Data e sotme
May 23, 2019

FITUES APO…?

Shkruan: Aleksandar Krzhallovski

 

Kaloi raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale, me dy rezultate mbresëlënëse: me dalje të ulët (nën 42%) dhe dallimin më të vogël deri më tani midis kandidatëve kryesues Pendarovski dhe Siljanovska (më pak se 1%, më saktë 0,6%).

Nata pas zgjedhjeve kaloi  me shpalljen e fitoreve prej të gjithë pjesëmarrësve në proces. Kandidati i Aleancës për Shqiptarët dhe Besës, Blerim Reka shprehu kënaqësi të madhe prej rezultatit zgjedhor, theksoi se votat e tij pothuajse 80,000 kanë qenë më shumë se pritshmëritë e tyre, ndërsa partitë që e nominuan e interpretuan këtë si fitore tek shqiptarët. Partia me konkurrencë në këtë bllok, BDI në pushtet, theksoi se kontributi i tyre për kandidatin e përbashkët me LSDM-në, Pendarovski është sigurisht më shumë se 80 mijë votat e Rekës dhe edhe ata u shpallën fitues tek shqiptarët ndërsa e shpallën fitues edhe konceptin për kandidat konsensual.

Për rezultatet tek pretendentët kryesor të pozitës presidenciale, LSDM dhe VMRO-DPMNE; duhet të pritet deri në mesanatë. Ndërsa atëherë, fillimisht Mickovski brohoriti “fituam” me kandidaten Siljanovska, që shpejtë më pas kryeministri Zaev me kandidatin Pendarovski të kumtojnë se kanë fituar ata, me diferencë të vogël por të mjaftueshme prej rreth 4,500 vota.

Gjegjësisht, kush fitoi? Dhe a pati fitues? Ose pati më shumë prej atyre të tjerëve?

 

Duke i krahasuar deklaratat e konkurentëve (shpesh kontradiktore), shpesh më bie ndërmend fraza ime e preferuar e Ajnshtajnit “gjithçka është relative” dhe se si secili arrin të prezentojë diçka si fitore apo sukses, kur shumica e argumenteve si edhe disa fakte, e flasin të kundërtën.

Si janë Blerim Reka dhe Aleanca/Besa fitues kur ai ra nga gara e mëtejme për president si edhe numri i votave nuk e arriti rezultatin e përgjithshëm të të dyja partive në zgjedhjet e kaluara?

Si është BDI fituese, kur u shënua dalje e ulët rekorde e shqiptarëve (mesatarisht rreth 20%) ndërsa pothuajse në të gjitha mjediset me popullatë dominuese prej kësaj bashkësie etnike më së shumti vota fitoi kandidati Reka (fitore në 9 komuna)? Dhe nëse të fituarit e pozitës së kryetarit të komunës në Dibër është ngushëllim i mjaftueshëm për rezultatin e dobët të kandidatit të përbashkët për president?

Si shpalli VMRO-DPMNE fitore, kur gjatë gjithë natës rezultatet e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve tregonin për epërsinë e kandidatit kundërshtar Pendarovski, ndërsa kështu doli edhe në fund me rezultatet përfundimtare? Dhe çfarë është kjo fitore me numrin më të vogël të votave të fituara prej të gjitha zgjedhjeve deri më tani?

Përfundimisht si është LSDM fituese (edhe pse është e saktë se kandidati Pendarovski është në epërsi në raundin e parë të zgjedhjeve dhe formalisht fituesi është ai), kur atmosfera në shtabin e tyre zgjedhor (në hotel Hilton), në mënyrë shumë ilustrative e përshkruar në tekstin e gazetarit Vllado Apostollov për portalin Prizma, e gjithë nata ishte e zezë dhe flitej përgjithçka tjetër pos për ndjenjën e fitores?

Nuk janë fitues as ithtarët e bojkotimit të zgjedhjeve, dhe u shënua dalje e ulët rekorde –pasi në fund megjithatë pati mbi 40% votues që është e mjaftueshme për arritjen e censusit, nëse përsëritet ky numër në raundin e dytë. Dhe duket se secili mund ta prezentojnë situatën në dritë më të mirë sesa që është në të vërtetë (dhe mbase është mirë që ndodh kështu – me sjellje dhe mendime pozitive) dhe në këtë kuptim duket se me të vërtetë gjithçka është relative. Në të vërtetë, kur Ajnshtajnin në një intervistë e kanë pyetur nëse me të vërtetë beson se gjithçka është relative ai është përgjigjur: absolutisht!

 

Dhe kush në të vërtetë fitoi? Cili është vlerësimi më real i rezultateve? Fituesi i parë e mbase edhe i vetmi të dielën ishte procesi demokratik, gjegjësisht fakti se dita kaloi pa incidente e madje me parregullsi minore (një vendvotim nuk u hap, një u shfuqizua, katër qytetarë e kishin fotografuar fletëvotimin etj.) dhe pothuajse pa ankesa. Të gjithë pjesëmarrësit i pranuan rezultatet e zgjedhjeve dhe nuk problematizuan asgjë lidhur me këtë.

Nuk pati informacione për shantazhe dhe presione për votim, dërgimin e listave të votuesve potencial ose “të sigurt” deri tek partitë, opstruksione që të votohet (të tipit ashensorë të prishur) e madje as për dhuratat “tradicionale” për votuesit (stilolapsë, çakmak, etj.).

Pas një kohe të gjatë, dita e zgjedhjeve është vlerësuar si “skandinave” dhe ky është një prej përfitimeve më të rëndësishme prej këtyre zgjedhjeve. Të paktën deri më tani. Dëshiroj të besoj se ky është përfitim i përhershëm dhe se më nuk do të merremi me çfarëdo parregullsish ose aq më pak dhunë dhe/apo konstestimin e rezultateve në zgjedhjet e ardhshme… por, nuk besoj se jemi mjaft “të pjekur” në këtë fushë edhe pse shpresoj, nuk pres ditë identike të qetë zgjedhore më 5 maj.

 

Të humbur, unë besoj, janë të gjitha partitë politike, të njëjtat që u shpallën fituese. Jehona nën 42%, në rrethana ku asnjë parti nuk bëri thirrje për bojkot, është shuplakë, një frazë e cila shpesh mund të dëgjohet dhe lexohet pas zgjedhjeve. Më e forta për koalicionin qeverisës, por shumë larg nga të qenit vetëm për ta (megjithatë, ata fituan apo jo). Dhe unë nuk do të hyj tani në detaje në lidhje me arsyet për këtë – mjaft janë theksuar dhe elaboruar në mediat dhe rrjetet sociale. Dhe të gjithë e kanë ndikimin e tyre të caktuar në dalje – nga reformat e parealizuara, çmimi i lartë për Marrëveshjen e Prespës dhe amendamentet kushtetuese, nepotizmi dhe dështimi për t’u ballafaquar me korrupsionin (pa drejtësi, nuk ka qetësi) tek pushteti, deri tek kujtesa e opozitës se nuk janë harruar gjërat nga “bombat”, korrupsioni i lartë dhe shteti i robëruar nga vitet e fundit të qeverisjes së tyre.

Përveç nivelit të ulët të besueshmërisë (vetëm gjyqësori e ka më të ulët) prej rreth 25%, partitë politike me këtë pjesëmarrje të ulët marrin një mesazh shtesë se mënyra se si ata veprojnë dhe veçanërisht se si ata ushtrojnë pushtetin kur janë në një pozitë të tillë – nuk është e mirë sa duhet, se nevojitet një prerje më radikale në vetë partitë dhe në të gjithë sistemin politik.

Nuk jam optimist se një gjë e tillë do të ndodhë së shpejti. Gjithsesi nuk ka kohë për ndryshime të rëndësishme deri në raundin e dytë të zgjedhjeve. Ndërsa atëherë çfarëdo që të jetë fushata dhe hapat të cilat do t’i ndërmarrin partitë, dikush në fund do të fitojë – dhe një ditë më pas, do të harrohet “shuplaka” e raundit të parë dhe partitë do të vazhdojnë ta bëjnë të veten!

 

Për mua ekzistojnë edhe disa fitues – ndërsa ato janë agjencitë e anketave. Edhe pse shumë në rrjetet sociale përsëri flasin se (përsëri) “nuk ia kanë qëlluar”, gjegjësisht të gjitha anketat e publikuara parashikuan epërsi të vogël të Pendarovskit ndërsa edhe të gjithë ato ishin në kuadër të gabimit statistikor prej 3,1% për ekzemplarë prej 1.000 të anketuar. Parashikimet e M-prospekt, IPIS dhe Rejting silleshin prej 2-3% diferencë për Pendarovskin dhe për çdo rezultat prej 0 deri në 6% diferencë – do të ishte i saktë. Dhe të gjithë ato – ia qëlluan!

Në raportin e MCMS-së të anketës së parë, të cilin e bëri M prospekt, në dispozicion në faqen e internetit mcms.mk, konkluzioni i parë thotë kështu: Stevo Pendarovski, kandidati i LSDM-së dhe BDI-së është në epërsi të vogël (25,0%) para Gordana Siljanovska Davkova, kandidate e VMRO-DPMNE-së (22,4%), gjegjësisht dallimi është 2,6 pikë për qind, që është në kuadër të gabimit statistikor, kështu që mund të themi se ishte një garë e ngushtë dhe me mundësi të barabartë për të fituar zgjedhjet !

Edhe në anketën e dytë, të punuar me IDSCS është parashikuar diferencë prej 3,7, me 3.15% të gabimit margjinal (gjegjësisht dallim të mundshëm pre 0,55 deri në 6,85), dhe kështu edhe rezultati i arritur është brenda parashikimit .

Madje edhe për pjesëmarrjen, edhe pse nuk është dhënë një vlerësim konkret (për shkak të dallimit të madh mes numrit të votuesve në listën zgjedhore dhe qytetarëve të pranishëm në vend), theksohet se  mund të mbështetet vetëm tek ata që iu përgjigjën me 10 pyetjes se sa janë të sigurt nëse do të dalin në votim, përkatësisht 41,8% (identik me numrin e votuesve të së dielës), ose më së shumti edhe në gjysmë ose të gjithë ata që janë përgjigjur me 9 (në këtë rast 7,9% ose së bashku me 10-tat , 49, 7%).

Por të mos tingëlloj edhe unë si justifikimet partiake, i lë lexuesit të kontrollojnë dhe komentojnë besueshmërinë e sondazheve të publikuara.

Rreth parashikimit të raundit të dytë – në kolonën e ardhshme!

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit

Latest posts by Администратор (see all)