Data e sotme
November 12, 2019

NGA PRESIDENCIALET KANË FRIKË TË GJITHË

Fiaskoja e këtyre zgjedhjeve presidenciale nuk do të jetë fitore për qytetarët. Por do të jetë dështim i rëndë për politikanët dhe për politikat e tyre

Shkruan: Zoran Ivanov

Për askënd nuk do të jetë e lehtë në zgjedhjet presidenciale të prillit. Për arsye se suksesi i tyre është mjaft i pasigurt. Kësaj radhe partitë politike përmes kandidatëve të tyre, do të përplasen jo aq midis tyre sa drejtpërdrejt me disponimin e qytetarëve. Asnjëherë më parë trupi i gjerë votues nuk ka qenë aq inert. Asnjëherë kaq i deprimuar, i pamotivuar dhe i papërgatitur t’i përgjigjet thirrjes së politikanëve. Fushata akoma nuk ka filluar dhe është herët për vlerësime më të sakta. Por duke gjykuar për nga dalja në referendumin e vitit të kaluar, pavarësisht fushatës negative të atëhershme, qytetarët gjithnjë e më rëndë ngrihen të jenë në shërbim të partive politike gjithnjë e më joautoritare.  Ndonëse, sikurse tani, është folur për zgjedhjen e personit të parë politik në shtet.

Elektorati kësaj radhe nuk po shfaq interesim të theksuar që në mënyrë aktive të marrë pjesë në këto zgjedhje presidenciale. Për këtë arsye epilogu në raport me censusin është mjaft i rrezikshëm. Rrethanat postreferendumit, Marrëveshja jopopullore e Prespës, goditjet me ndryshimin e Kushtetutës, reformat e zvarritura, drejtësia jo e barabartë, privilegjet e elitave partiake, e gjithë kjo e bën të veten. Për dallim prej referendumit, askush nuk ka paralajmëruar bojkotim. Nga kjo anë, nga ky lloj presioni, veçanërisht në rrethin e parë, do jenë të liruar votuesit partiak. Kësaj radhe qytetarët vetë do të vendosin sa do të jenë energjik në numër të mjaftueshëm që të paraqiten në vendvotime. A do të arrijnë edhe fushatat partiake t’i bindin për këtë, do të dihet në ditën e zgjedhjeve. Për këto arsye, për shkak të barazisë qytetare evidente, partitë politike si promotorë por edhe si pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në këto zgjedhje, pavarësisht dëshirës dhe entuziazmit të kandidatëve presidencial, druajnë për suksesin. Janë të brengosur, para së gjithash, për shkak të lëkurës së tyre politike. Asnjë prej tyre deri më tani nuk tregoi siguri se qytetarët i besojnë mjaftueshëm që masivisht t’i dëgjojnë ftesat e tyre të dalin në votim.

Tani për tani, për shembull, BDI hesht akoma. Manifeston inerci të plotë lidhur me këto zgjedhje. LSDM tentoi të dërgojë mesazh të fuqishëm me mbledhjen eksprese për dy ditë të tridhjetë mijë nënshkrimeve për kandidatin e saj. Paraprakisht, me pesëmbëdhjetë mijë në një ditë, të njëjtën e bëri edhe VMRO-DPMNE. Edhe të parët edhe të dytë në mënyrë iniciale e treguan fuqinë e tyre partiake por kjo megjithatë kryesisht vetëm pastron vota partiake të siguruara me direktivë. Ky efekt propagandues nuk është i mjaftueshëm në mënyrë plotësuese t’i motivojë qytetarët të dalin në zgjedhje në numër të madh prej dyzetë për qind.

Shpërngulja e familjeve të tëra pas një jete më të mirë që po arrin përmasa epidemike është problem shtesë i cili në këto zgjedhje presidenciale drejtpërdrejt do të godasë ndaj censusit. Njerëzit me vite shkonin në votime të ndryshme, vendosnin dhe rrëzonin pushtete me shpresë për një të nesërme më të mirë. E njëjta gjë për pothuajse tre dekada. Nga zgjedhjet në zgjedhje, nga të rregullta në të jashtëzakonshme. Prej euforive përmes shpresave deri në dëshpërim. Tani, përshtypja është, se motivimi për këtë obligim demokratik të padetyrueshëm sikur po ulet në pikën më të ulët joefektive dhe kështu partitë janë duke u ballafaquar me elektoratin më indiferent ndonjëherë.

Apatia është disponim votues dominues dhe këtë e dinë dhe prej kësaj druajnë subjektet politike. Veçanërisht ato më të fuqishmet dhe më me ndikim LSDM dhe VMRO-DPMNE. Këto dy, secila nga aspekti i saj, kanë arsye të mira për t’u brengosur për suksesin e zgjedhjeve presidenciale. Nga BDI nuk guxuan që të dalin me kandidatin e tyre. Autoriteti i Ahmetit është venitur dhe për këto arsye Sela dhe Kasami me të shpejtë e refuzuan propozimin e tij për kandidat të përbashkët presidencial. Pjesëmarrësit më të vegjël në këtë garë janë më të relaksuar. Në këtë cikël ata nuk kanë se çfarë të humbasin shumë. Përkundrazi, atmosfera parazgjedhore po shkon në dobi të tyre. Për Aleancën dhe për Besën çdo rezultat zgjedhor, çdo votë në llogari të tyre, do të jetë e dobishme.

Këtyre ditëve, në pajtim me dinamikën ligjore, komisioni zgjedhor e mbylli procesin për kandidaturë. Përkundër vullnetit dhe ambicies së edhe disa kandidatëve partiak me ndikim, LSDM përsëri e zgjodhi Stevo Pendarovskin. Tek qytetarët edhe pas pesë vitesh ai ka rejting më të larë se cilido prej aspirantëve të tjerë partiakë. Por me zgjedhjen LSDM konfirmoi se nuk kultivon politikë të brendshme prosperuese të kuadrit. Partia nuk ka arritur që prej radhëve të saj të nxjerrë kandidat autentik, por edhe kredibil dhe autoritar. Nënkuptohet, me përjashtimin e liderit dhe kryeministrit aktual Zoran Zaev i cili në këto rrethana, duke gjykuar edhe sipas rezultateve prej disa anketave të opinionit publik, me siguri do të ishte fituesi i padiskutueshëm në këto zgjedhje presidenciale.

Njëjtë edhe tek VMRO-DPMNE. Pas shpresave të tradhtuara dhe krimeve të shumta për të cilat dëgjoi opinioni edhe prej bisedave telefonike të përgjuara, partia jo vetëm se e humbi pushtetin, por mbeti edhe pa besimin tek votuesit neutral. Udhëheqësia e re vetëm për marketing zhurmëronte për zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. Në esencë e di se pas qeverisjes kriminele me dekada është shumë herët të paraqitet para qytetarëve për zgjedhje. Për këto arsye iki drejt kandidatit jopartiak dhe në zgjedhje të dalë me Gordana Siljanovskën e huazuar. Presidencialet janë mundësi për të kontrolluar rejtingun partiak ndërsa për kryetarin Hristian Mickovski ato janë thikë me dy presa. Nëse, siç paralajmëroi vetë, në llogari të kandidates së tij nuk i nxjerr të paktën gjysmë milion vota dhe nëse edhe këto zgjedhje kanë sukses, ndërsa ai i humb, atëherë do të ballafaqohet me ndarje të mëtejme partiake dhe me provokime të brendshme partiake për kongres për ndërrimin e tij.

Edhe për BDI-në këto zgjedhje janë mjaft të rrezikshme. Në zgjedhjet e fundit parlamentare kjo parti me pothuajse pjesëmarrje njëzetvjeçare në koalicionet në pushtet, e humbi gjysmën e deputetëve dhe gjysmën e besimit tek votuesit e vet të besueshëm me dekada. Tek partneri aktual i koalicionit gjeti mbështetjen që të mos vrapojë vetë dhe ta mbulojë me shpejtësi rejtingun partiak dhe rejtingun prej lideri të Ahmetit, të cilat sa vijnë e bien. Që këtu parë me pragmatizëm, epilogu i suksesshëm zgjedhor për ta do të thoshte mossukses shtesë. Mosrealizimi i cenzusit zgjedhor, dështimi në presidencialet do t’ia rimarë pushtetin BDI-së. Nëse ajo nuk është aq e fuqishme në terren, akoma është në parlament. Aty me dhjetë votat e veta është akoma e pashmangshme në proceset për tejkalimin e krizës që eventualisht do të krijohej me moszgjedhjen e presidentit të shtetit.

Parë nga ky rekurs, del se në këto zgjedhje subjektet e vetme partiake të cilat nuk kanë nga se druajnë dhe çfarë të humbasin janë vetëm Ziadin Sela dhe Bilall Kasami me partitë e tyre Aleanca për Shqiptarët dhe Besa. Me kandidatin e tyre të përbashkët dhe njëherësh jopartiak Blerim Reka, të paktën do ta testojnë disponimin e votuesve shqiptarë në raport me konkurrentin e tyre partiak Ali Ahmeti dhe BDI-në e tij.

Përgjithësisht, nga aspekti i daljes, nga aspekti i suksesit të tyre, zgjedhjet e radhës do të jenë me epilog mjaft të pasigurt. Nëse për këtë arsye ata dështojnë për gjysmë viti, në pajtim me Kushtetutën, alternativa duhet kërkuar në zgjedhje të sërishme. Nënkuptohet, është herët për elaborime të tilla. Por edhe një variant i tillë do të ishte i paperspektivë. Pjesëmarrësit në këto zgjedhje për herë të dytë një pas një do të ballafaqoheshin me trupin votues indiferent. Në rrethana të tilla, tani për tani të supozuara, më e logjikshme do të ishte që të hapet procesi për rregullim të ri kushtetuesi cili do të mundësonte që zgjedhja e shefit të shtetit përmes shtabeve partiake t’u lihet deputetëve në Kuvend.

Deri në zgjedhjet e prillit partitë do të marrin frymë me verza. Nëse ndodh dhe dështojnë, për to do të jetë mjaft situatë e pakëndshme. Veçanërisht për LSDM-në dhe VMRO-DPMNE-në. Akoma më e pakëndshme situata do të jetë për liderët e tyre.

Fiaskoja e këtyre zgjedhjeve presidenciale nuk do të jetë fitore për qytetarët. Por do të jetë dështim i rëndë për politikanët dhe për politikat e tyre.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit