Data e sotme
June 25, 2019

AVOKATËT ME TARIFA TË LARTA, QYTETARËT NUK MUND TË VIJNË DERI TE DREJTËSIA

Nga viti 2013 deri në vitin 2017 lista e top 10 avokatëve ndryshon, por fitimet e tyre rriten vazhdimisht. Fitimin më të madh për një periudhë pesëvjeçare e ka realizuar Shoqata e avokatëve “Georgi Advokati Skopje” me vlerë prej rreth 2 milionë e 200 mijë eurosh. Vetëm në vitin 2017 kjo shoqatë ka deklaruar fitim prej rreth 700 mijë eurosh.

Shkruan: Goran Lefkov

 

Kur u bë deputet në Kuvend për herë të parë në vitin 2014, Petre Shilegov tha se e ka vënë karrierën e avokatit në plan të dytë. Edhe pse si avokat ka fituar shumë më tepër para, ai tha se ka vendosur të bëhet deputet sepse ka dashur të luftonte kundër pushtetit të atëhershëm të VMRO-DPMNE-së.

Por, në vitin 2015 Shilegov ka marrë një njoftim nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit se nuk mund të jetë në të njëjtën kohë edhe deputet edhe menaxher i shoqatës së tij të avokatëve, sepse ka një konflikt interesash.

Pas këtij njoftimi, Shilegov atëherë e ka drejtuar Komisionin që ta hetojë krimin dhe korrupsionin te pushteti i atëhershëm, e jo te deputetët e opozitës.

Që nga zgjedhjet e tetorit të vitit 2017, Shilegov është Kryetar i Qytetit të Shkupit, një nga komunat më të pasura në Republikën e Maqedonisë. Ai është një nga figurat kryesore në Lidhjen Socialdemokrate të Maqedonisë, partia e cila erdhi në pushtet në vitin 2016. Ai erdhi në pozitën e kryetarit të komunës me premtimin se do ta rregullojë kryeqytetin duke zgjidhur disa probleme kryesore, ndër të cilat edhe ndotjen.

 

FITIMET E AVOKATIT PETRE SHILEGOV

 

Shilegov konsiderohet si kritikues më i madh i pushtetit të VMRO-DPMNE-së, partia e cila udhëhoqi shtetin nga viti 2006 deri në vitin 2016. Stili i saj i qeverisjes ishte i njohur me favorizimin e njerëzve të cilët ishin afër me të, dhe pengimin e të gjithë atyre që përfaqësonin qëndrime që ishin të kundërta se ato të pushtetit.

Por, kjo nuk vlente edhe për Shilegovin. Sipas të dhënave deri te të cilat erdhi SCOOP, Shilegov në vitin 2013, vetëm një vit para se të zgjidhej deputet, konsiderohej si një nga avokatët më të pasur. Në atë vit, kryetari aktual i Shkupit ka qenë ndër tre avokatët më të paguar në vend, duke deklaruar një fitim prej gati 300 mijë eurosh.

Para tij është vetëm Shoqata e avokatëve “Kostovski” nga Ohri me fitim të deklaruar prej rreth 420 mijë eurosh dhe “Georgi Dimitrov Advokati” me fitim prej mbi 310 mijë euro.

Pastaj, në listën e 10 avokatëve me fitim më të madh në vitin 2013 janë edhe Aleksandar Mihajllovski me rreth 250 mijë eurosh, Dragan Popovski me rreth 200 mijë eurosh, ndërsa fitim nga rreth 150 mijë eurosh kanë deklaruar avokatët Branko Radojçiq, Dejan Zikovski, shoqata “Çukiq dhe Markov”, Stepan Nikoleski dhe Nikolla Dodevski.

Nga viti 2013 deri në vitin 2017 lista e top 10 avokatëve ndryshon, por fitimet e tyre rriten vazhdimisht. Fitimin më të madh për një periudhë pesëvjeçare e ka realizuar Shoqata e avokatëve “Georgi Advokati Skopje” me vlerë prej rreth 2 milionë e 200 mijë eurosh. Vetëm në vitin 2017 kjo shoqatë ka deklaruar fitim prej rreth 700 mijë eurosh.

Avokati Dejan Zikov ka deklaruar fitim prej 1 milion e 200 mijë eurosh për një periudhë katërvjeçare.

Avokati Boris Noshpall për tri vjet ka realizuar fitim prej mbi 600 mijë euro.

Gordana Duvnjak është një gazetar dhe redaktor me përvojë, e cila për një kohë të gjatë i ndjek zhvillimet në sistemin gjyqësor, por është edhe autor i emisionit debatues “Drejtësia dhe padrejtësia”, i cili transmetohet në televizionin 1tv. Ajo pajtohet se, megjithatë, duhet të ketë një ulje të tarifave.

 “Lista e tarifave të avokatëve parasheh një sërë shërbimesh të ndryshme, por sido që të jetë, nga shërbimi më banal, më i thjeshtë që do të thotë shkrimi i ndonjë liste të thjeshtë të tarifave, do të shohim se ka nënkategori. Domethënë, shuma më e vogël të cilën do ta marrë avokati për një parashtesë të thjeshtë fillon nga 1000 denarë e shkon deri në 18000 denarë, për shkak se çmimet e tyre varen nga vlera, por edha nga dënimi i paraparë”, thotë Gordana Duvnjak, redaktore në 1tv.

Avokatët nuk duan të flasin para kamerës për këtë temë. Ata thonë se tarifat e avokatëve janë të përshtatshme me shërbimet dhe ulja e tyre do të thoshte një goditje për profesionin e avokatit. Sipas tyre, reaksionet e qytetarëve janë drejtuar më shumë drejt noterëve dhe përmbaruesve.

Në këtë temë nuk donte të fliste as Kryetari i Odës së Avokatëve, Ljubomir Mihajllovski. Në një bisedë të shkurtër telefonike me SCOOP, ai demantoi se ka një ulje të tarifave.

Por, prandaj qytetarët ankohen shumë për shpenzimet e larta për borxhe të vogla. Ata reagojnë për çmimet shumë të larta të shërbimeve të avokatëve.

“Një tjetër situatë është përfaqësimi në gjykatë. Çdo shkuarje në seancë gjyqësore kushton para. Paguhet për çdo ditë të re. Nëse zbatohen të gjitha mjetet juridike në vend dhe në sistemin juridik të Maqedonisë dhe nëse doni të parashtroni një aplikacion në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në ndonjë mënyrë mund të jua ndryshojë mendjen lartësia e shumës sepse ka një situatë paradoksale – aplikacioni në Gjykatën e Strasburgut është pa pagesë, megjithatë shërbimi i avokatit i cili duhet të jua përgatisë aplikacionin kushton 1000 euro”, thotë Gordana Duvnjak.

Çmimet e shërbimeve të avokatëve u rritën prej 30 deri në 100 për qind me Tarifën e re për shpërblimin dhe kompensimin e shpenzimeve për punën e avokatëve, e cila hyri në fuqi vitin e kaluar.

Çmimi më i ulët i një shërbimi të avokatit është 1.300 denarë edhe atë vetëm për t’i dhënë autorizim që ta përfaqësojë palën para gjykatës, noterit, në marrëveshje ose konteste.

Nëse punëtori humb kontestin juridik për marrëdhënie të punës, ai do të duhet t’u paguajë avokatëve të punëdhënësit të cilin e ka paditur për thyerje të së drejtës së punëtorit, rreth 150.000 denarësh ose 2.500 eurosh, të llogaritur për një proces mesatarisht të gjatë gjyqësor prej një viti.

Për një vepër më të lehtë penale për të cilën është paraparë një dënim me burgim prej një viti, çmimi fillestar është 5.000 denarë paushall për shpenzimet e avokatëve, e pastaj paguhet për çdo orë të kaluar të seancave. Të gjitha këto shpenzimet paguhen përsëri çdo ditë.

Për vepra të cilat dënohen me burgim deri në 10 vjet, është paraparë të paguhen 14.040 denarë edhe atë vetëm për të hyrë në gjykatë. Për çdo orë tjetër paguhen nga 20% e çmimit të llogaritur sipas ligjit, i cili është 11.700 denarë, gjegjësisht 2.340 denarë për një orë. Çmimi ndryshon madje edhe nëse kontesti zgjat me ditë, muaj dhe vite të tëra.

Për një kontest më të rëndë ose për një dënim me burgim deri në 15 vjet, si dhe në një procedurë policore, palët për çdo seancë gjyqësore do të duhet të paguajnë nga 12.000 denarë dhe më shumë. Për konteste që janë mbi këtë shumë, shpërblimi për avokatin për çdo ditë do të fillojë nga 18.000 denarë dhe do të rritet.

 

DREJTËSIA E SHTRENJETË – E PAARITSHME PËR QYTETARËT

 

Gazetari me përvojë Ljubisha Stankoviq me vite të tëra ndjek zhvillimet në gjyqësi. Ai konsideron se tarifat e këtilla të larta demotivojnë qytetarët që ta kërkojnë drejtësinë, edhe pse ndoshta kanë të drejtë.

 “Lista e tarifave të avokatëve është puna e Odës së Avokatëve. Ata miratojnë, ata ndryshojnë dispozitat në listën e tarifave. Një paraqitje në një seancë gjyqësore mund të kushtojë 5000-6000 denarë, por mund të kushtojë edhe 30.000 denarë. Ajo është lidhur me lartësinë dhe peshën e lëndës. Po ashtu, varet nga ajo nëse mbrohet një vrasje ose një vjedhje xhepi, për të cilën, në parim, nuk ka nevojë për mbrojtës. Nëse jeni në gjyq për një lëndë civile për një fushë që kushton 2, 3 ose 5 mijë euro ose jeni në gjyq për ndonjë kontest prej të cilit pritni fitim prej një milion eurosh”, thotë Ljubisha Stankoviq, gazetar në TV24.

Nga 1 janari i vitit 2017, angazhimi i avokatit është i domosdoshëm në dhënien e procedurës trashëgimore. Nëse prindi dëshiron të regjistrojë një pronë në emër të fëmijës së tij, do të duhet t’i paguajë avokatit 3.900 denarë. Paraprakisht, e gjithë kjo mund të bëhej vetëm me një verifikim të noterit.

Sipas listës së tarifave të avokatëve, nëse tani blini një banesë me vlerë prej 50.000 eurosh, vetëm për të jua përgatitur kontratën që të shkoni te noteri, avokatit duhet t’i paguani 12.000 denarë.

“Është saktë se taksat për qytetarët e zakonshëm janë të mëdha, prandaj njerëzit edhe pse e dinë se kanë të drejtë, edhe pse e dinë se, thënë kushtimisht kanë fituar aktgjykimin në favor të tyre, megjithatë kur do të shohin se duhet të paguajnë edhe 60.000 denarë për taksën gjyqësore, rrallëkush do të pranojë të shkojë në gjyq. Kështu që, nga varianti i fituar keni një situatë të humbur klasike”, thotë Stankoviq.  

Pozita e këtillë e avokatëve lidhur me tarifat është meritë e kryetarit të atëhershëm të Odës së Avokatëve të Maqedonisë, Nikolla Dodovski. Edhe ai është në listën e avokatëve më të pasur në vend dhe gjendet në vendin e 6-të me një fitim të realizuar prej mbi 1 milion euro vetëm për katër vite.

Nga Ministria e Drejtësisë thonë se nuk parashihet një ulje të tarifave të avokatëve. Si bartës të autorizimeve publike, tarifa e përmbaruesve/noterëve është objekt i rregullimit të Ministrisë së Drejtësisë për dallim nga ajo e avokatëve, të cilën e rregullon Oda e Avokatëve.

 

(„Storja është e përkrahur nga QGH SCOOP Maqedonia në kuadër të NED projektit “Promovimi i llogaridhënies përmes raportimit hulumtues”).