Data e sotme
April 24, 2019

SAGA E DREJTËSISË ME “VËSHTRIM” TË MJEGULLUAR

 

Shkruan: Bardhyl ZAIMI

Fati i Prokurorisë Speciale Publike është vendosur në tavolinën e bisedimeve politike. Propozim-ligji për Prokurorinë Publike që pritet të miratohet në parlament duket se do ta përcaktojë edhe modelin e përfshirjes së PSP-së në sistemin e drejtësisë në Maqedoni. Para do ditësh, pikërisht, për të harmonizuar qëndrimet politike mbi ligjin për prokurorinë ishin takuar lideri i LSDM-së, Zoran Zaev dhe ai i VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristian Mickovski. Ata kishin rënë dakord që të formoheshin grupe punuese nga të dy partitë për të konceptuar Propozim-ligjin për Prokurorinë Publike dhe bashkë me këtë edhe statusin e vazhdimit të PSP-së.
Ky takim gjithashtu ishte në funksion të miratimit të ligjeve reformuese, të cilat mbajnë shenjën e rekomandimeve të BE-së. Takim mes dy liderëve të partive më të mëdha në bllokun politik maqedonas nga partitë opozitare në bllokun politik shqiptar dhe nga një pjesë e opinionit ishte parë si i njëanshëm dhe ishte kritikuar për mospërfshirjen edhe të liderëve të partive shqiptare. Sidoqoftë, dukej se ky takim kishte dhënë shenjat e para për një bashkëpunim për çështje të rëndësieshme, në kohën kur acarimet politike pozitë-opozitë kishin mbërritur kulmin e akuzave. Takimi në opinion gjithashtu është komentuar edhe si një “pazar” politik me drejtësinë.
Pavarësisht optimizmit fillestar se ky dialog dhe bashkëpunim do të vazhdojë me harmonizim qëndrimesh, duket se ngjarjet e fundit po e dëshmojnë të kundërtën. Në Maqedoni asnjëherë nuk ka qenë e lëhtë të sigurohet bashkëveprim për çështje jetike, në këtë rast për një avancim të sistemit të drejtësisë, i cili që nga pavarësimi ka pësuar në vazhdimësi nga “goditjet” politike. Paralajmërimet për vazhdimin e bisedimeve për të konceptuar dhe precizuar Ligjin për Prokurorinë duket se kanë filluar të zbehen.
Përplasjet mes partive politike ndërlidhen me statusin e PSP-së në Propozim-ligjin për Prokurorinë Publike. Opozita ka kërkuar që PSP të përfshihet në kuadër të Prokurorisë për krime të rënda, ndërkohë që qeveria insiston që PSP-ja ta ruajë autonominë e vetë, për shkak se shumë lëndë që janë në procedim e sipër do ta humbnin kuptimin. Siç dihet tashmë, PSP-ja si organ i pavarur në sistemin e drejtësisë në Maqedoni u krijua pas krizës politike që erdhi si pasojë e përgjimeve, gjegjësisht të “bombave” për keqpërdorim të skajshëm të pushtetit nga ana e qeverisë së ish-kryemnistrit Nikolla Gruevski. Funksionimi i kësaj prokurorie speciale ishte miratuar në parlament me dy të tretat e votave dhe ishte mbështetur nga të gjitha partitë politike.
PSP-ja, brenda kohës ka pasur një rol aktiv në zbardhjen e shumë rasteve që dalin nga përgjimet dhe fillimisht kishte gëzuar një përkrahje gati plebishitare te të gjithë qytetarët. Me kalimin e kohës, sidomos, pas ligjit për amnesti për personat që ishin përfshirë në 27 prillin e përgjakshëm dhe disa momenteve tjera perceptimi pozitiv mbi drejtësinë dhe bashkë me këtë edhe mbi PSP-në kishte rënë dukshëm. Brenda kohës, nga opozita dhe një pjesë e opinionit edhe kjo prokurori ishte kritikuar për drejtësi selektive.
Sidoqoftë, PSP-ja mbetet një mekanizëm drejtësia i instaluar edhe me rekomandimet e bashkësisë ndërkombëtare dhe statusi i ekzistencës së saj mbetet tepër i rëndësishëm në gjithë tërësinë e sistemit të drejtësisë. Duket se nuk do të jetë e lehtë përfshirja e PSP-së në ligjin për prokurorinë me një status të pavarur dhe me një “injeksion” tjetër konceptual për pavarësinë e saj. Sistemi i drejtësisë në Maqedoni gjithnjë është përballur më presione politike, të cilat kanë ardhur varësisht se cila parti ka qenë në pushtet.
Gjatë tërë kohës është raportuar për mijëra lëndë të pluhurosura që mbeten në sirtarët dhe në korridoret e gjykatava. Shumë lëndë me vite nuk kanë marrë epilog, që me automatizëm vë në pykëpyetje gjithë bazën e të drejtave të njeriut. Gjithashtu është raportuar edhe për praninë e madhe të korrupsionit në sistemin e drejtësisë që ka pamundësuar vendosjen e një sistemi të drejtësisë efikase dhe të paanshëm. Janë këto anomali që janë shfaqur me vite dhe që nuk kanë gjetur një qasje dhe zgjidhje të qëndrueshme. Vendosja e një sistemi autonom të drejtësisë përcaktohet nga një sagë e një vështrimi të mjegulluar të drejtësisë që brenda kohës duhet të qartësohet edhe përmes Ligjit për Prokurorinë dhe ligjeve tjera që vijnë si rekomandime nga BE.
Përkundër optimizmit të shfaqur duket se kjo sagë me drejtësinë në Maqedoni do të vazhdojë me përplasje tjera. Maqedonia ndodhet përpara hapjes së negociatave me BE-në dhe përfaqësues të qeverisë kanë bërë të ditur se një ndër kushtet është edhe miratimi i këtij ligji. Koha nuk premton, ndërsa politika vazhdon me të njëjtin avaz përplasjesh. Ligji për Prokurorinë Publike dhe statusi i PSP-së kërkon dy të tretat e votave në parlament. Gjersa qeveria ka bërë të ditur se është në bisedime për të siguruar një konsensus të gjerë politik, brenda kohës lideri i VMRO-DPMNE-së, Mickovski është takuar me grupin parlamentar të deputetëve që u shkëputën nga partia e tij dhe që ishin etiketuar si “tradhëtar”.
Duket se taktizimet nuk kanë fund. Urgjenca për t’u miratuar ky ligj nuk i përjashton lojërat politike. Edhe pse u duk se do të ketë një marrëveshje për ta kaluar këtë ligj në parlament, përplasjet mes liderit të opozitës maqedonase, Hristian Mickovski dhe liderit të LSDM-së në pushtet, Zoran Zaev kanë vazhduar edhe në një debat televiziv. Pas deklarimit të liderit të opozitës se partia e tij ka dorëzuar 65 amandamente në Ministrinë e Drejtësisë për Ligjin për Prokurorinë, ka reaguar kryeministri Zaev, i cili ka thënë se ai nuk e thotë të vërtetën dhe se amandamentet nuk janë dorëzuar.
Duket se beteja për drejtësinë do të kalojë edhe nëpër sfida tjera të përplasjeve politike, ndërkohë që koncepti për një drejtësi të pavarur mbetet një imperativ që diktohet nga BE-ja. Pikërisht me sistemin e pavarur të drejtësisë ndërlidhen edhe gjithë vlerat dhe standardet tjera, të cilat do të hapen gjatë bisedimeve për anëtarësim në BE. Lufta kundër korrupsionit, sundimi i ligjit, transparenca e institucioneve, promovimi i vlerave të qëndrueshme demokratike nuk mund të mendohen pa një sistem drejtësie të reformuar dhe konform standardeve europiane.

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit