Data e sotme
May 23, 2019

HABEMUS PAPAM (PRESIDENT)

Shkruan: Aleksandar Krzhallovski

 

Në frymën e vizitës së sotme të Papa Françeskut në Maqedoni, mund ta huazojmë frazën e cila përdoret gjatë inaugurimit të çdo kryetari të Kishës katolike – Habemus papam ose Kemi Papë – për herë të parë në vendin tonë. Frazën e njëjtë do ta përdorja edhe për zgjedhjen e pardjshme për president të ri të shtetit (çdo ngjashmëri me një president tonin paraprak, nofka më e njohur e së cilit ishte pikërisht Papa, është rastësore).

 

Por, kemi president të ri – galiçanasin Stevo Pendaovski. Rezultatet përfundimtare tashmë janë të njohura dhe janë në dispozicion në faqen e KSHZ-së, ndërsa janë për rreth 60.000 vota diferencë në kushte të daljes prej 46,7% ose diç nën 850,000 votues. Një shqyrtim i vogël i procesit zgjedhor:

– u konfirmua se konkurrenca e rezultatit të raundit të parë (dallimi i vogël prej rreth 5.000 vota) kontribuoi për mobilizimin më të madh të partive dhe vetë votuesve për raundin e dytë;

– edhe pse dalja është rritur në raport me raundin e parë (saktësisht 5 pikë përqindje-pp) megjithatë është e vogël (pavarësisht faktit që lista zgjedhore nuk korrespondon me realitetin, dmth. numrin e banorëve të pranishëm në vend), që konfirmon “mesazhin” e votuesve për partitë për pakënaqësinë nga praktikimi i politikës;

– dita e zgjedhjeve kaloi në një atmosferë të qetë dhe pa pothuajse asnjë incident, pavarësisht të disa deklaratave të VMRO-DPMNE-së opozitare rreth parregullsive, megjithatë përshtypja e përgjithshme është se këto zgjedhje ishin të drejta dhe demokratike dhe pas një kohe të gjatë ato nuk janë të pakontestueshme (të paktën jo seriozisht dhe me ankesa konkrete) nga askush;

– diferenca përfundimtare prej 6,93 pp nga dalja e votuesve, ose 3,24 pp nga numri i përgjithshëm i votuesve, është shumë afër parashikimit të anketës së vetme për raundin e dytë (të agjencisë M-prospekt për RTVM, e cila ishte 2,4 pp epërsi për Pendarovskin, dmth ndryshimi në rezultatin e arritur është më pak se 1 pp). Duke pasur parasysh saktësinë dhe sondazhet e publikuara për raundin e parë të tre agjencive (M-prospekt, Rejting dhe IPIS), ne gjithashtu mund të konstatojmë një kthim ose konfirmim të kredibilitetit të këtyre agjencive;

– diferencën e realizuar në favor të Pendarovskit e sollën kryesisht votuesit shqiptarë. Rreth 80,000 vota diferencë ka në mjediset të cilat janë me shumicë të kësaj popullate (rreth 113,000 vota për Pendarovskin, kundrejt 33,000 për Siljanovskën) ndërsa në pesë prej këtyre komunave, Pendarovski ka marrë 90% të votave. Pendarovski në këto 15 komuna i fitoi 57 mijë vota më shumë sesa në raundin e parë, ndërsa Siljanovska vetëm rreth 5 mijë më shumë.

 

Pyetja është se cila parti nga blloku shqiptar është më meritore për këtë diferencë?

Dy ditë ka polemika në lidhje me këtë në rrjetet sociale, por meqenëse vetëm BDI kishte një fushatë aktive për raundin e dytë, shumica e meritave për zgjedhjen e Pendarovskit duket të jenë të tyret. Në dobi të këtij pohimi shkojnë dallimet e bëra në këto komuna në lidhje me votat e fituara nga kandidati i tretë, Blerim Reka, në raundin e parë. Për shembull, në Likovë, Reka i fitoi rreth 3.000 vota, dhe tani Pendarovski i mori rreth 5.000 vota më shumë (të paktën 2.000 vota “të reja”). Në Saraj ka rreth 1.000 vota të tilla.

Nga ana tjetër, komentuesit për të cilët BDI nuk është “simpatike”, theksojnë se në shumicën e këtyre komunave, numri i votave për Pendarovskin në raundin e dytë është në të vërtetë i ngjashëm me mbledhjen e votave të tij nga raundi i parë dhe atyre të Rekës, gjegjësisht që numri më i madh i këtyre votave të sapofituara për Pendarovskin të dielën janë pikërisht prej 80.000 votuesve të Rekës (gjegjësisht mbështetësit e Aleancës për Shqiptarët dhe Besës). Por në këto (15) komuna, Reka mori rreth 60 mijë vota (nga gjithsej 80 mijë) dhe rreth 52.500 ishin votues “të rinj” për Stevon.

Megjithatë, siç tha Kryeministri Zaev, partitë nuk i mbajnë këto vota në xhepat e tyre, kështu që edhe për këto 50,000 nuk mund të pohohet plotësisht se ata janë vetëm përkrahës të BDI-së, si edhe për 60,000 të tjerat të diferencës që e bëri Pendarovski në raundin e dytë në këto mjedise janë përkrahësit e Aleancës ose Besës (ose PDSH-së apo partive të tjera shqiptare). Më afër të së vërtetës mund të vihet vetëm duke kontrolluar listat e votuesve dhe në krahasim me atë se në ç’masë personat e njëjtë kanë votuar në të dyja raundet dhe sa janë me të vërtetë votues “të rinj”. Partitë që patën vëzhguesit e tyre në qendrat e votimit mund të jenë në gjendje t’i tregojnë këto shifra, por dyshoj se do të dalin me këto të dhëna dhe do të vazhdojnë me pretendimet e tyre se pikërisht  “mbështetësit” e tyre i sollën fitoren Pendarovskit. Edhe në këtë rast, nuk mund të thuhet se “të kujt” janë këta votues e aq më pak se si do të votonin ata në zgjedhjet eventuale parlamentare(lokale), siç treguan rastet e Ohrit dhe Novosellës, ku votues të njëjtë u sollën fitore kandidatëve për kryetarë të LSDM-së, por njëherësh i dhanë përparësi Siljanovskës kundrejt Pendarovskit në garën presidenciale!

 

Si do që të jetë, habemus president, në zgjedhje të qeta dhe demokratike, në zgjedhje të karakterizuara me dalje të ulët të votuesve dhe “dënim” të partive, në të cilat fituesi Pendarovski e fitoi shumicën prej votuesve të dalë në zgjedhje, por Siljanovska fitoi shumicë tek bashkësia më e madhe, gjegjësisht tek maqedonasit etnikë.

Me këtë në njëfarë mënyre u konfirmua mbështetja për Marrëveshjen e Prespës dhe ndryshimet kushtetuese të cilat u sollën me shumicë prej dy të tretash në Kuvend në janar, por u dëshmua edhe se për shumicën maqedonase marrëveshja nuk është e mirë sa duhet dhe Qeveria duhet me shumë kujdes të vazhdojë me zbatimin e saj të mëtejmë veçanërisht lidhur me punën e komisioneve të cilat janë formuar për çështje të ndryshme (nga ato historike e deri tek markat ekonomiko-tregtare) dhe me shpejtësinë e zbatimit të disa prej dispozitave (të pritet me fillimin e negociatave për BE-në dhe hapjen dhe mbylljen e disa kapitujve të caktuar nga ky proces).

 

Në fund, ndonjë fjalë edhe për vizitën e sotme të Papa Françeskut. Gjithsesi, si edhe shumë gjëra të tjera, kjo vizitë do të karakterizohet si “historike”. Mund edhe të quhet e tillë, duke e pasur parasysh se është vizita e parë e një pape në Maqedoni si shtet i pavarur (e ndoshta edhe në përgjithësi). Në çdo rast është e rëndësishme edhe nga aspekti kishtar edhe politik. Ky është papa i parë i cili pranoi ta vizitojë Maqedoninë edhe pse dy paraardhësit e tij (Gjon Pali II dhe Benedikti XVI) u ftuan dhe vjen në kohën pas përmbylljes së marrëveshjes me Greqinë.
Në këtë kuptim shihet edhe si mbështetje ndërkombëtare e rëndësishme për eurointegrimet tona të mëtejme. Nga aspekti kishtar, vizita shihet edhe si mbështetje për bashkësinë e vogël katolike (rreth 15,000 persona) në vend, për përfshirjen e saj më të madhe dhe ndikimin e ngjarjeve në shtet.
Në aspekt më të gjerë, si papë i përkushtuar në ekumenizmin, gjegjësisht bashkëpunimin më të afërt të bashkësive fetare në botë, veçanërisht krishtere, kjo vizitë me siguri do të jetë edhe pjesë e mozaikut ndaj tejkalimit eventual të ndarjes 1000-vjeçare në krishterizëm, nga skizma e madhe në vitin 1054 dhe rrugët e ndryshme që atëherë i morën kisha lindore dhe perëndimore, gjegjësisht ortodoksia dhe katolicizmi.

Gjithsesi, ky proces do të zgjasë dhe ndoshta asnjëherë nuk do të përfundojë me “bashkimin” e sërishëm por siç thonë disa komentues perëndimorë edhe me këtë vizitë, Papa Françesku do të sjellë “punë të mëdha në paketime të vogla”. Fokusi i vizitës do të jetë edhe tek të varfrit, edhe tek emigrantët/refugjatët, ndërsa vend të veçantë në vizitën e tij do të ketë përkujtimi i shkupjanes Nënë Tereza, e cila midis tjerash është edhe një prej simboleve më të mëdha të bashkësisë në këto hapësira, me rrënjët e saj vllahe dhe shqiptare ndërsa praktimi i traditës fetare krishtere.

Le t’i dëshirojmë mirëseardhje dhe ta presim për herë të parë në Maqedoni, dhe më pas edhe ne do të mund të themi “Habemus (kemi) papa”.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit

Latest posts by Администратор (see all)