Data e sotme
December 9, 2019

LLASKARCA E SOLIDARITETIT NJERËZOR

Shkruan: Bardhyl ZAIMI

 

E mërkura e javës që shkoi ishte tronditëse për opinionin. 15 shpirtëra u këputën në një aksident trafiku, shkaqet e të cilit ende po hulumtohen nga institucionet shtetërore. Një tragjedi e madhe që preku zemrat e gjithsecilit. Një tragjedi që shtangu gjithçka, por që në të njëjtën kohë shpaloi ndjenjën e solidarizimit mes njerëzve.

Aksidenti kishte ndodhur në Llaskarcë. Ishin pikërisht banorët e këtij fshati, ata, që menjëhërë u vunë në aksion për shpëtimin e udhëtarëve. Një ndjenjë thellësisht njerëzore kishte shtrirë praninë e vetë për të zgjatur dorën shpëtimit për shumë udhëtarë të lënduar, të cilët ndodheshin nën rrënojat e autobusit. Ashtu siç edhe u raportua, po të mos ishte ky solidearitet i banorëve të këtij fshati, numri i viktimave mund të ishte edhe më i madh.

Ishin të parët banorët e Laskarcës, ata, që me gjithë forcën e humanitetit të tyre ofruan ndihmën e pakursyer për udhëtarët e aksidentuar. Një shëmbull unik i solidaritetit që në gjithë këtë tragjedi po lëshonte një dritë të përtejme përpara opininionit në Maqedoni. Një humanitet dhe solidaritet që politika gjatë tërë kohës me bërrylat e saj të pushtetit e ka dëbuar diku në margjina, aty ku njerëzit jetojnë në heshtje jetën e tyre, por gjithnjë duke kultivuar esencat më të mira njerëzore, larg ndasive etnike, politike dhe të tjera të çfarëdoshme.

Në qiellin e errët të kësaj tragjedia, Llaskarca u shndërrua në një yll që po ndriçonte me një fuqi të jashtëzakonshme. Ndjenja e njeriut për njeriun, ai përgjërim i brendshëm për ta zgjatur dorën e shpëtimit, në Llaskarcë po merrte një kuptim të thellë ekzistence si një përpjekje dhe betejë për të qenë pranë jetëve të udhëtarëve të aksidentuar.

Llaskarca për më tepër shpërfaqi një dimension të shoqërisë të pa vënë re më parë, ose më saktë të mbuluar keqas nga vrazhdësia e politikës, e cila gjatë tërë kohës nuk ka bërë gjë tjetër përveçse është përpjekur në një farë mënyre ta asgjësojë këtë solidiratitet dhe humanitet të shoqërisë. Banorët e Llaskarcës realisht janë heronjtë e vërtetë të ditëve tona, ata që brenda vetes mbajnë gjallë atë frymë njerëzore që gjatë tërë kohës atakohet nga politika ditore, nga slloganet, nga narracionet e papërgjegjshme dhe johumane të protagonistëve të ndasive.

Duke jetuar nën tiraninë e aktualitet qeniet njerëzore i ekspozohen vazhdimisht një tjetërsimi. Politika jo njëherë e ka stimuluar këtë tjetërsim me idenë për të krijuar njerëz që dëgjojnë vetëm afishe politike, vetëm autoparlantat partiake, vetëm “mjeshtrit” e ndasive që gjithmonë mendojnë me logjikën e rreshtimit etnik, ideologjik etj. Dhe ky brutalitet politik ka qenë i pranishëm gjatë tërë kohës, në gjithë këtë periudhë të tranzicionit të zgjatur. Pikërisht kjo logjikë mobilzimi, rreshti, gjithnjë ka rrezikuar ndjenjën e solidaritetit, të njerzillëkut, që fatmirësisht u shfaq në formën më të mirë në Llaskarcë.

Dhe, saherë që e vendosim politikën përballë humanitetit, definimi më i thellë vjen nga mendjet e rafinuara të gatuara me një humanitet universal. Po sjellim në këtë rast një përvijim të shkrimtarit, biografit, të jashtëzakonshëm, Stefan Cfajg. Në biografinë e tij mbi njërin ndër humanistët më emblematik europian, Erazmin e Roterdamit, autorit të vepërës së shkëlqyer “Lavdërimi i marrisë”, mes tjerash shkruan se humanizmi për dallim nga politika e ka cakun e largët.  Padyshim ky është një cak i largët që nuk përfill dhëmbëzorët e politikës së përditshme. Ky është një cak që në epiqendër ka njeriun si qenie të papërsëritshme për të cilën ia vlen të angazhohesh.

Tragjeditë i trandin njerëzit deri në thelb të jetës. Një tragjedi e këtillë ishte edhe ajo e 13 shkurtit. Një tragjedi që shpërfaqi një dimension humanizmi që mbetet një shembull ndriçues për çdo kohë.

Banorët e Llaskarcës ishin aty me solidaritetin dhe humanizmin e tyre. Ata nuk dinin emra. Ata thjesht iu përgjigjen ndjeshmërisë njerëzore që ua diktoi rrugën për te autobusi i aksidentuar, aty ku shumë udhëtarë prisnin dorën e zgjatur të ndihmës në çastet e një tmerri të papërshkruar. Llaskarca mbetet shembull i pashmangshëm i ngadhënjimit të vlerave njerëzore. I bashkimit në dhimbjen e tragjedisë. Shembull i një shoqërie solidare, i një caku për të cilin flet Cfajgu në biografinë mbi Erazmin e Roterdamit, emblemës së humanizimit.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit