Data e sotme
December 10, 2019

“BRISHTËSIA” E CENZUSIT PËRBALLË MILITANTIZMIT PARTIAK

Shkruan: Bardhyl ZAIMI

 

Tani kur fushata zgjedhore për zgjedhjet presidenciale ka filluar ta shtrijë praninë e vetë te njerëzit “acarimet” politike gjithnjë e më tepër do të marrin trajtat e përkrahjeve të “epshme ideologjike”. Gjithmonë kështu ka ndodhur saherë në Maqedoni ka pasur zgjedhje. Fatkeqësisht, zgjedhjet jo një herë janë shikuar vetëm si mundësi për të “kapur” pushtetin dhe jo edhe si një arenë për të shpaluar platformat përpara elektoratit varësisht nga natyra e zgjedhjeve që mbahen.

Platformat politike tashmë kanë mbetur  relikte që nuk i përgjigjen politkbërjes në “kohërat moderne”, të cilat kërkojnë imazh, vrulle partiake, retorika të forta, nerv folklorik për ta spostuar debatin në hemisfera tjera politike që kërkojnë mobilizimin euforik, por jo edhe gjykimin racional në bazë të ofertave konkrete që janë në përputhje me pritjet e qytetarëve.

Sinjalet e këtyre sforcimeve politike janë dhënë edhe në fillimin e kësaj fushate për zgjedhjet presidenciale, të cilat me gjasë do ta zhvendosin debatin në një terren tjetër, jashtë orbitës dhe kompetencave të parapara me kushtetutë për postin e numrit një të shtetit. Si zakonisht do të fillojë numrimi i pjesëmarrjeve nëpër tubimet partiake si shenjë e epërsisë ose dobësisë që shfaq një parti politike karshi një tjetre, duke e thjeshtëzuar kështu pjesëmarrjen demokratike në numra militantësh dhe duke e përjashtuar mesazhin politik për elektoratin.

Partitë politike do t’i “ngjeshin radhët” për të treguar prani turme, prani të imazhit dominues dhe fitores së “padiskutueshme”. Turmat të ngjizura në vullnete militantësh partiakë do të brohorasin dhe do të jenë pjesë e këtij imazhi  të tejbartur që në fund të ditës do të shpërndahet në media dhe rrjetet sociale për të treguar “fuqi” dominimi politik. Diskursi politik do të reduktohet në parulla, sepse elektorati i kuptuar si turmë, ose vetëm si një rreshtim militant, nuk duron arsyetime të gjata. Ai kërkon goditjen e “parullave”, kundërshtimin “madhështor” politik që vjen si reflektim i të “vërtetës” së madhe që e afishon secila parti politike.

Në Maqedoni ka kohë që individi është ndrydhur dhe jeton nën rrënojat e këtyre marsheve partiake të zhurmshme që betejat politike i zhvendosin në hapësirat e “urgjencave” të rrejshme historike dhe patriotike, në hapësirat e imperativave që prodhojnë turmën dhe jo qytetarin e lirë, që ka një aftësi arsyetimi për të vendosur për një vizion politik. Daullet e marsheve partiake do të bien fuqishëm, sepse elektorati si koncept politik modern i “mbytur” në ovacione turme dëshiron të dëgjojë pikërisht këto iracionalitete politike që as për së afërmi nuk janë në sinkron me fushata zgjedhore normale të kodifikuara si aksione politike në të mirë të qytetarëve dhe në funksion të një demokratizimi të mirëfilltë që njeh ofertën e vlerave politike.

Jo njëherë përapara fillimit të fushatave zgjedhore janë nënshkruar kodekse për zgjedhje korrekte dhe demokratike, por më pas nuk kanë munguar goditjet e ulëta. Në fakt, angazhimi për fushatë korrekte dhe demokratike gjithnjë nënkupton një perceptim tjetër mbi politikën, mbi zgjedhjet si proces i ngadhënjimit të një obsioni apo platforme politike. Kjo ide nënkupton padiskutim një kulturë politike dhe demokratike nga ana e vetë partive. Por, në Maqedoninë e Veriut, normaliteti duket një “ëndërr” e largët, përderisa mungesa e ideve politike për zgjedhje të caktuara mbulohet me retorika boshe dhe jashtë kontekstit politik dhe natyrës së zgjedhjeve.

Jo njëherë, në zgjedhjet parlamnetare debate është zhvendosur në probleme të pushtetit lokal dhe e kundërta, në zgjedhjet lokale debati është zhvendosur në tema që prekin zgjedhjet parlamentare. Zgjedhjet presidenaciale nuk janë përjashtim. Mund të mbahen zgjedhje presidenciale, por debati zhvendoset në tema që fare pak kanë të bëjnë me kompetencat që i ka kryetari shtetit me kushtetutë. Me një fjalë fushatat zgjedhore gjithnjë kanë qenë uniforme, ose thënë ndryshe në funksion të mjegullës dhe joshjes së elektoratit.

Fatkeqësisht, gjatë gjithë kësaj periudhe të gjatë të tranzicionit, nuk është kultivuar koncepti i elektoratit si një premisë substanciale e jetës politike dhe demokratike, por më tepër është promovuar ideja turmës si një totalitet abstrakt që e kërkon të madhërishmen, muskujt politikë, boshësinë e parullave dhe rreshtimin militant në bazë të dikotemisë së njohur: patriotë-tradhëtarë. Nuk është kultivuar individi i ndërgjegjshëm si pjesë e pluralitetit të madh elektoral, por militanti i dëgjueshëm që fascinohet nga imazhi, nga betejat “epike” të liderëve të “pagabueshëm” në kauzat e tyre gjithnjë të mbështjella me mjegull mitike.

Dhe, në këtë pikë ne vijmë tek ajo thënia e famshme e filozofit rus Nikollaj Bergjaev, i cili paradoksalisht pohon se sovrani dhe robi janë në korrelacion. Sipas tij, këto dy entite fatale janë në varshmëri me njëra-tjetrën dhe ushqehen nga njëra-tjera. Po të mos ekzistonte robi nuk do të kishte mundësi të ekzistonte edhe sovrani i kuptuar në variantin e keq të një shoqërie të robëruar përbrenda. Libri i tij “ Mbi lrinë dhe robërinë njerëzore” thellësisht i trajton këto ndërvarësi, të cilat mund t’i shohim në shtetet dhe shoqëritë me demokraci të pakonsoliduara.

Sidoqoftë, në flasim për demokraci të brishta, aktorët e së cilës funksionojnë me gjithë backgroundin e koncepteve politike të deplasuara që vijnë dhe shpërfaqen edhe në këtë kontekst kohor kur realisht duhet të mbizotërojë një standard tjetër në politikë. Mbetet të shihet deri në fund se çfarë performance politike do të dominojë edhe në këto zgjedhje presidenciale. Padiskutim, cenzusi mbetet një problem real për natyrën e këtyre zgjedhjeve. Motivimi vetëm i votuesit militant do ta rrezikojë këtë cenzus. Sa më tepër tone militante të ketë kjo fushatë aq më tepër votuesit e papërcaktuar ka mundësi të mos përfshihen në zgjedhje.

Për këtë shkak mbetet shumë e rëndësishme që fushata të ketë nervin e konkurrimit të koncepteve politike që e motivojnë qytetarin dhe jo përplasje boshe që bazohen vetëm në militantët partiak. Sidomos, kur një pjesë e madhe e qytetarëve tashmë janë të lodhur nga këto retorika dhe kur refuzojnë të jenë pjesë e maskaradave tërësisht partiake. Cenzusi do të rrezikohet nëse fushata targeton vetëm militantët partiakë.

Fushatës do t’i duhet nerv politik qytetarie dhe jo projeksione partiake që individin, qytetarin e trajtojnë si turmë amorfe që mund të joshet vetëm nga parullat. Mbi të gjitha, nevojitet shpalimi i një substance politike që e nënkupton orientimin drejt vlerave perëndimore si një predispozitë për të qenë në sinkron me zhvillimet dhe synimet për një të ardhme europiane si imperativ i padiskutueshëm për gjithë qytetarët.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit