Data e sotme
August 24, 2019
Foto: Print-skrin nga emisioni 360 në AlsatM

Për sukseset pëshpëritet, për “padrejtësitë” ulërihet me zë

Shkruan: Denko Maleski

 

Me tre profesorë universitarë si kandidatë, debati presidencial ishte rast të shihet jo vetëm se deri ku ka ardhur politika në Maqedoni por edhe shkenca. Përfaqësuesja e nacionalistëve maqedonas tregoi se ndryshimet në vetëdijen e njerëzve janë më të vështira. Kur i janë përgjigjur mendimtarit të njohur Kejns se është duke i ndryshuar qëndrimet, ai është përgjigjur: Po, në dritë të fakteve të reja unë i ndryshoj qëndrimet, ndërsa ju? As faktet e vitit 2001, kur shteti ishte në prag të luftës qytetare, nuk ishin të mjaftueshme për pjesën më të madhe të shkencëtarëve të Maqedonisë të paktën të jenë të kujdesshëm me “konceptin qytetar” të tyre, i cili hidhet poshtë prej asaj se nuk është e rëndësishme se cilës bashkësie etnike i takon por nëse i gëzon të gjitha të drejtat e njeriut. Ndërsa faktet flasin se i promovuar si më i miri dhe më progresivi ky koncept qytetar, pa garanci për kolektivitetet etnike në sistemin politik, fillimisht, në hi, e shkatërroi federatën Jugosllave ndërsa më pas vazhdoi t’i përçajë republikat. Millosheviq deshi federatë të fuqishme me të cilën do të dominonte kombi serb si më i numërti në parlamentin federal. Këtë e kundërshtuan kombet e tjera të cilat kërkuan barazi si kolektivitete kombëtare dhe garanci kundër majorizimit prej kombit serb ndaj kombeve të tjera. Më pas, po ky parim i majorizimit të bashkësive etnike më të vogla, vazhdoi t’i prishë marrëdhëniet ndërkombëtare në republikat.
Në vend se në kohë të mbrohemi prej këtij parimi të gabuar, ne e vendosëm në kushtetutën tonë të parë, e institucionalizuam majorizimin e shqiptarëve prej maqedonasve, e paaftësuam sistemin politik që t’i artikulojë kërkesat e bashkësisë etnike të dytë për nga madhësia dhe e dëbuam vendimmarrjen politike nga parlamenti, fillimisht në rrugë ndërsa në pas në male. Duket se, deri në ditën e sotme, mendja turistike nuk e kuptoi se fillimisht nevojitet strategji politike siç duhet, e drejtë për të gjithë “demosët”, para se të formulohen dispozitat kushtetuese. Dispozitat kushtetuese të ndërtuara ndaj një strategjie politike të gabuar, prishen si kulla prej letrave. Ne një strategji të tillë, në fillim të nëntëdhjetave nuk patëm. Nuk i kushtuam kujdes ose nuk deshëm të shohim se pas konceptit qytetar qëndroi dominimi i kombit shumicë. Ky dominim në numër si edhe kudo nëpër ish-Jugosllavi, dhjetë vite më vonë, e çoi shtetin e Maqedonisë në konflikt ndëretnik.
Kushtetuta e re, e formuar prej dispozitave të Marrëveshjes së Ohrit, prodhoi ndryshime dramatike në rregullimin politik: e vendosi shtetin në një rrugë tjetër – drejt shtetit multinacional. Ëndrra e maqedonasit për shtet-komb maqedonas, mbeti vetëm ëndërr e cila nuk mund të realizohej në kushte të ekzistimit të një kombi të zgjuar të numërt siç është ai shqiptar në Maqedoni, i cili kërkon barazi dhe merr fuqi edhe prej dy shteteve shqiptare në kufijtë tanë. Kështu, jeta reale na tregoi se çfarë duhet të regjistrohet në kushtetutë: barazia si mundësi e vetme që të ruhet uniteti në vend. Përfundimisht, duke e sjellë situatën në prag të luftës ndëretnike në vitin 2001, ku u vrarë të rinj prej të dyja palëve në ndarjen etnike, e pamë se çfarë e ardhme na pret pa këtë barazi. Kush nuk e ndryshon mendimin e tij mbi këtë fakt?
Nuk e ndryshojnë ata të cilët thjeshtë refuzojnë ta pranojnë ndryshimin e madh të rregullimit politik të vendit i cili ndodhi me Marrëveshjen e Ohrit: Maqedoninë multinacionale. Madje qëllimet mund t’i keni më të mira, por nëse refuzoni ta pranoni këtë realitet, këtë fakt në jetë dhe mendja juaj operon sipas modelit të kombit – shtetit maqedonas, me të drejta për pakicat, konstatimet juridike do të jenë të sakta në pajtim me modelin në kokën tuaj, por të gabuara në pajtim me realitetin. Kjo është ajo që ju ndodh juristëve të shumtë si edhe partisë së nacionalistëve maqedonas dhe kandidatit të tyre për president.
Pse të tjerët, LSDM dhe kandidati i tyre presidencial, për shembull, në mënyrë të hapur nuk ia tregojnë popullit të vërtetën për karakterin e ri të shtetit të Maqedonisë? Meqë zgjedhjet nuk janë kohë për pastrimin e të vërtetave dhe dilemave shkencore, por betejë votash, nacionalistëve maqedonas gjithmonë u nevojitet kandidat i cili e hedh poshtë realitetin e Maqedonisë multinacionale ose binacionale, nëse dëshironi t’i hidhni kripë varës, në shtojcë të mitit për kombin-shtetin nacional. Miti i cili kultivohet çdo ditë, u sjellë dividendë në zgjedhje nacionalistëve të Maqedonisë, ndërsa ata të tjerët i detyron ta fshehin të vërtetën pasi me të vetëm se humbasin vota. E tillë ishte pozita e kandidatit të LSDM-së, i cili në debatin presidencial, duhej të marrë pjesë në lojën në të cilën me të vërtetën humbet. Në një mendim të caktuar, në të njëjtën lojë u përfshi edhe përfaqësuesi i Aleancës për Shqiptarët dhe Besës, qëndrimet e së cilave për këtë çështje esenciale, çfarë shteti është Republika e Maqedonisë së Veriut janë shumë më radikale se ato që u thanë.
Marrëveshja e Prespës shumë mirë përputhet në këtë tregim për “tradhtarët” të cilët kanë shkaktuar që shteti të përjetojë dështim, me të cilin mund të fitohen zgjedhjet presidenciale. Ndërsa parë realisht edhe Marrëveshja e Ohrit edhe Marrëveshja e Prespës janë fitore për shtetin tonë i cili duhet të ndryshojë nëse dëshiron të mbijetojë në këtë botë turbulente. Por, problemi me demokracinë është që ajo duhet të kalojë edhe tek populli maqedonas i cili nuk ndryshon me shpejtësinë e njëjtë. Kështu, derisa për sukseset duhet të pëshpëritet, për “padrejtësitë” të cilat na janë bërë mund të flitet me zë.
Në këtë kuptim, këto zgjedhje janë edhe një reprizë e betejës së vjetër të liberalëve me nacionalizmin maqedonas. Me temën e vjetër për padrejtësinë e cila i është shkaktuar popullit tonë në një vazhdimësi historike nga e kaluara deri më sot. Nëse është si ngushëllim, nuk ka popull në Ballkan i cili nuk do t’ua rrëfejë tregimin: se historia ka qenë e padrejtë ndaj tij. E kuptova se madje edhe sllovenët kanë një tregim të tillë: një njeri i ulur pranë rrugës po qante me dënesë; aty pranë kishte kaluar Zoti dhe e kishte pyetur se pse po qante, ai është përgjigjur se po qante se është slloven; Kur Zoti i dëgjoi fjalët e tij i ishte ulur pranë dhe kishte filluar edhe ai të qajë për fatin e tij.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit