Data e sotme
July 23, 2019

Matka për Shkupin apo Shkupi për Matkën

Shkruan: Trifun Kostovski

 

Do të dëshiroja sot të flas për gjërat të cilat paraqesin pasuri të madhe kulturore të krijuara nga natyra ndërsa artikuluar nga njeriu. Njeriut i është dhënë t’i ruaj apo rregullojë vlerat e lashta. Për fat të keq, ne jemi dëshmitarë në vendin tonë për pakujdesi gjithnjë e më të madhe për trashëgiminë natyrore dhe kulturore, ndërsa për këtë përgjegjësi ka secila garniturë e pushtetit, por edhe secili prej nesh individualisht.

Në të gjithë rajonin e Shkupit dhe rrethinës, rrëzë Karadakut të Shkupit dhe veçanërisht në rajonin e Matkës ekzistojnë gjurmë dhe mbetje të cilat janë të lashta dhe të cilat në veçanti e promovojnë krishterimin. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm dhe të jemi të përgjegjshëm ndaj asaj se jemi ndër djepat kryesor të krishterimit.

Në një rast tjetër do të shkruaj për manastiret dhe kishat rrëzë Karadakut të Shkupit ndërsa sot dëshiroj të fokusohem në kanjonin e Matkës.

Jam i lindur në Shkup në IRFJ. Zhegun veror gjatë fëmijërisë e kalonim duke u larë në lumin Treska, duke u kënaqur në pamjen pranë shkëmbinjve grandioz të cilat burojnë nga vetë shtrati i lumit. Si fëmijë e dinim se aty diku, lartë është një digë e cila prodhon energji hidroelektrike për nevojat e Shkupit dhe rrethinës. Për hir të së vërtetës më duhet ta pranoj se në shkollë mësonim më shumë për bukuritë e Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjë e Hercegovinës dhe Malit të Zi dhe shumë pak për pasurinë tonë unike. Në programet e nxënësve të shkollave të mesme prej të gjitha republikave Jugosllave u projektua vizita në Grykën Postojna ku mësuam së pari për ekzistencën e stalaktiteve dhe stalagniteve, që datojnë nga kohët e lashta.

E pranoj se kureshtja në atë moshë nuk ishte veti e imja. Për Kanjonin e Matkës e dinim vetëm se është i shkëlqyer dhe unik për nga flora dhe fauna dhe se deri më sot kanë mbijetuar dhjetëra manastire të vegjël. Gabimi është i imi – duhej të bëhem Kryetar i Shkupit që ta kuptoj rëndësinë e vërtetë të Kanjonit të Matkës.

I vetmi në Evropë për nga flora dhe fauna e tij, me dy sheplla mbitokësore, të cilat pothuajse janë pasqyrë e shpellës Postojna në Slloveni, e cila u trajtua si trashëgimi botërore. Çfarë pakuptimësie është kjo – kemi një pasuri të këtillë vetëm 15 kilometra larg nesh dhe e injorojmë.  Të njëjtat stalaktite dhe stalagnite, prej të cilave impresionohemi në Slloveni, i kemi në gjendje burimore dhe brilante mu në shpellat e kanjonit të Matkës. Gjithashtu ka edhe shpellë të madhe nënujore e cila akoma nuk është studiuar edhe krahas angazhimit të shumë polumbarëve.

Bukuria e Matkës të lë pa frymë. Nga cilado anë ta shikoni është e mahnitshme. Dhe nuk është aspak rastësore se krishterimi i hershëm (shekulli 5,6,7 të e.s.)është përhapur pikërisht rreth Matkës, pikërisht në këtë vend, duke kërkuar vatrën e vet, portin e vet. Sot janë aktive 11 manastire në kanjon dhe rreth kanjonit të Matkës. Ndërsa të dhënat e marra nga KOM – Dioqeza e Ohrit flasin se ka themele të edhe gjashtëdhjetë manastireve të rënuara.

Duke e kuptuar faktin se çfarë paraqet Matka jo vetëm për Shkupin por edhe për Maqedoninë dhe rajonin, erdha në konstatimin se është pasuri e pashtershme të cilën na e ka dhuruar natyra dhe e cila në sinergji me njeriun ka krijuar kontekst kulturor të papërsëritshëm. Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm të njëjtën ta ruajmë në formën e saj burimore ndërsa kjo bukuri të jetë e qasshme për çdo qytetar të Republikës së Maqedonisë dhe për çdo adhurues që t’i hulumtojë pasuritë e Krishterimit të hershëm.

Ideja ime si kryetar i Shkupit ishte se Matka duhet të vihet nën mbrojtje të plotë shtetërore, se duhet të ristaurohen të gjitha manastiret. Se KOM duhet të edukojë kuadro, udhëheqës të cilët çdo njeriu të interesuar do t’i ndihmonin ta njohë jetën dhe vlerën e këtij krishterimi të hershëm. Ndërsa në vetë Kanjonin e Matkës lidhje infrastrukturore ku do të drejtohen automjete me akumulatorë me bateri ose mjete lundruese të cilat aspak nuk e ndotin mjedisin.
Ideja ime shkoi deri aty duke pasur vështirësi për të hyrë në Kanionin e Matkës dhe numrin e kufizuar të njerëzve që mund ta vizitonin ishte në kreshtën e Vodnos drejt Matkës të ndërtohet një teleferik me tre deri katër ndalesa, me çka do të lehtësohej për shkupjanët të largohen nga nxehtësia e papërballueshme e verës në qytet dhe do të shijonin panoramën e mrekullueshme, duke e parë përpara tërë Fushën e Shkupit dhe zonën përreth. Sipas ideve të mia, teleferiku duhej të përfundonte në Kanionin e Matkës në dy anët e tij. Dhe aty, do të ishte e nevojshme të krijohen platforma për instalimin e ashensorëve të shpejtë që do të mundësonin qasje për çdo të dashuruar në kulturën, spiritualitetin dhe natyrën, dhe veçanërisht për njerëzit me aftësi të kufizuara fizike. Pastaj, ideja ime ishte vetë liqeni i Matkës të bëhet një lloj Venecie e vogël, me anije të përshtatshme për vendin tonë. Natyrisht, në rrethinën e kanionit duhet të lejohet ndërtimi i objekteve të hotelerisë që duhet të jenë teje të kontrolluara, të cilat nuk do të lejonin me funksionimin e tyre ta prishnin kontekstin natyror të florës dhe faunës ekzistuese.

Ju bind se me planifikimin e tillë të Kanjonit të Matkës, Shkupi pati mundësi të jetë i njohur në Botë. Ky është vendi i vetëm në botë i krishterimit, ku janë ndërtuar kaq shumë manastire dhe kisha jashtë Malit të Shenjtë.

Gjatë largimit tim nga funksioni kryetar i Shkupit, lash një Libër të bardhë për atë se çfarë është punuar gjatë mandatit tim dhe si janë shepnzuar paratë e qytetarëve. Njëherësh, tentova t’i rekomandoj kryetarit të ri ta shqyrtojë këtë ide. Por për fat të keq Libri i bardhë menjëherë “u hodh në plehërishte” pas ardhjes së tij ndërsa ai nuk pati interesim për përmbajtjen e tij dhe për të gjitha hulumtimet dhe rekomandimet.

Shpresoj se ky vizion i imi një ditë do të jetë realitet pasi objektivisht Shkupi dhe rajoni në Shkup nuk ka çfarë tjetër t’u ofrojë qytetarëve të vet por edhe të huajve të cilët janë të dhënë pas komunikimit me vlerat e vërteta.

E shfrytëzoj këtë rast t’i them kryetarit aktual të Shkupit, zotit Shilegov që ta marrë parasysh këtë ide.

Njëherësh dëshiroj ta përsëris se është e domosdoshme të fillojë realizimi i komunikacionit me tramvaj, i cili gjithashtu ka lidhshmëri me ekologjinë dhe marrjen e vlerës së re socio-kulturore.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit