Data e sotme
July 22, 2019

ADMINISTRATA

Shkruan: Aleksandar Krzhallovski

 

Javën e kaluar e shënoi tragjedia me autobusin në të cilin jetën e humbën 15 bashkëqytetarë tanë, me çka shfrytëzoj rastin edhe unë të shpreh ngushëllime për familjet e tyre. Madhësia e fatkeqësisë e vuri në pahnjë solidaritet të madh dhe tregoi se para së gjithash jemi të gjithë njerëz dhe kur jeta e një qenie tjetër njerëzore është rrezikuar, reagimi i parë dhe i vetëm është të ndihmohet në përpjekje që të shpëtohet jeta e të gjithëve ndërsa në momente të tilla bëhet e pakuptimtë përkatësia etnike, partiake, shtetërore ose çfarëdo përkatësie tjetër. Është fatkeqësi që vetëm tragjedi të tilla na bashkojnë, ndërsa duket se gjithçka tjetër na ndan mbi baza të ndryshme. Edhe këtu në të vërtetë pati deklarata famëkeqe dhe tentime për keqpërdorime dhe manipulime në këtë situatë, por vlerësoj se nuk duhet t’u kushtohet rëndësi dhe prandaj nuk do t’i komentoj.

 

Krahas kësaj reagimet më të stuhishme në opinion i shkaktuan punësimet në administratën shtetërore të familjarëve të funksionarëve të pushtetit. Kjo e la nën hije edhe ngritjen e flamurit të NATO-s para Qeverisë (e cila kaloi pa eufori më të madhe, ose siç do të thoshin “Fçerashni novosti – pa “lumenj njerëzish të cilët derdhen nëpër bulevardet rreth Qeverisë), ndërsa njëjta edhe përzgjedhja e VMRO-DPMNE-së të kandidates Gordana Siljanovska Davkova, për zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Në këtë kuptim, edhe pse kolumnistë të tjerë tashmë u përqendruan në këtë temë gjatë këtyre ditëve do të doja edhe unë “t’i shtoja vaj zjarrit”, pasi ngadalë por sigurt administrata bëhet barra më e madhe e shtetit dhe guri i cili na tërheq gjithnjë e më poshtë.

 

Gjatë këtij muaji hasa në një anekdotë, nga koha e viteve të fundit të socializmit, për të cilën nuk e di nëse është e vërtetë (dhe në ç’masë), por është ilustrative deri ku jemi ngujuar (të mos them “rrëshqitur”) në “stërmbushjen” e administratës me gjithnjë e më shumë vende pune dhe shpesh funksione (të panevojshme). Në një seancë të Qeverisë së atëhershme (fundi i viteve të 80-ta) në rend dite ka qenë debati nëse do të lejohet rritja e administratës për rreth 1000 vende, që të ulet presioni nga papunësia në rritje.

Pas më shumë analizave të prezantuara është konstatuar se “me këtë do të tejkalohej numri i 40,000 të punësuarve në administratë dhe se ekonomia e Maqedonisë nuk do të mund t’i qëndrojë kësaj”. Sa i ndjek numrat e fundit (ndërsa në mungesën e raportit përfundimtar nga analiza detajuese për të cilën për një kohë të gjatë flet ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës – MSHIA, Mançevski), tani kalkulohet me diçka nën 130,000 të punësuar në administratën shtetërore. Edhe kjo nuk i përfshin të punësuarit në sektorin shëndetësor dhe arsimor (doktorë, infermierë, mësues, profesorë). Me ta ka arritur deri në 170,000. Këtu nuk hyjnë edhe rreth 10% plus të cilët nuk janë të punësuar por janë të angazhuar përkohësisht me kontrata në vepër dhe ngjashëm. Dhe nuk hyjnë vendet e punës në ndërmarrjet publike dhe/apo kompani në pronësi shtetërore të pjesshme apo të plotë (siç janë këtyre ditëve reagimet për shkak të punësimeve partiake në ELEM dhe MEPSO etj). Me këtë me siguri mbërrin deri rreth 250,000 punësime në sektorin publik, që në punësim të përgjithshëm prej rreth 750,000 persona, do të thotë se çdo dy të punësuar në sektorin privat e financojnë (përmes tatimeve të firmave dhe kontributeve) edhe një të punësuar në administratë.

 

Pyetja është e njëjtë sikurse te anekdota – deri kur kështu? Deri kur sistemi do të mund t’i qëndrojë kësaj – nëse i ka qëndruar edhe deri më tani? Me siguri pasi është aq “vrima” në fondin pensional, ndërsa rritja e vazhdueshme e detyrimit është burimi i parave prej të cilave financohet e gjithë kjo.

Larg kësaj nga fillimi i tekstit – për punësimet partiake e madje edhe për çështjen se “kush i pari filloi”, pasi të gjitha Qeveritë e deritanishme e kanë rritur numrin e punonjësve të administratës. Larg edhe asaj që kjo tendencë e zvogëlon efikasitetin e sistemit (bëhet e ditur kjo në korniza botërore), ndërsa e rrit mundësinë dhe rrezikun prej korrupsionit. Por problemi më i madh është se kjo thjeshtë nuk ka logjikë ekonomike dhe se herët ose vonë – nuk do të ketë para prej ku e gjithë kjo të financohet dhe me atë do të pësojë kolaps, dhe të paktën atëherë do të prishet ajo fama për vend pune “të sigurt” në administratë.

 

Para dy vitesh pata mundësi të marr pjesë në vlerësimin e gjendjes me marrëdhëniet e punës (rregullativë ligjore dhe praktikë) veçanërisht në administratë, në Gjeorgji. Aty në vitin 2006 (koha e presidentit Sakashvili), të ballafaquar me stërngarkimin e madh si edhe korrupsionin akoma më të madh, janë vendosur për masa radikale dhe në një ditë janë përjashtuar nga puna 13.000 policë dhe 40.000 mësues/profesorë. Gjithsesi, kjo do të ishte në llogari të prishjes së të drejtave të tyre sipas kontratave kolektive dhe personale për punë, por që atëherë Gjeorgjia është midis 20 vendeve më të mira në botë edhe në luftën kundër korrupsionit ndërsa edhe në listën shumë të njohur Doing Business të Bankës Botërore.

 

Gjithnjë e më shumë mendoj se në vend të rritjes së mëtejme të administratës, neve na duhet ulje drastike e saj, të paktën të përgjysmohet numri aktual! Edhe gjithnjë e më shumë besoj se analiza e detajizuar famoze e MSHIA, nëse ndonjëherë e sheh dritën e ditës do ta tregojë atë. Por nuk jam shumë i bindur se Qeveria (kjo apo ndonjë e ardhshme) atëherë do të tregojë guxim (siç thotë se ka treguar me Marrëveshjen e Prespës) dhe ta zbatojë atë – gjegjësisht të përgjysmojë numër të konsiderueshëm të administratës aktuale dhe në mënyrë drastike ta reformojë! Çfarë mendoni ju për këtë?

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit