Data e sotme
June 17, 2019

SHOQËRIA CIVILE

Shkruan: Aleksandar Krzhallovski

 

Edhe pse jemi në jehonën e fushatës për zgjedhjet presidenciale tek ne, kam përshtypjen se ajo kaloi mjaft qetë dhe çfarë është më e rëndësishme – pa incidente (të paktën tani për tani, ndërsa shpresoj edhe deri në fund të zgjedhjeve). Kjo edhe mund të pritej me zgjedhjen e tre kandidatëve të cilët janë në garë, të gjithë profesorët universitarë: Pendarovski, Siljanovska-Davkova dhe Reka. Ndërsa këtë e tregoi edhe debati i tyre i parë javën e kaluar, që kaloi kryesisht në atmosferë dinjitoze dhe me nivelin e duhur të respektit ndaj kandidatëve të tjerë. Këtyre ditëve, përfundimisht doli edhe anketa e dytë (pas asaj të MCMS-së dhe Institutit për Demokraci, e publikuar para më shumë se dy javëve – më 25.03), kësaj radhe e Institutit për Hulumtime Politike (IPIS), e cila kryesisht tregoi rezultate të ngjashme: epërsi të vogël të Pendarovskit (2%) të trupit të përgjithshëm votues, ndërsa epërsi të njëjtë të Siljanovskës tek maqedonasit etnik. Parashikohet edhe dalje e lartë prej 67% në raundin e parë.

 

Në ngjarjet e tjera rajonale apo evropiane të cilat janë me ndikim të caktuar edhe në ngjarjet tek ne, nuk pati epilog as këtë javë. Britanikët akoma po përpëliten rreth vendimit se si ta zbatojnë daljen nga Bashkimi Evropian (akoma me gjasë që dalja të mos ndodhë). Në Turqi, kundrejt interpretimit të parë të deklaratës së Erdoganit menjëherë pas publikimit të rezultateve të zgjedhjeve lokale, me të cilën dukej se e pranoi dështimin në qytetet e mëdha (veçanërisht Ankara dhe Stamboll), megjithatë tani kjo është kaq larg nga e sigurta, pas kontestimit të votimit në më shumë vende nga partia e tij. Paraprin edhe fushata në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, për përzgjedhjen e europarlamentarëve (zgjedhjet janë më 23-26 maj), ndërsa prej të cilave mund të varet shumë fillimi ynë eventual i negociatave për anëtarësim në BE deri në fund të këtij viti. Duke i pasur parasysh parashikimet për zvogëlimin e numrit të deputetëve të grupacioneve politike aktuale udhëheqëse (partitë popullore – EPP, si edhe socialdemokratët S&S, të cilët “do të rrëzoheshin” për pothuajse 100 deputetë, gjegjësisht prej shumicës së sigurt të përbashkët prej mbi 400 deputetë, tani do të kenë vetëm diçka mbi 300 prej gjithsej 705 vendeve), ndërsa në llogari të kësaj rritje të së djathtës ekstreme, vështirë mund të presim rezultat pozitiv të BE-së në samitin në qershor, gjegjësisht vendim për vazhdimin me zgjerimin e mëtejmë.

 

Për të gjithë këtë, kësaj jave vendosa të përqendrohem pak në atë që në mënyrë profesionale e punoj mbi njëzet vjet – shoqërinë qytetare. Midis tjerash edhe për shkak të dy ngjarjeve të cilat gjatë këtyre ditëve mbahen në nivel evropian, gjegjësisht botëror. Para dhjetë ditësh në Slubicë (Poloni) u mbajt Akademia Qytetare Evropiane, e cila në një vend i tuboi rrjetet më të mëdha evropiane të organizatave qytetare, ndërsa këtë javë Beogradi është nikoqir i Javës Ndërkombëtare të Shoqërisë Qytetare – tubimi më i madh global i organizatave qytetare, me mbi 1,200 pjesëmarrës. Në dy tubimet dominojnë debatet për populizmin në rritje në botë, tendencat autokrate, rëndësia dhe ndikimi i partive të së djathtës ekstreme, ngushtimi i hapësirës për veprim qytetar dhe liria e medieve. Por, para se t’i bart disa prej trendeve globale në këtë fushë, një hyrje të vogël për demistifikimin e vetë shprehjes shoqëri qytetare dhe të ngjashme ose të paktën të sqarohen disa terme.

 

Fillimisht, çfarë në të vërtetë është shoqëria civile (civil society)? Sipas përkufizimeve më të pranuara, është çdo lloj e organizimit të qytetarëve (përveç familjes), jashtë sistemit shtetëror (institucioneve) dhe biznesit (firmat, ndërmarrjet). Për këtë, gjegjësisht ndarja e shtetit dhe biznesit/tregut, term i shpeshtë në përdorim është edhe “sektori i tretë”. Gjithashtu, shpesh flitet edhe për “sektorin joqeveritar”, mu për shkak të ndarjes së strukturave shtetërore (qeveritare) ndërsa që të theksohet dallimi me sektorin afarist (biznesin), dëgjuam edhe për “sektorin jofitimprurës”.

Të gjitha këto terma janë të sakta dhe secili nga aspekti i vet e shpjegon një pjesë të esencës së organizimit qytetar, por vlerësoj se mu “shoqëria qytetare” ose sektori qytetar janë më gjithëpërfshirës. Së dyti, çfarë përfshin ose nënkupton organizimi/shoqëria civile? Sipas ligjit tonë (për shoqata dhe fondacione, nga viti 2010), janë të mjaftueshëm pesë individë që të formojnë organizatë qytetare. Siç tregon edhe vetë titulli i ligjit, mund të formohen shoqata civile ose fondacione (dallimi kryesor është që për të dytët duhet të ketë edhe fond themelimi prej të paktën 10,000 euro). Por, organizatat qytetare janë vetëm një pjesë (ose pjesa më e madhe) e gjithë asaj që e përmban shoqëria/sektori qytetar… këtu bëjnë pjesë për shembull edhe bashkësitë fetare, sindikatat, organizatat e punëdhënësve dhe odat ekonomike. Në mënyrë plotësuese, që ndoshta do të jetë befasi për disa (ose shumë) lexues, në botë kryesisht në sektorin qytetar hyjnë edhe – partitë politike. Ka diskutim rreth kësaj, duke e pasur parasysh se ato (të vetme) marrin pjesë në zgjedhje që të bëhen pushtet në shtet si edhe me faktin që me vetë zgjedhjen – një pjesë e madhe e anëtarëve të tyre bëhen pjesë e aparatit shtetëror.

Së treti, se stereotipat më të mëdha për organizatat qytetare janë se: janë përfaqësuese të shteteve të huaja; apo paravan për interesat partiake? Tash e njëzet vjet në anketat e opinionit publik, këto qëndrime janë dominuese tek qytetarët. E para është ndoshta për arsye se tek ne dominon financimi prej burimeve të huaja, por në botë nuk është ashtu, rreth 30 për qind të mjeteve vijnë prej: buxhetit shtetëror; aktivitetet ekonomike të organizatave; nga filantropia dhe donacionet prej firmave. Ngadalë do të vijë edhe tek ne dhe koha është shteti të fillojë në mënyrë më serioze ta ndërmarrë financimin e organizatave joqeveritare. Për të dytën – për fat të keq, partitë me të vërtetë përkohësisht i kanë keqpërdorur disa organizata qytetare ose madje edhe i “kanë krijuar” të vetat (të cilat zhdukeshin shpejtë pas kalimit të vlerës së përdorur), por pas të gjitha këtyre vitesh tranzicioni, mendoj se ka profilim të qartë të organizatave të cilat në mënyrë profesionale e kryejnë misionin e vet dhe/apo në mënyrë dinjitoze i prezantojnë interesat dhe nevojat e anëtarëve të tyre.

 

Por, t’u kthehem trendeve globale prej mbledhjeve të përmendura të organizatave qytetare. Në thirrjen për aksionin nga Samiti i Beogradit, flitet për ndërmarrjen e masave (prej shteteve, përmes Kombeve të Bashkuara) për: mbrojtjen dhe zgjerimin e hapësirës për veprimin e shoqërisë qytetare; promovimin e përfshirjes (inkluzionit) në praktikat zhvillimore (kjo kryesisht për shkak të arritjes së Qëllimeve për zhvillim të qëndrueshëm të KB-së – të cilat duhet të arrihen deri në vitin 2030, para së gjithash lidhur me ndryshimet klimaterike, çrrënjosjen e varfërisë, barazinë gjinore, përfshirjen e grupeve të ndjeshme dhe të margjinalizuara, uljen e pabarëzisë së madhe (veri-jug, të varfër dhe të pasur etj.); përfshirjen më aktive të shoqatave qytetare në krijimin e politikave, ndjekjen e pavarur të zbatimit të këtyre politikave (dhe të tjera), ndërsa e gjithë kjo e financuar prej vetë Qeverive; dhe e fundit – ballafaqimi strikt, i shpejtë dhe efektiv me të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut!

Dhe… e gjithë kjo tingëllon mirë (drejtë) ose diç do të thoshin – tejet mirë për të qenë e vërtetë. Dhe më duket se duke e pasur parasysh të gjithë atë që kam thënë paraprakisht (populizmi, rritja e së djathtës ekstreme, tendencat autokrate), se e gjithë kjo do të ngelet në thirrje, eventualisht në ca deklarata joobliguese, por jo edhe në aksione konkrete… ose të paktën jo shumë. Çfarë mendoni ju?

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit