Data e sotme
September 21, 2019

FARSË

Shkruan: Trifun Kostovski

 

Të nderuar lexues të mi,

Dëshiroj t’i ndaj ca mendime për atë që po ndodh rreth kandidaturave para zgjedhjeve presidenciale në prill. E konsideroj veten si pragmatik dhe racional dhe konsideroj se kohën duhet ta shfrytëzojmë maksimalisht për të krijuar vepra të reja si edhe për zhvillimin dhe formimin e vetes si personalitete.

Isha i shokuar nga fakti kur kuptova se dy kandidatët e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së edhe krahas asaj që ishin të nominuar prej partive të tyre dhe vetë faktit se me 30 prej deputetëve të tyre, kandidatura do t’ju fuqizohej, u dhanë pas grumbullimit të 10 mijë nënshkrimeve, thuajse po kandidohen sikur kandidatë të pavarur. Pyetem se për çfarë hipokrizie bëhet fjalë? Kush, kë po manipulon në këtë rast? Pse kanë nevojë për krijimin e pasqyrës së rrejshme? Vallë pak iluzionesh kemi, rrenash, mashtrimesh dhe manipulimesh të prodhuara nga skena politike në Maqedoni?

Meqë shoqërohem me miq të të dyja partive, dje u informova se partitë e kanë mobilizuar anëtarësinë e tyre maksimalisht për grumbullimin sa më të shpejtë të këtyre 10 mijë nënshkrimeve. E gjithë kjo pakuptimësi do të thosha është më shumë tragjikomike sesa komike. Në vend se partitë në pushtet dhe opozitë të angazhohen për çështje shumë më të rëndësishme dhe më prioritare për vendin, të njëjtat parti garojnë se cila prej tyre do t’i sigurojë këto dhjetë mijë vota absurde dhe të panevojshme për kandidatin e tyre.

Ky absurd sipas disa politikologëve është pjesë e zakonshme e fushatave populiste PR, por për mua është i prapambetur madje edhe i rrezikshëm. Tregon për nivelin e kulturës politike populiste, të rrejshme dhe manipuluese. Paramendoni, partitë e kanë mobilizuar anëtarësinë e vet duke mos mbajtur llogari për integritetin personal dhe obligimet me qëllim që të gjejnë kohë të nënshkruhen për kandidatin e tyre të cilin e mbështesin.

A thua do të rritemi ndonjëherë dhe do ta kuptojmë se kjo mënyrë e udhëheqjes së fushatës prej kohësh ka shkuar në histori? Partitë politike a e kanë kuptuar se me të vërtetë kemi nevojë për president i cili do të jetë president i të gjithë qytetarëve të Maqedonisë? Liderët politik a e kuptojnë se në këtë mënyrë e degradojnë institucionin president i shtetit? Me këtë mënyrë vallë nuk po e përsërisin gabimin nga e kaluara, me të cilin presidenti do të jetë legjitim vetëm për një pjesë të qytetarëve, ndërsa për pjesën tjetër do të kontestohet? Deri kur na duhet të mësojmë se presidenti do të jetë president i të gjithë qytetarëve dhe do të ketë trajtim të njëjtë ndaj të gjithë qytetarëve dhe subjekteve politike? Për fat të keq, këtë leksion e kemi kumbisur dhe do të vendosim president i cili duhet të jetë sipas qejfit të liderit të partisë. Me të gjithë fuqinë e mendjes sime, mundohem t’i arsyetoj këto hapa të partive politike por për fat të keq nuk mund ta bëj.

Dëshirojmë të ndërtojmë shoqëri demokratike, dëshirojmë të jemi anëtare e NATO-s dhe BE-së? Jam i bindur se shumica e qytetarëve e dëshirojnë këtë, megjithatë mënyra në të cilën sillemi ne, kur është në pyetje e ardhmja jonë, zhvillimi i demokracisë, prosperiteti kolektiv dhe personal, gjithsesi kjo nuk është rruga nëpër të cilën duhet të ecim.

Do të doja të gaboj me konstatimet e mia, megjithatë nuk kam kurrfarë arsyesh të besoj se nga muaji maj në kolltukun presidencial të Republikës së Maqedonisë do të ulet një njeri të cilin e ka zgjedhur partia dhe i cili do të shërbejë fillimisht në zgjidhjen e problemeve partiake.

Kjo aspak nuk është demokraci. Ky është promovim i partive autoritare, të cilat vihen mbi shtetin dhe interesat shtetërore. Ne, është më se e sigurt se e shndërruam shtetin në treg të lirë, kaos dhe farsë. Hapësirë  në të cilën nuk ndërtohen politika emancipuese dhe të larta progresive por plehërishte në të cilën praktikohet motoja e lirë tregtare: BLI DITË – SHIT DITË. Për fat të keq, në këtë vend asgjë nuk ndryshon. Po jetojmë të robëruar në status kuo-në e përjetshme në të cilën shumë pak  persona përfitojnë.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit