Data e sotme
April 24, 2019

SKENARI I MAQEDONISË NË SERBI?

Shkruan: Aleksandar Krzhallovski

 

Derisa tek ne akoma nuk ka filluar fushata presidenciale, ndërsa në Britani është e pasigurt nëse Brekzit do të ndodhë me të vërtetë për dhjetë ditë (tema për të cilat kam shkruar në kolumnat e mija paraprake), javën e kaluar botën e shqetësoi edhe masakra në Zelandën e Re ndërsa në rajon lajmi kryesor ishin protestat në Serbi.

 

Për të parën çfarë të thuhet më tej përpos se shok dhe pabesi se ekzistojnë njerëz të cilët mund të bëjnë një krim të tillë dhe t’ia marrin jetën edhe 50 njerëzve të tjerë. Pas çdo rasti të tillë, sërish shtrohet pyetja – nëse do të ndalojë ndonjëherë dhe a ekziston ndonjë mënyrë që të parandalohet kjo e keqe.

Gjithashtu e ripërtëriu edhe çështjen për krimin dhe dënimin. Në Zelandë të Re nuk ka dënim me vdekje (është hequr në vitin 1998) dhe nuk ka dyshim se krimineli do ta marrë dënimin vijues maksimal – burgim të përjetshëm. Edhe pse dënimi me vdekje në pothuajse gjithë botën konsiderohet si përfitim civilizues (142 vende e kanë hequr), në raste të tilla njeriu pyetet nëse dikush i cili i ka vrarë 50 njerëz të tjerë meriton të jetojë ose duhet ta ketë fatin e njëjtë të cilin ai ua ka caktuar atyre 50 njerëzve? Dhe a ka të drejtë për shembull SHBA-ja e cila akoma nuk e ka hequr (krahas për shembull Kinës, Iranit, Irakut dhe Arabisë Saudite në të cilat kryhen mbi 85% e ekzekutimeve në vit)? Nga ana tjetër edhe atje kanosja prej dënimit me vdekje nuk është e mjaftueshme për t’i parandaluar të shtënat masive (kryesisht në shkolla) dhe vrasjet më pas, të cilat për shembull vitin e kaluar kanë qenë pothuajse 15,000 me dyfish më shumë lëndime, në mesin e të cilëve edhe mbi 3.000 fëmijë!

Dhe kur jemi tek krimet dhe dënimet, disa krahasime edhe me rastet më të mëdha tek ne… për të menduar:

– në rastin Lagjja e trimave, ku u vranë 8 policë si edhe 10 apo sipas disa burimeve 14, prej grupit të armatosur, u gjykuan gjithsej 37 persona, prej të cilëve 7 u dënuan me burgim të përjetshëm, 13 me 40 vite, ndërsa 13 të tjerët midis 12 dhe 20 vjet burgim (ndërsa 4 u liruan), gjegjësisht krahas burgimeve të përjetshme, gjatësia mesatare e dënimit me burg është 28 vjet;

– në rastin Monstra (vrasja e 4 të rinjve dhe 1 të rrituri në Liqenin e Smillkovës) pati aktgjykim për 6 persona (prej 7 të dënuarve) – të gjithë me burgim të përjetshëm, por më pas ai u shfuqizua dhe u rikthye në gjykim të sërishëm i cili zgjat akoma;

– në konfliktin e vitit 2001 (janë vrarë 75 pjesëtarë të forcave të sigurisë së Maqedonisë – ARM dhe MPB dhe 85 pjesëtarë të UÇK-së ose sipas burimeve të ndryshme gjithsej midis 700-800 persona përfshirë edhe civilë si edhe gjithsej 30 persona të zhdukur), pati edhe amnisti të përgjithshme, madje edhe 88 personat në paraburgim u liruan disa muaj pas konfliktit. Dhe për 4 prej 5 rasteve të Hagës u shpall amnistia në vitin 2008 dhe kështu me dënim me burg (10 vjet) përfundoi vetëm një person;

Përfundimisht, krahasimin e bëra për arsye se javën e kaluar u shqiptua edhe aktgjykimi për sulmin në Kuvend më 27 prill (sipas aktakuzës – rrezikim terrorist të rendit kushtetues… me elemente të tentimit për vrasjen e deputetëve, por edhe pa viktima në kuptim të personave të vdekur), me të cilin prej 33 të akuzuarve fillestarë, pas amnistisë për 15 persona në janar, të premten u dënuan 16 prej tyre me gjithsej 211 vjet burgim (një i liruar, ndërsa një është duke u gjykuar akoma) ose mesatarisht 12 vjet burgim për një të akuzuar.

Nuk do të komentoja nëse aktgjykimet janë të drejta dhe as për dënimet, e aq më pak për amnistitë (në rastin e fundit por edhe në rastet paraprake), por vlerësoj se ky krahasim (si edhe të tjera) meritojnë debat profesional si edhe komente të lexuesve/qytetarëve, veçanërisht nga ithtarët e sloganit “pa drejtësi nuk ka qetësi” – edhe për rastin e fundit por edhe për rastet e tjera të theksuara!

 

Le t’i kthehemi pak rajonit dhe të shohim nëse janë të krahasueshme situatat me atë që ndodhi në Maqedoni viteve të fundit. Edhe pse protesta të opozitës ka edhe në Shqipëri dhe Mal të Zi, vëmendjen më të madhe e tërheqin ngjarjet në Serbi e veçanërisht në Beograd, për shkak të ngjashmërisë së lëvizjes e cila tani quhet “1 prej 5 milionëve” me Plenumin studentor (më pas edhe të profesorëve) tek ne, ndërsa filloi që para tre muajsh si protestë qytetare kundër qeverisjes autokrate të presidentit Aleksandër Vuçiq – ose siç do të thoshin atje (ndërsa thonin edhe tek ne): kundër regjimit. Edhe pse shumica e komentuesve atje e hodhën poshtë “skenarin e Maqedonisë”, edhe vetë përshkrimi më lartë i jep ca ngjashmëri – lëvizjen qytetare në fillim, të cilës më vonë i bashkohet opozita; protesta të përkohshme të cilat ngadalë shndërrohen në të rregullta (ndërsa për pritjen edhe se së shpejti do të bëhen edhe të vazhdueshme – sikurse “kampi dymujor para Qeverisë” tek ne); motive të ngjashme për protestat (qeverisje autokrate dhe absolute, liri e rrezikuar e medieve, partizimi i institucioneve dhe me atë rrënimi i shtetit ligjor), ndërsa gjithnjë e më i dukshëm është edhe polarizimi i shoqërisë së atjeshme.

Numërimet tashmë ndodhin edhe me vetë emrin e fushatës, ndërsa për secilën prej protestave deri më tani, spekulohej edhe prej organizatorëve edhe prej autoriteteve për numrin real të protestuesve në rrugë ( si të “ngjarjeve famoze të popullit” tek ne me mitingjet në vitin 2015, të LSDM-së më 17 ndërsa të VMRO-DPMNE-së më 18 maj), me shfaqjen e kuadrove me shumë apo pak protestues, varësisht asaj se për cilat media bëhet fjalë, ndërsa së shpejti do të fillojnë edhe “rrumbullakësimet” në fotografitë e disa prej pjesëmarrësve në protesta.

Gjatë kësaj fundjave ndodhi edhe “hyrja e parë me forcë” në disa prej objekteve të cilat e simbolizojnë “regjimin” e Vuçiqit, ndërsa në këtë rast ishte ndërtesa e RTS (Radio Televizionit të Serbisë). Dhe këtu fillojnë dallimet e para më serioze në përshkrimin e ngjarjeve (përveç kalkulimeve me numra), në pyetjen nëse ka pasur dhunë dhe kush e ka bërë. Derisa pushteti akuzon për hyrje të dhunshme në RTS (dhe e thekson rastin e futjes së sharrës motorike (?!?) në objekt) dhe veprimit të qetë të policisë për mbrojtjen e objektit, të tjerët akuzojnë për rrahjen e policisë, që dje u shoqërua edhe me kumtesë të disa organizatave qytetare me ndikim për përdorimin e madh të forcës (çdo ngjashmëri me protestën e qetë para Qeverisë s RM-së në qershor 2015, në të cilën u lënduan 38 policë është… rastësore).

 

Shumë ngjashmëri që të shtyjnë të mendosh nëse punët në Serbi megjithatë zhvillohen në mënyrë të ngjashme (ja të mos e quaj “skenar”) dhe nëse pason fazë e zgjidhjes. Mua më duke mjaft situatë e ngjashme, vetëm jam duke menduar nëse janë në fazën e para vitit 2011 (kur dominimi i VMRO-DPMNE-së në zgjedhje, filloi të eskalojë në tendenca autokrate dhe korruptuese); ose mu në vitin 2011, kur u shua televizioni A1 (disi e prisja gjatë kësaj fundjave Vuçiq të dalë pa paralajmërim drejtpërdrejt në ndonjë prej televizioneve neutrale ose kritikuese, siç u paraqit një herë Gruevski në lajmet e televizionit A1para Qeverisë); ose janë në fazën e Plenumeve/Protestoj?Revolucioni i Larmë?
Ndoshta edhe kanë të drejtë ata që thonë se nuk ka ngjashmëri? Edhe se opozita e atjeshme është rezidente, e dobët dhe e paaftë të kryesojë ose të bëjë çfarëdo ndryshimi ose sfide reale ndaj SNS të Vuçiqit (të përkujtohemi vetëm se çfarë kualifikimesh jepeshin për LSDM-në aso kohe)! Ose se personazhet e opozitës (Gjilas, Jeremiq dhe të tjerë) janë politikanë të harxhuar të cilët kanë pasur mundësi ta udhëheqin shtetin dhe nuk janë dëshmuar si të suksesshme (ndërsa çfarë ishin tregimet tek ne, deri tek ardhja e Zaevit në krye të LSDM-së?).

Dhe në fund, pak të pyetem: çfarë mendoni ju për ngjashmëritë? Ose akoma më shumë: çfarë parashikoni se do të ndodhë në Serbi?

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit