Data e sotme
June 17, 2019
Foto: Print-skrin nga emisioni 360 në AlsatM

Nga ky stan kjo hirrë del

Shkruan: Denko Maleski

 

Pse kemi problem me shtetin ligjor? Pasi e gjithë sjellja jonë prehet mbi diçka që është për 180 shkallë në kundërshtim me shtetin ligjor: kulturën e jondëshkueshmërisë. Derisa shteti ligjor thotë se për një shkelje të bërë pason dënim, kultura e jndëshkueshmërisë do të thotë liri prej pasojave. Ky konflikt i dy kulturave, të tonës dhe asaj të imponuar nga Perëndimi është baza e të gjitha mospajtimeve tona rreth çështjeve lidhur me qeverisjen e së drejtës, duke e përfshirë edhe statusin e PPS-së. Rrënjët e kësaj rezistence ndaj drejtësisë dhe dënimit janë të thella. Takimi im i parë me kulturën e jondëshkueshmërisë ishte në ditët e mia si asistent, kur për shkak të keqpërdorimit të funksionit të tij, në mënyrë të paautorizuar duke nënshkruar në emër të profesorit të tij, një kolegë asistent ishte vënë në rendin e ditës së tubimit të punonjësve, siç quhej takimi i të gjithë të punësuarve në Fakultetin Juridik në Shkup. Në vend se udhëheqësia e fakultetit ose dekanati ta zgjidh problemin, në pajtim me rregullat e punës, problemi ishte transferuar ndaj të gjithë të punësuarve. Pas fjalës hyrëse të dikujt të udhëheqësisë, filloi një diskutim i pafund në të cilin secili “kyçej në diskutimin e diskutuesit paraprak”, dikush dënonte butë, një tjetër e zbuste akoma më shumë. Më kujtohet se më i zëshmi në mbrojtjen e asistentit ishte korrieri dhe se debati përfundoi pa konstatim, ndërsa vepra pa u dënuar. Ndoshta vetëm me diçka që atëherë quhej “vetëkritikë”. Gjithçka tjetër ishte miqësore: Askujt nuk i interesonte të marrë pjesë në përcaktimin e së vërtetës e lëre më në ndëshkimin e kolegut të tij. Punë vërtetë e sikletshme. Ndoshta me të drejtë, pasi një gjë e tillë është në kompetencë të dekanit. Por edhe ai, si një pjesë e kulturës së përbashkët, nuk dëshironte t’i hapte punë vetes me askënd. Ndër vite e kuptova se kjo logjikë, kjo kulturë e jondëshkueshmërisë u bë mënyrë e jetesës tonë: dekanët nuk kanë intervenuar edhe kur ishte e qartë se disa individë e keqpërdorin pozitën e tyre në llogari të cilësisë së arsimit të të rinjve të cilët na janë besuar për t’i edukuar, për shembull, në pikëpamje të numrit të doktoratave, mosardhjes në takime, kodit etik, punësimin e fëmijëve të profesorëve apo edhe madje mosardhjes në punë. Në pajtim me klimën të cilën e krijuam bashkërisht, strategjia e tyre e qeverisjes ishte të mos hidhërohen me askënd. Kështu u krijua kultura e jondëshkueshmërisë aty ku punoja.

Problemi qëndron aty se ne nga universiteti, veçanërisht nga Fakulteti Juridik jemi elita e shoqërisë, ku, nëse merret parasysh shembulli i elitës aristokrate në Angli, djepi i demokracisë, krijohen rregullat e sjelljes në të cilat më vonë socializohen shtresat më të gjera të popullatës. Në Angli, shteti ligjor ka ekzistuar para demokracisë, e cila është krijuar përmes një procesi të ngadalshëm të përfshirjes së popullit me drejtimin e shtetit, përmes përhapjes së të drejtës zgjedhore.
Shtresa e fundit, gratë, për shembull, e fitojnë të drejtën e votës në vitin 1918. Ose roli i aristokracisë së privilegjuar, në Rusi, për shembull, që është ndalur në krye të ushtrisë së vet dhe i ka udhëhequr ushtarët e rëndomtë në sulm, duke e paguar çmimin e privilegjeve të veta në gjak. Elita të tilla janë intelektualët sot të cilët janë të privilegjuar me punë të garantuar të përjetshme, me një obligim të vetëm ndaj popullit të tyre: të punojnë fort në zbulimin e së vërtetës dhe ta thonë publikisht. Nuk ka kush tjetër ta bëjë këtë në një shoqëri në të cilën të gjithë luftojnë për të mbijetuar.

Prandaj, sjellja jonë e papërgjegjshme nuk mund të mos ketë pasoja jo vetëm ndaj cilësisë së juristëve të diplomuar, gjykatësve të ardhshëm por edhe më gjerë në shtet. Ne, asnjëherë nuk e ndërtuam disiplinën e nevojshme të bëhemi të rreptë ndaj vetes, të përcaktojmë se çfarë është e mirë dhe çfarë e keqe, çfarë është e drejtë dhe çfarë nuk është, çfarë është morale dhe çfarë imorale, çfarë është e lejueshme dhe çka e ndëshkueshme dhe e ndëshkueshmja të ndëshkohet. Asnjëherë nuk folëm edhe në temën se çfarë arsimi ofrojmë, çfarë është e keqe dhe çfarë është e mirë dhe se si të përmirësohet.
Ne asnjëherë nuk ishim në kërkim të së shkëlqyerës, armikun e të mirës dhe shumë të mirës. Pa këto kritere, pa këto qëllime, askush me askënd nuk deshi të ballafaqohet. Madje edhe ata të cilët donin, nuk iu lejua. Njëherë kur, para dhjetë vitesh, si drejtues i kursit, vendosa të përballem, nuk më lejuan. Kërkova njëri prej pjesëmarrësve në procesin arsimor të studimeve pasdiplomike për të drejtë ndërkombëtare dhe politikë, të dënohet ose të largohet për sjelljen e tij dhe këtë ua bëra me dije edhe kolegëve të tjerë profesorë duke kërkuar mbështetje. Por nuk e mora atë.

Këto gjëra në dukje duken të imëta, por, prej tyre lindë e gjithë kultura e sjelljes. Tentimi madje edhe pak njeriu t’i respektojë parimet e shtetit ligjor në një mjedis ku dominon kultura e jondëshkueshmërisë, e bëjnë njeriun shumë të vetmuar. Por, nëse e pasqyrojmë këtë gjendje në institucionet shtetërore, nëse edhe atje ka mbizotëruar dhe mbizotëron kultura e jondëshkueshmërisë, është vrasje për shtetin ligjor. Sjellja jonë ka ndikim ndaj cilësisë së gjykatësve dhe avokatëve të ardhshëm të diplomuar të cilët në dyzet vitet e ardhshme do të “rrezatojnë” me atë që e kanë mësuar. Por kultura e njëjtë e jondëshkueshmërisë midis gjykatësve, prokurorëve dhe avokatëve menjëherë i jep rezultatet në vetë gjykimet. Kultura jonë e jondëshkueshmërisë e kuptuar si “secili le ta sheh punën e tij”, “askush me askënd të mos përballet” ose se “rregulli kryesor është se nuk ka rregulla dhe gjendu siç di vet” i krijon kushtet për korrupsion dhe keqpërdorimin e pozitës zyrtare kudo rreth nesh, në shtet dhe në mjediset tona të punës. Nga ky stan, ky hirrë del, më thotë një mik nga shtegu pranë Vardarit. Kështu kanë thënë në fshatin e tij. Saktë, por në botën të cilës dëshirojmë t’i bashkohemi hirra jonë nuk kalon. Do të thotë, duhet të ndryshojmë ne që ta përmirësojmë cilësinë e saj. Duhet të gjithë në shtet duke i ndryshuar stanet tona të vogla në të cilat punojmë, ta bëjmë që stani i madh Maqedonia të prodhojë hirrë që do të kërkohet në tregun evropian dhe botëror. Të tilla janë instruksionet nga BE-ja.

Por, nuk e kemi atë disiplinë. Kultura jonë e jondëshkueshmërisë, mentaliteti ynë është më i fuqishëm se instruksionet e BE-së. Prandaj, pyetja është se si ndryshon kultura, si ndryshon mentaliteti? Ndërsa përgjigjja e duhur: me shumë mund dhe përkushtim për të mirën e përbashkët, siç është shteti ligjor për shembull. Pa e kuptuar thellësinë e problemit dhe duke punuar vetëm në përshkrimin e ligjeve të BE-së, do të kemi vetëm ligje në letër ndërsa në praktikë jondëshkueshmëri. E kemi të vështirë pasi në pyetje janë zemrat dhe mendjet tona. Ato refuzojnë të jemi të ashpër ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve dhe të udhëhiqemi prej ligjeve dhe rregullave. Ata komplotojnë se stani ynë është fati ynë. Pse? Pasi në të gjendemi më së miri.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit