Data e sotme
April 24, 2019

MIDIS BILBORDIT DHE REALITETIT

Shkruan: Trifun Kostovski

Të nderuar lexues, nuk e kam pasur për qëllim t’i komentoj fushatat parazgjedhore presidenciale të kandidatëve aktual. Por, kjo gjithsesi është kohë marketingjesh për jetën, mesazhet, politikat. Kohë e buzëqeshjeve për bilbord pas së cilave fshihet realiteti, premtimet e rrejshme, retorika e zbrazët dhe mendimet e frazave të zbrazëta.

Disa gjëra të cilat i theksova në fushatën aktuale parazgjedhore, për mua janë më të vërtetë shqetësuese dhe dëshiroj t’i ndaj.

Me vëmendje të madhe e ndoqa duelin midis Zaevit dhe Mickovskit, i cili nuk ofroi asgjë të re. Përfundimi i debatit, mund të thuhet, se ishte sinonim i luftërave të këndezëve – secili kukuriste se kandidati i tij do të fitojë pa argumentim të plotë. Vlerësoj se kjo kulturë politike dhe komunikuese e elitave politike është nënçmuese për ne qytetarët.

Pyes veten nëse po zgjedhim president për të gjithë qytetarët në Republikë ose jemi duke zgjedhur president sipas dëshirës së individëve të cilët presin se presidenti i ardhshëm duhet të jetë i dëgjueshmi i individëve dhe jo i interesave të përbashkëta. Dëshiroj përfundimisht të ndalojë nënvlerësimi i qytetarëve. Me siguri nuk janë të vetëdijshëm krerët tanë politik se duke i nënvlerësuar qytetarët e nënvlerësojnë veten.

             Gjëja e dytë të cilën dëshiroj ta theksoj këto dhjetë ditë nga fillimi i fushatës është se zoti Reka më së shumti i plotëson kriteret për president të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Mirëpo të gjithë e kemi të qartë se kjo shoqëri akoma nuk është e pjekur të ketë president shqiptar. Që të dy kandidatët e ashtuquajtur të pavarur të dy partive më të mëdha maqedonase, e kanë moton e tyre kryesore, diametralisht në kundërshtim me atë të tjetrit – njëri e mbron Marrëveshjen e Prespës të njohur nga bashkësia ndërkombëtare përfshirë edhe Federatën ruse dhe të ratifikuar dhe implementuar nga parlamentet e Greqisë dhe Maqedonisë, që për mua dhe për shumëkënd është proces i përfunduar. Nga ana tjetër, në personalitetin e kandidates Gordana Siljanovska Davkova, e mbështetur  nga DPMNE, e kemi mbrojtjen e të ashtuquajturës “kauzë maqedonase”. Që të dy kandidatët premtojnë kodra dhe lugina, madje premtojnë edhe gjëra të tilla të cilat dalin prej kornizave të ingerencave të kushtetutës.

Zoti Pendarovski, është duke mbrojtur diçka që është vërtetë realitet. Nëse zonja Davkova Siljanovska sulmon diçka që edhe vetë është e vetëdijshme se as nuk mund ta ndryshojë dhe as ta bllokojë, ndërsa ajo është Marrëveshja e Prespës dhe ndryshimi i emrit. Nënkuptohet se nuk jam as unë i lumtur me ndryshimin e emrit, por jeta më ka mësuar të jem pragmatik me një qëllim të vetëm. Të mbijetojmë, t’i vazhdojmë kulturën tonë, gjuhën tonë, ekzistencën tonë në histori edhe atë përmes një rruge bashkëkohore demokratike dhe emancipuese.

Do t’i thosha disa fjalë për zonjën Siljanovska Davkova. Gordana, kujt duhesh ti shërbesh? Gordana, ti për një periudhë ishe këshilltarja kryesore e imja gjatë mandatit tim si deputet, kur bashkërisht paraqiteshim për ndarjen jo të drejtë territoriale të komunave në Republikën e Maqedonisë. Gordana, profesoreshë e shkëlqyer dhe pedagoge, studentët të respektojnë por nuk mund t’i shmangem përshtypjes se ndoshta ke ikur nga orët e gjeografisë në të cilat është dashur t’i përvetësosh toponimet urbane në vendin tonë. E di se nuk do të më hidhërohesh, pasi isha i pari i cili t’u paraqit në telefon dhe të tha se bilbordet për fushatën tënde janë jashtëzakonisht të këqija. Por kjo nuk je ti….

Lexues të mi të nderuar zotin Pendarovski nuk e njoh mirë dhe nuk mund t’i jap kurrfarë vlerësimesh. Megjithatë le të gjejë një dimension të ri në fushatën e tij të mërzitur nëpër të cilat do ta stimulojë interesimin tek qytetarët ta dëgjojnë, ta kuptojnë dhe pranojnë.

Nga viti 1994 gjithmonë kam marrë pjesë në të gjitha ciklet zgjedhore në vend. Të gjithë përbejnë se kemi zgjedhje demokratike por për fat të keq dëshmojmë për farsë të pastër. Zbatohen metodat e njëjta si në kohën e Jankullovskës dhe Janakieskit, me numër të garantuar të votave, të cilat duhet t’i sigurojë çdo i sapopunësuar i partisë aktuale në pushtet. Pyetem, nëse janë të bindur ata të cilët i organizojnë zgjedhjet se ky popull është me të vërtetë kaq i paditur që të mos dijë të vlerësojë se çfarë në të vërtetë i duhet, çfarë personalitetesh në politikë duhet të kemi për krerë në të gjitha sferat.

Për fat të keq, në çdo cikël zgjedhor përsëriten metodat e njëjta dhe fitojmë përshtypjen se të jetë politikan, është profesioni më prestigjioze dhe më fitimprurës në shtetin tonë.

Nuk do të doja të aludoj me ligësi ndaj askujt dhe ndaj asgjëje, por thjeshtë e kërkoj atë ndershmëri në sjelljen e elitave politike përmes së cilës do të bëhemi shoqëri cilësore dhe emancipuese.

Në fund që të jetë ironia akoma më e madhe, më duhet të pyes: kush i financon fushatat e dy gjoja kandidatëve të pavarur? Nëse si kandidatë vërtetë të pavarur vetë financohen ose financimi shkon përmes mbështetësve të partive të tyre, duke mbledhur tatim të shtrenjtë prej simpatizantëve të tyre për t’i financuar ambiciet personale dhe egot e liderëve të tyre.

Kam marrë pjesë në dy fushata si kandidat i pavarur. Pavarësinë e kam paguar me paratë e mia. Nuk lejoja asnjë prej partive e cila më mbështet t’i mbulojnë shpenzimet e mia. Prandaj do ta përsëris – farsa vazhdon.

Vlerësoj se nuk ka nevojë çfarë të thuhet më tepër – e drejta demokratike e çdo individi nëse dëshiron të dalë dhe të votojë për atë që i beson. Por më besoni, mendoj se nuk është e papërshtatshme nëse kandidatët në bllokun politik maqedonas t’i quaj “jobesimtarë”, mirëpo jam i bindur se as vetë nuk besojnë në premtimet e tyre.

Prej meje kaq për këtë temë, lexues të nderuar. Dëshirojmë të jemi pjesë e familjes evropiane ndërsa po sillemi me papërgjegjësi dhe në kundërshtim me të gjitha imperativet demokratike evropiane. Na duhet president i shtetit i cili do t’i përfaqësojë të gjithë qytetarët, ndërsa të mos jetë poltron i financuesve të vet.

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit