Data e sotme
August 24, 2019

IDENTITETI & IDENTIFIKIMI – MANIPULIMI

Identitet nuk është ajo që shkruan në dokument, por ajo që është regjistruar tek secili prej nesh

Shkruan: Zoran Ivanov

Përfundoi Marrëveshja e Prespës, Kushtetuta si dhe E Veriut. Janë zgjedhjet, siç po shihet tema identiteti sërish do të trajtohet si vegël për vota, gjegjësisht për manipulim që të vihet drejt votave. Dhe gjithsesi, do të jetë ky një harxhim i ri i kohës për diçka që tashmë më ishte premtuar, tejkaluar dhe përfundimisht ka përfunduar. Maqedonia u nis nëpër një rrugë tjetër. Sa do të jetë e suksesshme më nuk varet as nga emri e as nga identiteti.

Me Greqinë bëmë një ujdi të dhimbshme për ne, ndoshta akoma më të dhimbshme për ta. Ua dhamë antikën, ua morëm emrin. Dhe mbi të gjitha, shteti ynë është i vetmi në botë që e ka emrin Maqedonia. Atë, si edhe gjuhën maqedonase të cilën e flasim vetëm ne maqedonasit, me dy faktet kryesore identitare të vulosura për ne. Dhe kaq. Kjo është gjithçka edhe rreth identitetit tonë. Gjithçka tjetër është manipulim i pastër. Pasi edhe pasaporta edhe letërnjoftimi edhe emrat e institucioneve janë vetëm elemente për identifikim dhe jo të identitetit.

Çështja e identitetit tonë është e vjetër sa edhe pavarësia jonë dhe dekadat para kësaj. Tani kur ajo u zgjodh përgjithmonë, kur përfundimisht pas shumë dekadash bota na njeh si popull dhe komb dhe si një shtet me emrin Maqedonia, ekzaltimet e ulëta politike edhe më tej në mënyrë manipuluese do t’i nxisin ndjenjat e votuesve maqedonas. Se çështja e identitetit është e mërzitshme më deri në shkallën e neverisë dhe se përfundimisht duhet të vihet ad akta, është vetëm përkujtim se tema është shumë e vjetër, joatraktive dhe e pafrytshme.

Në këtë kolonë do t’i veçoj disa fragmente të një teksti me titull të njëjtë si edhe ky i publikuar në gazetën tani të shuar ndërsa atëherë prestigjioze dhe me ndikim “Dnevnik”. Autori i njëjtë, tema e njëjtë. Vetëm distanca kohore është dhjetë vjet të plota. Plot dhjetë vjet të humbura për maqedonasit.

… Identiteti nuk është ndonjë dokument, fletë letre. Identitet nuk është ajo që shkruan në pasaportë ose në kartelën kreditore. Ato janë vetëm disa dokumente të thjeshta për identifikim personal apo administrativ. Identiteti etnik, kombëtar apo fetar gjithsesi, nuk është lëndë për të cilën ekziston ndonjë nevojë e veçantë që të flitet kaq shumë. Aq më pak, sikurse tek ne që bëhet për nevoja të zgjedhjeve të polemizohet me të. Identiteti është histori, traditë, kulturë, ndjenjë, bashkësi, përkatësi. Identiteti është instinkti i pashlyer që e lidh individin me grupin dhe anasjelltas. Prandaj përzierja identitetit me identifikimin është manipulimi i ashpër që me muaj i imponohet opinionit të Maqedonisë. Identifikimi dhe identiteti janë terme të cilat duhet të përkufizohen qartë dhe të shpjegohen. Ato as për nga forma, as për nga përmbajtja, nuk kanë asgjë të përbashkët.

Ky status që kemi, është status që na motivon që të sillemi ashtu sikurse as në ëndërr nuk e kishim ëndërruar. Sikur me Goran Pandevin, për shembull, për shkak të të cilit filluam të bëjmë tifo për “Interin”. Vallë kishim bërë ndonjëherë tifo si komb dhe popull për këtë ekip apenin? Vallë kemi pasur motive, arsye për ta bërë këtë me kaq përkushtim siç e bënim në sezonin e kaluar të futbollit? Aspak, apo jo? Mirëpo tani, në këtë konkurrencë internacionale është edhe “gjethi i malit tonë”. Mu për këtë arsye dhe derisa ai të jetë aty. Këto janë stimulimet identitare të cilat burojnë nga përkatësia jonë maqedonase. Ato nuk mund të garantohen me dokument, me një copë letër.

Politikbërja me irritimin e ndjenjave kombëtare, politika e ndjelljes së dyshimit në mbijetesën e kombit, promovimin e tezave për gjoja zhdukjen e tij, politika e populizmit, e zëvendësuan sloganin “realizojmë”. Sforcimi i ndarjeve në “patriotë” dhe “tradhtarë”, është tani politikë që praktikohet si zëvendësim për të gjitha premtimet e parealizuara ndërsa të paralajmëruara zëshëm. Nënkuptohet, fundi i manipulimeve, si edhe gjithmonë është i pashmangshëm edhe për këtë cikël politik. Këtu nuk mungojnë as kriza botërore ekonomike, as qëndrimet rigide greke. Njerëzit bëhen të vetëdijshëm për këtë. Pasojat, për fat të keq, janë të mëdha, veçanërisht për shkak të kohës së humbur për lëvizjet euroatlantike, e cila po humbet pa mëshirë dhe kot. Ato janë të mëdha për të gjithë shoqërinë përveç për aktorët politik të cilët sipas rregullit dhe sipas asaj që thonë ata, nga njerëz të thjeshtë, me vetëm një mandat, kanë arritur të bëhen biznesmenë të suksesshëm. Kanë fituar pasuri që atyre dhe brezave pas tyre ua garanton të ardhmen dhe që do t’ju sigurojë status kudo që janë me ose pa Maqedoninë. Ja, kaq është patriotizmi i tyre.

Në skenën politike të Maqedonisë çështjet identifikuese imponohen si identitare. Ato janë terma të cilat duhet të përkufizohen dhe shpjegohen, dhe jo të promovohen si frenë kryesore për në NATO dhe BE. Identiteti u bë vegël politike e konjuktuar. Pushteti manipulon me ndjenjat dhe i ndez druajtjet për rrezikimin e tij. Për opozitën, definimi i identitetit akoma është gështenjë shumë e nxehtë. Nënkuptohet, padrejtësia që në vazhdimësi na e paraqet Greqinë dhe jo vetëm atë si të paskrupullt. Por, kjo më nuk mund të jetë pretekst për akumulimin tonë ballkanik.

Nëse kjo gjendje objektivisht është e patejkalueshme, ndaj zgjidhjes së kontestit mbetet të sulmohet me zgjidhje të tjera. Është e dukshme, megjithatë, para së gjithash Ivanov dhe ish-kryeministri Gruevski ose akoma janë duke fluturuar në retë antike ose janë të frikësuar për lëkurën e tyre politike dhe nuk kanë guxim për një hap. Ndërsa pikërisht prej tyre, prej funksioneve të tyre është legjitime të pritet më të mos e humbin kohën e çmuar dhe të paktën të tentojnë gjendjen e tillë ta ndryshojnë shpejtë. Përfundimisht, le ta theksojnë “kompromisin e tyre të matur” prej të cilit do të nxirret edhe përmbajtja e dedikuar për fletoret në OKB. Ajo që do të regjistrohet atje, do të jetë ai “identifikim” ndërkombëtar i vendit tonë. Aty nuk identifikohet identiteti i dikujt. Kështu në vesh, tingëllon fuqishëm rrahja e gjoksit e politikanëve, ekspertëve, kolumnistëve, gazetarëve, artistëve, duke mashtruar me temën “emrin nuk e japim” dhe duke i nxitur njerëzit me atë tezë të rrejshme për rrezikimin e identitetit.

Tema identitet është politikë e turbullimit të vazhduar të opinionit, politikë e stimulimit të patriotizmit të rrejshëm, politikë e promovimit të heronjve të cilët e “shpëtojnë” identitetin tonë. Vulgarizimi i tij është vetëm vegël e thjeshtë, armë aktuale për tërheqjen e vëmendjes nga paaftësia për t’u materializuar “kompromisi i matur”. Prandaj çështjet identifikuese imponohen si identitare. Konstruohet status me të cilin bllokohen mundësitë për çfarëdo tentimesh, me oferta konkrete të Maqedonisë, që t’u kundërpërgjigjen qëndrimeve të fuqishme greke.

Nga kjo pozitë e ngrirë pushteti çdo ditë dhe në të gjitha fushat vetëpërcaktohet si subjekt pa kapacitet mental elementar për realizimin e çfarëdo progresi. Nuk arrin t’i hapë portat e NATO-s dhe BE-së edhe atje nuk çelin trëndafila, mirëpo atje do të rregullohemi më mirë dhe do t’i kemi edhe shtetin edhe identitetin. Atje është shekulli 21 prej të cilit Maqedonia, kot i humbi dy dekada…

Ja, kështu ishte edhe para një dekade të plotë. Në ndërkohë, edhe nga ky tekst e këtej, në skenën shoqërore dolën disa gjenerata të reja të cilave politika manipuluese ua vodhi dhjetë vite të plota. Edhe këto zgjedhje presidenciale struktura e njëjtë politike sërish ka sforcuar manipulimin identik identitar.

Por kësaj radhe do të dështojë. Nëse jo nga diç tjetër, atëherë nga pjekuria e qytetarëve.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit