Data e sotme
May 23, 2019

Çdo grua e tetë është e prekur nga kanceri në gji

Maqedonia është një prej vendeve të rralla në Evropë ku vdekshmëria nga kanceri është në rritje në 15 vitet e fundit, ndërsa kanceri në gji është në mesin e shkaktarëve më të mëdhenj të vdekjes

 

Edhe pse është paraparë që të prekurit nga kanceri të mos paguajnë për kontrolle, megjithatë askush nuk ka kaluar pa paguar.

 

Svetllana Unkovska

 

Shkaktari më i shpeshtë i vdekjes prej neoplazmave malinje në periudhën prej vitit 2010 deri në vitin 2017 është kanceri në gji tregojnë analizat e Institutit për Shëndet Publik. Shkalla e mortalitetit lëvizë prej 30,0 në vitin 2010 deri në 26,9 në vitin 2017, ndërsa më shumë raste të vdekjes shënohen në vitin 2016 me 32,7 në 100.000 gra potencohet në analizë.

Statistikat e zeza jo vetëm në vend, por edhe në botë godasin popullsinë femërore, ndërsa sipas Qendrës Ndërkombëtare për Hulumtime të Kancerit Globokan, Maqedonia është një nga vendet e pakta në Evropë ku vdekshmëria nga kanceri është rritur në 15 vitet e fundit dhe kanceri i gjirit është ndër shkaqet më të shpeshta të vdekjes. Shkalla e karcinomit në gji është në rritje dhe çdo grua e tetë po vuan nga kjo sëmundje e rëndë. Sipas të njëjtës qendër kërkimore, rreth 30% e vdekjeve nga sëmundjet malinje janë për shkak të pesë faktorëve kryesorë të rrezikut:

-sjellja jo e shëndetshme dhe mënyra jo e shëndetshme e të ushqyerit

-indeksi i rritur i masës trupore

-niveli i ulët i konsumit të frutave dhe perimeve të freskëta

-mungesa e aktivitetit fizik

-pirja e duhanit dhe konsumi i alkoolit

 

Me 1 në 8 gra të prekura, Maqedonia në kuadër të shteteve evropiane

 

Sipas vlerësimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë parashihet numri i rasteve të vdekjes nga kanceri të rritet në 13.100.000 deri në vitin 2030. Në nivel evropian kanceri shkakton 20% të rasteve të vdekjes, ndërsa çdo vit me më shumë se 3 milionë raste të reja dhe 1,7 milionë raste të vdekjes kanceri është shkaku më i konsiderueshëm për vdekshmëri në Evropë pas sëmundjeve kardiovaskulare. Në pozitën e parë në botë në vitin 2018 është neoplazma malinje në gji në shkallë të incidencës prej 11,7 në 100.000 gra.

Drejtori i Klinikës për Onkologji Nino Vasev në një deklaratë për “Inboks 7” thotë se me numrin e të prekurve edhe për raste të sapozbuluara me kancer në gji vendi ynë është në një rang me vendet perëndimore.

Statistika jonë e grave të prekura nga kanceri lëvizë absolutisht në kuadër të vendeve të tjera perëndimore edhe tek të prekurat e sapozbuluara jemi në nivel të njëjtë. Tek ne është një e prekur në 8 deri në 9 gra, ndërsa në Danimarkë  për shembull është më i keq rasti dhe në çdo 7 gra është 1 e prekur nga kanceri në gji. Nuk ka rritje të përnjëhershme në nivel vjetor, ka disa rritje graduale, por ato nuk janë drastike“, thotë Vasev.

 

 Mjekët apelojnë që të rritet vetëdija, por pritet shumë gjatë për kontroll

 

Megjithatë, mjekët theksojnë se për shkak të këtyre numrave alarmues akoma më e rëndësishme është të rritet vetëdija tek popullata se zbulimi i hershëm i sëmundjes është shumë i rëndësishëm për mjekimin e saj dhe për rritjen e mundësisë për mbijetesë më shumëvjeçare. Si edhe për çdo sëmundje malinje ashtu edhe për karcinomin në gji me rëndësi të veçantë është zbulimi i hershëm i sëmundjes. Kyç për zbulimin e hershëm të sëmundjes është zbatimi i kontrolleve të rregullta apo skriningut tek gratë veçanërisht pas moshës 40 vjeçare me kontroll ultrazë dhe mamografik.

Verën e kaluar të prekurat nga kanceri në gji kanë pritur me muaj që të caktojnë kontrolle përmes sistemit “Termini im”. Edhe ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe atëherë e pranoi se ka problem me caktimin më së shumti për shkak të mungesës së kuadrove. Shkenca akoma nuk ka përgjigje se cila është arsyeja e paraqitjes së kancerit në gji, edhe pse ka më shumë faktorë rreziku që mund të kontribuojnë për paraqitjen e kësaj sëmundje.

Doktor Deva Petrova, onkologe radioterapeiste në Spitalin Klinik “Axhibadem Sistina” vlerëson se rreziku prej kësaj sëmundje rritet me moshën e gruas, zakonisht rritet pas moshës 50 vjeçare, tek 25 për qind paraqitet në moshën nën 50 vjeç ndërsa tek 5 për qind e grave paraqitet nën moshën 35 vjeçare.

Në mesin e faktorëve të rrezikut për paraqitjen e kancerit në gji, para së gjithash është predispozicioni gjenetik, më pas ka ndikim terapia hormonale me estrogjenë, ekspozimi në rrezatim jonizues. Rrezik të rritur për paraqitjen e kësaj sëmundje ka tek gratë mbipeshë dhe tek gratë që nuk kanë lindur. Hulumtimet më të reja tregojnë se edhe disa shprehi të caktuara të jetës si pirja e duhanit, konsumi i alkoolit dhe aktiviteti i zvogëluar fizik e rrisin rrezikun nga paraqitja e karcinomit“, thotë  doktor Petrova.

Doktor Vasev, nga ana tjetër shton se luan rol edhe menopauza e vonshme, stili i jetesës, gjenetika, por, sipas tij, nëse dikush në familje ka të prekur nga kanceri në gji kjo nuk do të thotë se me për qindje të madhe të sigurisë mund ta ketë edhe një i afërm në familje. Thotë se në trajtim jemi në nivel më të lartë madje edhe prej disa vendeve më të zhvilluara.

Tek ne praktikisht në intervenimet dhe mjekimet jemi më të shpejtë edhe se Anglia. Në krahasim me ata këtu pas intervenimeve kirurgjike nëse është e nevojshme kimioterapia atëherë fillohet në të njëjtën ditë, ndërsa për rrezatim pritet 3 javë, ndërsa në Angli pritet madje 2 muaj pas operacionit. Ne jemi shumë të shpejtë në këtë pikëpamje. I kemi kimioterapitë më moderne “, potencoi doktor Vasev.

 

Shën Nikolla një prej qyteteve me më shumë të prekura  

 

Daniela Paneva kryetare e Organizatës së grave të Shën Nikollës thotë se nga viti 2002 kanë organizuar një grup për vetëndihmesën e grave të prekura nga kanceri në gji dhe në vazhdimësi organizojnë punëtori mujore që t’u ndihmojnë jo vetëm në furnizimin e parukeve dhe reçipetave-protezë, por edhe punëtorive edukative dhe ndihmës psikologjike.

“Grupi vazhdimisht vjen në këto tubime, tani janë 46, disa prej më parë e humbën jetën, disa vijnë madje edhe me 35 vjet dhe është dëshpëruese ajo që ka raste me kufi më të ulët të moshës se më herët. Nuk e di nëse akoma komuna jonë Shën Nikolla është me rritjen më të madhe të sëmundjeve malinje dhe me mortalitetin më të madh. Organizata e grave kërkoi dhe mori mamograf para 7-8 vitesh, kështu që tani është pak më lehtë që gratë e këtij rajoni të bëjnë kontrollet të rregullta”, thotë Paneva. Shton se tek një pjesë e madhe e grave problem janë financat për t’i paguar kontrollet, ndërsa nga Fondi i Shëndetësisë kanë të drejtë për një reçipetë falas. Ndihma më e madhe e grave thonë u nevojitet gjatë shkuarjes së parë në kimioterapi.

“Herën e parë kur ballafaqohen me atë se duhet të pranojnë kimioterapi e marrin shumë tragjikisht dhe atëherë grave u nevojitet ndihmë psikologjike. Atëherë janë në gjendje shumë të vështirë dhe nuk mund të mendojnë siç duhet. Në këto tubime bëhet para së gjithash në mënyrë individuale, por edhe grupore dhe përveç edukimit dhe furnizimit të protezave, organizojmë projekte me vizita në grup me gra të tjera për të kontaktuar dhe për të këmbyer përvoja”, thekson Paneva.E pyetëm nëse ekzistojnë njohuri apo analiza që të përcaktohet se pse pikërisht ky rajon ka paraqitje drastike të të prekurve nga kanceri”.

Asgjë zyrtarisht nuk u kumtua. Mbetën vetëm si disa supozime. Fillimisht ishte uji e pastaj u ndërruan gypat. Më pas u shfaqën dyshime edhe me xeheroren me azbest, stacionin meteorologjik, pohohej madje edhe se tek diga në Shën Nikollë janë hedhur bomba me rrezatim radioaktiv, por se shkaktuesi i saktë nuk dihet akoma. Është dëshpërues fakti që secili në familje ka të paktën nga një të prekur ndërsa askush nuk ka bërë analizë të mirë që të përcaktohet se cila është arsyeja e vërtetë për paraqitjen e madhe të sëmundjeve kancerogjene dhe të ndërmerret diçka lidhur me atë“ , thotë Paneva.

 

Shëndetësi falas për të prekurit nga kanceri vetëm në letër

 

Snezhana Vellkovska nga Shën Nikolla është operuar nga karcinomi në gji para rreth 5 vitesh dhe që atëherë jeta e saj ka ndryshuar duke u përballur me luftën kundër kësaj sëmundje të rëndë. Mbështetjen më të madhe e ka prej familjarëve të saj dhe siç thekson prej energjisë së tyre pozitive, por kyçe për t’u ballafaquar me sëmundjen është fryma e saj luftarake.

Kur mësova për sëmundjen më besoni më së shumti kisha nevojë për psikolog dhe mendoj se për të ka nevojë çdo grua, si një mbështetje e madhe dhe orientim se si të ballafaqohet me labirintin e sëmundjes. Shpejtë u operova dhe shkova në onkologji dhe atje më mori përsipër një mjeke që nuk kam fjalë ta përshkruaj se sa ishe profesioniste dhe njerëzore. Më ndihmoi shumë. Edhe sot e kësaj dite e respektoj dhe i jam shumë mirënjohëse,“, kujtohet Vellkovska. Prej asaj që e ka vërejtur tek të tjerët thekson se ballafaqimi me mungesën e financave dhe gjendjes psikike shumë i ka shtyrë të heqin dorë edhe t’u bie vullneti për të luftuar më tej.

Ne jemi më larg Shkupit dhe duhet të udhëtojmë me taksi. Na duhet shoqërues pasi në ato momente të vështira të mjekimit shkojmë me të qara dhe me të qara kthehemi. Na duhet dikush që do të na gjendet në ato momente. Shumë iu nënshtruan për shkak të varfërisë dhe mospasjes së mbështetjes pasi ne këtu kemi të ardhura shumë të dobëta. Unë kaq vite shkoj në terapi ndërsa edhe pse thonë se të prekurit nga kanceri nuk paguajnë as incizime, as mamografë unë asnjëherë nuk kam kaluar falas. Kur duhet ta bëj kontrollin mua i gjithë pensioni prej 8 mijë denarë më shkon për atë.“, thekson Vellkovska. Nuk e di nëse keni dëgjuar, shton ajo, viteve të fundit jemi shquar si qyteti i dytë në Maqedoni për numrin e të prekurve nga kanceri. Kur është operuar në gusht të vitit 2014 Vellkovska ka qenë e 63-ta e cila është diagnostifikuar me kancer vetëm nga Shën Nikolla, ndërsa deri në fund të vitit thotë me siguri numri është rritur dhe mbi njëqind persona të prekur.

Latest posts by Администратор (see all)