Data e sotme
July 17, 2019
Foto: Print-skrin nga emisioni 360 në AlsatM

Një shqyrtim për zgjedhjet presidenciale

Shkruan: Denko Maleski

 

Zgjedhjet përfunduan me fitoren e kandidatit të LSDM-së dhe të BDI-së, Stevo Pendarovski. Populli i Maqedonisë së Veriut, megjithatë tregoi se magjia e nacionalizmit nuk është më si përpara. Në disa kohëra të kaluara një kandidat i cili e mbështet ndryshimin e emrit të shtetit do të kalonte në mënyrë katastrofike në zgjedhje. Në këtë kuptim, jemi të gatshëm të hapërojmë drejt botës moderne. Ajo që mungoi në një proces zgjedhor i organizuar sipas standardeve evropiane, është një finale e tillë evropiane. Në pajtim me praktikën e deritanishme, fat i cili i ndjek presidentët tanë famëkeq, nuk pati urime për presidentin e sapozgjedhur dhe njohje e legjitimitetit të tij. Përkundrazi, udhëheqësi i partisë opozitare i quajti zgjedhjet “falsifikim i rëndë me parregullsi zgjedhore” dhe e porositi “Zoran Zaevin dhe Stevo Pendarovskin” se “prej sot i pret një ferr i vërtetë”.

Cili është ky ferr? Shoh se kjo midis tjerash është kanosje se tema për “nënçmimin nacional maqedonas” brenda dhe jashtë nuk është mbyllur dhe edhe më tej do të përdoret në politikë si edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Më së lehti është që të luhet me çështjen e padrejtësisë nacionale dhe emrit. Këtë e dinë edhe dy partitë e Maqedonisë të cilat për tridhjetë vjet ishin në anën e njëjtë: nga një palë zgjedhje në zgjedhje të tjera, flisnin për padrejtësinë e cila i bëhet popullit maqedonas në një, siç preferojnë ta quajnë “kontest irracional”. Askush nuk ishte i vetëdijshëm për fjalët e historianit të famshëm anglez të shekullit të tetëmbëdhjetë Eduard Gibon, sipas së cilit “elementi irracional” në histori duhet gjithmonë të merret parasysh për atë që (historia) të mund të kuptohet. Pse pikërisht ky irracionalitet i dy nacionalizmave, njëri i cili Maqedoninë e Veriut e sheh si një emër të pastër grek dhe territor nga e kaluara e largët e deri më sot dhe i dyti, si atdheut të ndarë të pastër maqedonas që na është marrë prej vendeve përreth, ndërsa gjithmonë ka qenë i yni e bën zgjidhjen e rëndë. Ajo që dekadave të kaluara partitë e vendit nuk u angazhuan për një interpretim më ndryshe të historisë që do ta tejkalojë konfrontimin nacional në drejtim të kërkimit për një kompromisi më të mirë, pati edhe pasojat e veta ndaj këtyre zgjedhjeve presidenciale. Goditja prej zgjidhjes së shpejtë me ndryshimin e emrit edhe për përdorim të brendshëm u reflektua edhe në votat e rritura për kandidaten e nacionalistëve të cilët ishin kundër marrëveshjes së sponsorizuar ndërkombëtare. Pse? Ekziston një rregull në marrëdhëniet ndërkombëtare i cili thotë: Sa më e madhe rezistenca ndaj presionit nga jashtë, aq duartrokitje më të madhe në shtëpi. Rezistenca vendore ndaj forcave të mëdha perëndimore të cilat qëndruan pas Marrëveshjes së Prespës i ngrinte vetullat tek politikanët e tyre, por pati edhe ithtarë në vend.

 

“Nënçmimi nacional maqedonas” në vend, nga ana tjetër, sipas nacionalistëve shihet edhe në strukturën nacionale të trupit votues i cili u ndal pas presidentit të sapozgjedhur. Megjithatë, meqë më nuk është i njohur konfrontimi nacionalist i drejtpërdrejtë me shqiptarët, udhëheqësi i VMRO-DPMNE-së, zgjodhi të numërojë qytete dhe fshatra me popullatë dominuese maqedonase në të cilat fitoi kandidatja e tyre. Edhe në rastin tonë duhet të merret parasysh irracionaliteti i nacionalizmit maqedonas i cili vështirë se pajtohet me realitetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut multinacionale. Mendoj se një prej detyrave të reja të presidentit të ri është të drejtohet pikërisht në këtë pjesë të popullatës maqedonase që votoi kundër tij dhe ta përfitojë për politikën e re evropiane.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit