUNAT DUHT T’I HAPIN TË DHËNAT PËR QYTETARËT

 

Jo vetëm Tearca dhe Jegunovca, por një pjesë e konsiderueshme e komunave në Maqedoni nuk përgjigjen në pyetjet e gazetarëve apo organizatave joqeveritare, që parashtrohen duke shfrytëzuar dispozitat e Ligjit për qasje të lirë deri te informacionet e karakterit publik. Në bazë të përvojës së deritashme, nga Qendra për gazetari hulumtuese SCOOP-Maqedoni thonë se njësitë e pushtetit lokal janë më të mbyllura kur bëhet fjalë për dhënien e informacioneve. Në tri hulumtimet e tyre që kanë të bëjnë me shpenzimet për reprezentim, derivate të naftës dhe për numrin e veturave zyrtare asnjë përgjigje nuk kanë kthyer komuna e Karposhit, Sarajit, Demir Kapisë, Sopishtes, Ilindenit, Zelenikovës, Debarcës, Strumicës, Negotinës, Studeniçanit, Tearcës dhe Vrapçishtit. Komuna e Bogovinës dhe Mavrovo Rostushës është përgjigjur për shpenzimet e makinave zyrtare, por jo edhe për reprezentimin dhe për shpenzimet e derivateve të naftës. Komuna e Jegunovcës, ndërkaq, për këtë organizatë është përgjigjur me të dhëna konkrete për të tri temat e hulumtimit.

Nga pushteti qendror paralajmërojnë se do të bëjnë çdo gjë që është në kompetencë të tyre që komunat në Maqedoni të jenë më llogaridhënëse dhe më të hapura në drejtim të qytetarëve.

“Patjetër t’i hapin të dhënat, të jenë më të hapur për opinionin publik. Nevojitet shumë më tepër të publikojnë të dhëna dhe të njëjtat të jenë shumë më të kapshme për qytetarët, si ato në ueb-faqe ashtu edhe në lokalet e komunës”, thotë Ministri i shoqërisë informatike dhe administratës, Damjan Mançevski.

Ekspertët thonë se qeveria aktuale po mundohet të bëjë disa hapa në drejtim të instalimit të një kulture tjetër institucionale, e cila nënkupton transparencën ndaj opinionit publik. Që nga ardhja e kësaj garniture qeverisëse ajo publikon faturat e bartësve të institucioneve që tregojnë shpenzimet e tyre për reprezentim apo për udhëtime zyrtare. Por, shtojnë mosfunksionimi i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) dhe e Komisionit për Qasje të Lirë deri te Informacioni i Karakterit Publik (KQLIKP), që vjen si pasojë e moskompletimit të përbërjes së tyre, ka bërë që institucionet të mos i ndajnë me opinionin informacionet, për të cilat i obligon Ligji.