Data e sotme
March 21, 2019

NGA PO SHKON MAQEDONIA

Shkruan: Trifun Kostovski

 

Të nderuar lexues,

Secili që është i përkushtuar thellë ndaj vendit të tij, i cili nga thellësia e shpirtit dhe mendjes tenton që ta projektojë të ardhmen e shoqërisë e cila do të jetë emancipuese, solidare, demokratike dhe evropiane, gjithsesi se ka të drejtë të përkujdeset por edhe të artikulohet me kritikë konstruktive në observimet për atë që është dhe për atë që duhet të jetë. E tillë ishte edhe fryma e Kërste Petkov Misirkov, e tillë ishte edhe fryma e rilindësve, e tillë ishte fryma edhe e atyre të cilët e bënë këtë shtet pas Luftës së Dytë Botërore. E tillë duhet të jetë edhe fryma jonë – me përgjegjësi progresive lidhur me dinamikat shoqërore aktuale.

Maqedonia është gjithçka për mua. Kam pasur mundësi të jetoj në vendet e zhvilluara demokratike. Por, vendosa të kthehem këtu dhe t’i përkushtohem atdheut tim – Maqedonisë. Le të më falin përfaqësuesit e Qeverisë, por shtesën e re Veriore qëllimisht nuk dua ta përdor, sepse fjala e Veriut është vetëm një përcaktim gjeografik, dhe fundja ajo e drejtë i takon gjithsecilit në mënyrën e të menduarit dhe pranimit të gjërave, për shkak se të gjithë qytetarët e Maqedonisë dhe komuniteti botëror janë të vetëdijshëm se bëhet fjalë për një zgjidhje të imponuar, por edhe të pashmangshme.

Nuk dua të keqkuptohem, unë e mbështes Marrëveshjen e Prespës vetëm për një qëllim ndërsa ai është të mbijetojmë si shtet dhe popuj dhe ta krijojmë pastaj lirshëm të ardhmen tonë. Kaq prej meje për nocionin e Veriut.

Të nderuar lexues na pret hyrja në NATO dhe gjithsesi në horizont janë negociatat për hyrje në familjen evropiane. Dilemat më të mëdha të cilat paraqiten në mënyrën time të të menduarit janë se si do të arrijmë me sukses t’i përfundojmë negociatat me Bashkimin Evropian. Do të pyesni pse?

Ka kaluar koha kur anëtare e të ashtuquajturit Blloku lindor, të cilat iu bashkuan Bashkimit Evropian, hynë në familjen evropiane me minimumin e reformave të nevojshme, pa nevojën e një formësimi gjeostrategjik të unionit. As Lituania, Letonia dhe Estonia, e aq më pak Bullgaria dhe Rumania nuk i plotësojnë kushtet të cilat i kërkonte Bashkimi Evropian.

Tregimi këtu përfundoi dhe për ne këtu janë vendosur kritere të reja dhe më rigoroze për inkorporim në këtë familje. Shkaqet për këtë rigorozitet të evropianëve ndaj nesh për mua qëndrojnë në faktin se, në zgjerimin e shpejtë të Bashkimit Evropian u bënë lëshime të mëdha dhe nëse duam ta shohim realitetin e saj, dallimet nga shteti në shtet janë të mëdha mbi të gjitha bazat: ekonomike, sociale e veçanërisht lidhur me vlerat demokratike dhe qeverisjen e së drejtës.

Nuk dua të jem skeptik dhe të them se Maqedonia nuk do të ketë sukses në rrugën e saj, megjithatë, kjo rrugë do të jetë e mundimshme. Që ta ecim këtë rrugë na duhen njerëzit e duhur, në vendin e duhur. Por, për fat të keq, njerëz të tillë për momentin, në skenën politike aktuale nuk mund të shoh.

Për dy dekada jetojmë të robëruar në kontekstin partiako-sultanor, në të cilin partia është më e rëndësishme se shteti, ndërsa pjesëtarët e partive dhe aktivistët e tyre brenda natës, marrin funksione edhe atë shumë të përgjegjshme, për të cilat nuk janë në nivel t’u përgjigjen në mënyrë dinjitoze dhe me ekspertizë të lartë.

Një prej indeve më kancerogjene në shoqërinë tonë është politika e kuadrit e cila në dy dekadat e fundit po bëhet në Republikën e Maqedonisë.

Personat e armatosur me aftësi dhe njohuri janë të margjinalizuara dhe devalvojnë, vetëm me një qëllim, të mos shkilen interesat dhe lideri i partisë. Kjo, lexues të nderuar, nuk i ngjan demokracisë por konceptit autoritar të qeverisjes.

Na presin zgjedhjet presidenciale, me ndoshta dy kandidatë më seriozë për këtë funksion nga blloku maqedonas, të cilët dalin nga kasti i arsimit.

Nuk do të dëshiroja për momentin askujt t’i jepja përparësi ose të parashikoj – secili le të ketë hapësirë në periudhën që pason t’i argumentojë pozitat e veta ideologjike, politike, eksperte dhe njerëzore dhe cilësitë. Ndërsa ne do të vlerësojmë në fund.

Kushdo që të fitojë le të fitojë në mënyrë demokratike, megjithatë duhet të jetë i vetëdijshëm se funksioni president i shtetit, duket si i parëndësishëm por për mua ky është funksion shumë i rëndësishëm. Presidenti është institucion i cili është përgjegjës për stabilitet dhe unitet në shtet.

Në mënyrën më të përgjegjshme e pyes Qeverinë aktuale të Maqedonisë, a ka ndërtuar ekip prej ekspertëve në të gjitha sferat për negociatat e ardhshme me Bashkimin Evropian?

Nga Qeveria pres virtyt që ta kapërcejë veten dhe egot e veta dhe ta angazhojë potencialin më të fuqishëm të resurseve njerëzore në sferat për të cilat do të negociojë me Bashkimin Evropian.

Nënkuptohet, dëshiroj të hyjmë në familjen evropiane, megjithatë dua të them se Evropa nuk do të hedh para në Maqedoni me sy të mbyllura për t’i rritur ekonominë, standardin dhe të gjitha segmentet e shoqërisë. Bashkimi Evropian do të insistojë të gjejë partnerin e vërtetë dhe bashkëbiseduesin me të cilin do të përcaktohen përfitimet e ndërsjella dhe do të ndërtohet platformë për zhvillimin e mundshëm më të shpejtë të Republikës së Maqedonisë.

Të nderuar, prishja e një sistemi i cili qeverisi 13 vite dhe ishte i mirëinfiltruar në të gjitha segmentet e shoqërisë është punë e rëndë.

Për këtë akt i falënderoj të gjithë të cilët ishin të kyçur brenda vendit por edhe ata të cilët ndihmuan prej bashkësisë ndërkombëtare për kontributin e rrëzimit të një regjimi autoritat dhe jodemokratik.

Tani shtrohet pyetja çfarë më tej? Qeveria aktuale e cila tashmë funksionon për dy vite, përveç që si rezultat e pati zgjidhjen e çështjes prej dy dekadave me fqinjin jugor, nuk pati rezultate të tjera me të cilat do ta bindë qytetarin se është duke krijuar narativ të rri shoqëror, në pajtim me vlerat demokratike progresive evropiane.

Më vjen keq që konstatoj se edhe kjo Qeveri e praktikon parimin e njëjtë sikurse edhe e kaluara – partia mi shtetin.

Apatia e qytetarëve është e dukshme nga kjo sjellje e partive politike në pushtet, gjë që rezulton në rritjen e emigrimit të popullsisë së re, në të cilët ne, duke përfshirë vetë prindërit, kemi investuar, kemi përgatitur ose pajisur me dije dhe aftësi dhe sot ne lejojmë veten të largohen nga shteti dhe të ndërtojmë siç thotë Kosta Racin “Oborre të huaja të bardha”. Edhe më keq është se ajo është një popullatë rigjeneruese që ka nevojë për ta vazhduar mbijetesën e shtetit.

Zonja dhe zotërinj, edhe pse përgjigjja e pyetjes NGA PO SHKON MAQEDONIA duket e qartë, sepse të gjithë e dimë se po shkon drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian, por përshtypja ime është se mbetet një horizont i panjohur dhe një horizont i mjegullt në të cilin lëviz shoqëria maqedonase nga brenda. Ndoshta ne do të arrijmë në NATO dhe Bashkimin Evropian, por kam frikë se do të humbasim nga brenda, duke mbetur të bllokuar në kulturën ku dominojnë interesat e vogla personale dhe partiake dhe jo të mirat dhe interesat e përbashkëta. Dhe kështu, nuk ndërtohet një shtet dhe një shoqëri e qëndrueshme dhe e emancipuar.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit

Администратор
Администратор

Latest posts by Администратор (see all)