Data e sotme
July 22, 2019
Foto: Print-skrin nga emisioni 360 në AlsatM

Hendek i pakapërcyeshëm midis maqedonasve?

Shkruan: Denko Maleski

 

Këtyre ditëve, një mik me vërejtjet e tija kritike për atë që e kam shkruar, ma prishi mëngjesin e të mos them edhe ditën. Më akuzoi për përhapjen e entuziazmit të rremë rreth fatit të shtetit me tekstin “Lirshëm thuaj Maqedoni”. Konstatimi prej argumentimit të tij është se, pas shpalljes së kombit të ri verioro-maqedonas (!?) ai pyetet nëse maqedonasit do të arrijnë ta tejkalojnë konfliktin e brendshëm etnik. Për fat të keq, mendimi i tij është se nuk do ta tejkalojnë. Thotë se është krijuar një hendek i pakalueshëm në indin maqedonas dhe se ai që sot e tutje do të vdesë çdo ditë e nga pak. Shpreson se nuk do ta përjetojë vdekjen definitive të tij. Do të thotë ai të vdes para se të vdesë kombi.

I brengosur pyesja veten se pse nuk mund ta shohë këtë rrezik nga vdekja e kombit tonë e që vjen nga Marrëveshja e Prespës? Kombi ynë, maqedonas dhe gjuha jonë maqedonase sipas Marrëveshjes së Prespës, do të promovohen në shoqërinë e aleancave të Botës perëndimore: NATO dhe BE. Ky afirmim ndërkombëtar sigurisht se është më i rëndësishmi në historinë e popullit tonë prej Luftës së Dytë Botërore e këndej.
Rrethanat në të cilat është krijuar kombi ynë dhe gjuha jonë, nga vitet kur gjenerata e baballarëve dhe gjyshërve tanë ka mbledhur fjalë nëpër fshatra që ta kodifikojnë gjuhën letrare maqedonase në vitin 1994, deri në njohjen ndërkombëtare të saj në vitet e gjashtëdhjeta kur është regjistruar në listën e gjuhëve evropiane, asnjëherë nuk kanë qenë të lehta, mirëpo kanë qenë heroike. Por, sot vallë janë rrethanat më të vështira për kombin? Dhe ku është entuziazmi me të cilin është krijuar ky komb dhe kjo gjuhë? Në cilin kolltuk fle?

Marrëveshja e Prespës, me të cilën ngrihet bllokada greke e afirmimit të gjuhës dhe kombit maqedonas është rreze veprimi të cilin e kuptojnë vetëm ata të cilët e dinë ish-politikën e Greqisë, të udhëhequr nga parimi „what they do you undo“, “atë që (maqedonasit) do ta bëjnë, zhbëjeni”. Veçanërisht në fushën diplomatike apo kulturore, ku udhëhiqej luftë kundër nesh. Tani, këtë periudhë të vështirë e tejkaluam. Asgjë më nuk na ndalon në rrugën tonë për ta pushtuar botën nëse duam. Me vepra kulturore, artistike apo shkencore, nënkuptohet. Por, bota nuk është fajtore që nuk mund ta pastrojmë shtëpinë tonë: që nuk jemi të unifikuar, që kemi demokraci, ekonomi, gjyqësi, arsim, shëndetësi, mendim politik të dobët dhe gjithçka tjetër. Dhe as nuk ka ilaç nga jashtë, pasi askush nuk mund të na shpëtojë nga vetja. Por, tani, si pjesë e aleancave perëndimore, e kemi mundësinë që ta korrigjojmë të gjithë atë. Pa këto aleanca, nuk kemi mundësi. Sikur të mundemi të bashkuar të ballafaqohemi me këto sfida evropiane, punët do të shkonin shumë shpejtë, por për fat të keq ne jemi shoqëri shumë e ndarë. Aq të ndarë sa pozita dhe opozita janë duke e bërë në vend atë që na e bënin grekët në planin ndërkombëtar: çfarëdo që bën njëri, tjetri e zhbën. Miku jurist është i brengosur nëse kombi ynë maqedonas (verioro-maqedonas) do ta tejkalojë konfliktin e brendshëm etnik. Cili është burimi i këtij konflikti, rreth cilës gjë debatojnë maqedonasit? Dhe cili është hendeku i pakapërcyeshëm i cili mund të çojë drejt vdekjes së kombit? Marrëveshja e Presës me të cilën na hapet rruga drejt anëtarësimit në NATO dhe BE? Jo. Përgjigjja është më e thjeshtë dhe është e regjistruar në të gjitha librat historik: lufta për pushtet. Marrëveshja e Prespës është vetëm preteksti i fundit i mirë që të vazhdojë dhe të intensifikohet lufta partiake e cila zgjat prej vitit 1991 dhe që e frenon progresin e shtetit. Lufta është gjendja e natyrshme njerëzore, për gjithçka tjetër duhet civilizim i cili kërkon angazhim që të ndryshojmë. Ne nuk kemi një sistem demokratik dhe as nuk duam ta ndërtojmë, pasi, ta përsëris një frazë të njohur, për tango nevojiten dy persona. Nuk dëshirojmë të ndërtojmë sistem i cili do të mundësojë ndryshimin e politikave me ndryshimin e pushtetit dhe kontrollin e çdo forme të qeverisjes me të tjerët. Po i ngjajmë një shteti të mesjetës në të cilin pas vdekjes së sundimtarit, është krijuar kaos dhe qërim hesapesh të fraksioneve të ndryshme politike në luftën për pushtet. Ky është vazhdim modern i asaj lufte në të cilën, kohëve të kaluara, babai ka vrarë të birin ndërsa vëllai vëllanë nuk e ka llogaritur si të tillë. Maqedonasit e sotëm, të paaftë për sjellje demokratike, për marrëveshje dhe kompromise, në mënyrë gjakatare zihen se kush do të qeveris dhe ky është ai “hendek i pakapërcyeshëm” i cili mund ta shkatërrojë shtetin dhe kombin. Politikanë të ngulshëm për pushtet.

Ky është ai “hendek i pakapërcyeshëm” dhe jo Marrëveshja e Prespës. Arsyetimi është se këto vendime sillen me konsensus, thotë opozita, presidenti i shtetit dhe kandidati i tyre presidencial. A ka dikush që nuk e di se vendimet e tilla sillen me konsensus? Po, vendimet e mëdha sillen me konsensus. Mirëpo, sillen! Nuk flitet vetëm se sillen me konsensus, siç bënin politikanë tanë për tridhjetë vite të tëra. Pasi, kur shtetit t’i skadojë afati si pasojë e rrethanave ndërkombëtare të ndryshuara, atëherë vendimet si Prespa, prej të cilave varet paqja rajonale dhe interesat e fuqive të mëdha, thjeshtë – sille, me konsensus ose pa konsensus me çdo çmim – me deputetë të blerë dhe të shitur dhe gjithçka tjetër që mund ta imagjinoni që mund të devijojë nga ideali i së drejtës dhe drejtësisë. Në skenë ndalojnë fuqia dhe interesi. Dhe ne akoma asgjë nuk kemi parë prej këtij arsenali me përmasa të frikshme në vendin tonë. Nuk ju pëlqen bota? As mua. Por, e tillë është bota në të cilën jetojmë dhe secili guxon të udhëheq shtet duhet ta dijë këtë.

Do të thotë, problemi kryesor është që partitë tona nuk arrijnë të prodhojnë zgjidhje përmes konsensusit. Kështu ishte në fillim të pavarësisë, gjatë pranimit në KB, kështu është edhe tani, gjatë hyrjes në NATO dhe BE. Një sjellje e tillë e papërgjegjshme në politikë, e cila shikon përmes prizmit të luftës për pushtet, mund ta vrasë të gjithë kombin. Në shtetin demokratik ku ka dialog, konsensus, ky rezultat i tillë fatal është i pamundur. Këtu fshihet rreziku i vërtetë për shtetin dhe popullin dhe jo në këtë apo në atë nen të Marrëveshjes së Prespës. Shikoni një rast ekstrem, që të bëhet më e qartë. Rasti me Sirinë. Atje, lufta për pushtet e mbyti edhe shtetin edhe kombin. Mendoni, Maqedonia është diçka tjetër. Mendoni edhe njëherë… Parimi është i njëjtë, vetëm pasojat janë ndryshe. Me këtë kulturë tonën politike, po të mos ishim në Evropë, po diku në Lindjen e Afërt, lehtazi mund ta imagjinoj Maqedoninë si Sirinë.

Ndërsa imagjinojeni tani një manifestim unifikimi si do ta mahniste Evropën: një milion maqedonas në mbështetjen e një kandidati të përbashkët presidencial, të bashkuar, duke i pranuar realitetet e reja të Marrëveshjes së Prespës me guxim, të vendosur nga vendi i tyre të bëjnë shtet më prosperues, të lirë dhe ligjor, të cilëve u bashkohen shqiptarët dhe bashkësitë e tjera etnike. Për këtë, partitë refuzojnë edhe të mendojnë: do të vriten edhe më tej për Prespën? Gënjeshtër. Prespa është vetëm pretekst për një betejë të pamëshirshme për pushtet dhe për medalje.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit