Data e sotme
March 21, 2019

KANDIDATËT PRESIDENCIAL

Shkruan: Aleksandar Krzhallovski

 

Java e kaluar e bëri të qartë atë se kush do të marrë pjesë në garën presidenciale. Pas përzgjedhjes së Gordana Siljanovska Davkova, për kandidate të VMRO-DPMNE-së para dy javësh gjatë kësaj fundjave u konfirmua nominimi i Stevo Pendarovskit si kandidat i përbashkët i LSDM-së (dhe koalicionit të tyre prej tridhjetë partive) dhe BDI-së. Gjithashtu edhe partitë opozitare në bllokun “shqiptar” e mbështetën kandidaturën e Blerim Rekës, me çka mund të pritet se edhe ai do t’i grumbullojë 10.000 nënshkrimet e nevojshme prej qytetarëve që të mund të jetë kandidat në zgjedhje.

Në lojë për kandidaturën e mundshme janë edhe disa persona të cilët kërkojnë mbështetje prej 10 mijë qytetarëve, por pak kanë gjasa që të arrijnë për kandidim deri në fund të afatit – e shtunë, 9 mars, deri në mesnatë dhe është mjaft e sigurt se gara do të vazhdojë me tre profesorët e lartëpërmendur.

 

Çfarë ishte karakteristike për këto nominime? Pavarësisht se ka pasur progres nga ciklet zgjedhore të mëparshme, nuk mund të mburremi se ishin shumë demokratike. Tek VMRO-DPMNE ka pasur disa kandidatë (10 të regjistruar dhe 9 të pranuar), të cilët kishin mundësi të prezentohen në Konventën e Strugës dhe të votoheshin, rezultati me një mbështetje bindëse për njërin kandidat që në raundin e parë të votimit, tregon të paktën drejtimin e delegatëve për të votuar. Por të paktën procedura demokratike u respektua dhe kishte një votim të fshehtë për të gjithë kandidatët e pranuar.

Tek LSDM, procesi ishte pak më kaotik. Së pari, u paralajmërua “kandidati konsensual”, i cili duhej të përfshinte të gjitha partitë e koalicionit të LSDM, si dhe partitë në bllokun shqiptar, mundësisht të gjitha. Pas shpalljes së VMRO-DPMNE-së se ka disa kandidatë të regjistruar për konventën e tyre, LSDM gjithashtu hapi një konkurs për kandidaturat presidenciale dhe sipas të dhënave më të fundit përpara Kongresit, në të janë paraqitur 24 kandidatë. Ndërkohë, negociatat me Aleancën për Shqiptarët u prishën (gjegjësisht as nuk u mbajtën) ndërsa herë të nxehta e herë të ftohta ishin marrëdhëniet edhe me BDI.

Përfundimisht, kryetarët e LSDM-së dhe BDI-së arritën të mërkurën një marrëveshje për kandidat të përbashkët, i cili u zbardh të premten ndërsa në Kongresin të dielën edhe u konfirmua. Kongresi doli edhe si i panevojshëm, pasi delegatët votuan vetëm për kandidatin Stevo Pendarovski. Por u theksua edhe mbështetja e 31 partive nga të gjitha bashkësitë etnike, ndërsa u prezentua edhe si kandidat konsensual (për këtë pak më poshtë).

Përfundimisht, nuk është e qartë (ose të paktën për mua nuk është e qartë, me distancimin për ndjekjen e limituar të lajmeve në gjuhën shqipe dhe/apo në mediat dominuese për bashkësinë etnike shqiptare), në çfarë procedure ishte përcaktuar dhe mbështetur kandidatura e Blerim Rekës. Në tërësi, ripërfaqësimi i karakteristikës “parti -sultane” gjegjësisht, vendosja në mënyrë dominante e vendimmarrjes “nga lart – poshtë”, nuk premton që diçka e rëndësishme së shpejti do të ndryshojë për më shumë drejt praktikave më demokratike, së pari në parti dhe më pas në nivel shtetëror.

 

Nejse, kjo (mënyra se si partitë zgjedhin kandidatët e tyre për president) nuk është çështja më e rëndësishme në këto zgjedhje. Një nga vargjet e rëndësishme të përdorura shpesh nga koalicioni qeverisës e përmenda edhe më lart është – kandidati konsensual!

Pretendimi është se për herë të parë kemi një kandidat të mbështetur njëkohësisht nga dy bashkësitë etnike më të mëdha (dhe të gjitha të tjerat) – maqedonasit dhe shqiptarët.

Dhe kjo është e drejtë – por a e bën kjo Stevo Pendarovskin kandidat konsensual? Nuk do të thoja! Sepse vetë fjala konsensus do të thotë marrëveshje me mbështetje të gjerë ose, në rastin më të mirë, me mbështetjen e të gjithëve! Në Bashkimin Evropian, vendimi me konsensus nënkupton pëlqimin e të gjitha 28 shteteve anëtare dhe për fat të keq shumë mirë e kemi mësuar këtë, sepse vetëm për një anëtare – Greqia nuk pati (deri në ndryshimin e emrit të shtetit) konsensusipër pranimin në NATO dhe fillimin e negociatave me BE-në. Kështu edhe këtu, pyetja është – kush janë të gjithë? Nëse janë vetëm LSDM dhe BDI – atëherë po, kandidati është konsensual. Por fakti se ka edhe një kandidat tjetër (Siljanovska) do të thotë se nuk ka pëlqim nga të gjithë (ndërsa zgjedhjet do të tregojnë se sa shumë nuk pajtohen), dmth. nuk ka konsensus për Pendarovskin. Edhe argumenti për mbështetje edhe prej maqedonasve dhe shqiptarëve, edhe pse në vete është i rëndësishëm dhe për t’u përshëndetur, me kandidaturën e Blerim Rekës dështoi, në kuptimin e një kandidati konsensual ndëretnik.

Unë mendoj se përdorimi i këtij termi duhet të ndalet përveç nëse LSDM-ja dhe BDI-ja, në vend të 30 nënshkrimeve të nevojshme të deputetëve, arrijnë të sigurojnë mbështetje prej së paku 80 – atëherë ata mund të pretendojnë të kenë një kandidat konsensual. Dhe në përgjithësi, ndërsa ka zgjedhje dhe sistemi nuk ndryshon dhe presidenti zgjidhet me shumicë prej dy të tretave, nuk do të jetë e mundur të flitet për një kandidat konsensual.

 

Por edhe kjo nuk është më e rëndësishmja për këto zgjedhje,

Një nga gjërat më të rëndësishme është nëse i kanë karakteristikat që qytetarët i vlerësojnë. Në anketën e fundit të MCMS, tre tiparet kryesore që duhet t’i ketë presidenti janë: ndershmëria, përgjegjësia dhe toleranca. Personifikim i këtyre tre karakteristikave është presidenti i ndjerë Boris Trajkovski. Nëse dhe sa janë tre kandidatët të këtillë, do të tregojë fushata dhe pastaj zgjedhja e njërit prej tyre dhe përmbushja e mandatit, por edhe nga përshtypjet e para, mund të konstatohet se të tre kanë mjaft prej këtyre karakteristikave të kërkuara.Nuk kanë kurrfarë njollosjesh dhe aferash pas vetes (ndershmëri), u rrinë mbrapa qëndrimeve dhe parimeve të tyre dhe e respektojnë rregullin institucional (përgjegjësinë) ndërsa kanë treguar edhe nivel të lartë të tolerancës dhe mirëkuptim për qëndrimet e të tjerëve (tolerancë). Në çfarë mase, veçanërisht këtë të fundit, do ta demonstrojnë deri në zgjedhje, mbetet të shohim.

Gjëja e dytë e rëndësishme është – se do të jenë pikat kryesore të konfrontimit në fushatë. Të gjithë janë profesorë, dhe epërsia fillestare “akademike” e VMRO-DPMNE-së me zgjedhjen e Siljanovskës është neutralizuar me zgjedhjen e Pendarovskit në LSDM si edhe të profesorit Reka më pas. Edhe me moshë nuk janë shumë larg (8 diferencë), ndërsa gjinia ndoshta do të sjellë ndonjë votë më shumë tek gratë për Siljanovskën, por pyetja është nëse kjo do të ketë ndonjë ndikim më të madh (do të shohim shpresoj me anketat e para). Mbetet megjithatë beteja të udhëhiqet për disa tema – dhe ajo më e sigurta është Marrëveshja e Prespës. Siljanovska ishte (dhe është) kundërshtare e marrëveshjes (edhe pse deklaroi se do ta respektojë, por do të tentojë t’i ndryshojë disa nga pasojat që i sjellë), ndërsa Pendarovski ishte (dhe është) një prej mbështetësve kryesor të saj.

Duket se edhe zgjedhja e VMRO-DPMNE-së me Siljanovskën është pikërisht me qëllim që të imponohet ky konfrontim në fushatë dhe në njëfarë mënyre këto zgjedhje të jenë për (de)legjitimimin e Marrëveshjes së Prespës dhe ndryshimeve kushtetuese (ose në njëfarë mënyre – referendum i dytë, kësaj radhe pa bojkotim). Një tjetër konfrontim mund të jetë në aspektin e performancave të Qeverisë. Sado që të themi se këto zgjedhje “nuk janë për atë gjë”, gjegjësisht se zgjedhim mes personave, për më tepër të gjithë janë “jopartiakë” (gjegjësisht nuk janë anëtarë të partive që i propozojnë/mbështesin), megjithatë ata janë kandidatë të partive dhe një numër i madh i votuesve me siguri do të përcaktohen për partinë në vend se (vetëm) kandidatin, duke u bazuar në simpatizimin personal ndaj një apo partie tjetër, apo duke matur arritjet e kësaj Qeverie për sa i përket pritshmërive të tyre (ose premtimeve zgjedhore).

Për fat të keq, mendoj se kjo do ta errësojë faktin se kësaj radhe të gjithë kandidatët janë jopartiakë, gjë që për mua ndoshta do të ishte gjëja më e rëndësishme në këto zgjedhje, si shpresë për largimin dhe departizimin dhe depolarizimin gradual të shoqërisë. Përkundër kësaj, ndoshta nuk na pret një tjetër fushatë e polarizuar dhe konfrontuese. Le të shpresojmë të paktën se do të jetë më e civilizuar se fushatat e mëparshme, dinjitoze dhe korrekte, me respektimin e kundërshtarit politik.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit

 

Администратор
Администратор

Latest posts by Администратор (see all)