Data e sotme
July 17, 2019

PËRTEJ FITOREVE DHE HUMBJEVE

Shkruan: Bardhyl ZAIMI

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut kanë vulosur orientimin properëndimor të shtetit. Shumica e qytetarëve me të drejtë vote u përcaktuan për kandidatin, Stevo Pendarovski, i cili gjatë fushatës ka promovuar politika integruese që janë në përputhje me pritjet e shumicës së qytetarëve dhe në përputhje me gjithë angazhimet disavjeçare të bashkësisë ndërkombëtare. Zgjedhjet presidenciale janë parë si një moment vendimtar i betejës politike mes dy vizioneve të promovuara nga opozita maqedonase dhe koalicioni qeverisës. Njëri vizion që kërkonte rrishqyrtimin e procesit politik të finalizuar me Marrëveshjen e Prespës dhe vizionit politik të koalicionit qeverisës që kishte qëndruar pas këtij procesi dhe që i kishte dhënë fund një kontesti përmbi dy dekada rreth çështjes së emrit me Greqinë fqinje.

Mediat e huaja, por edhe përfaqësues të lartë të bashkësisë ndërkombëtare kanë theksuar se në këto zgjedhje ka ngadhënjyer kandidati me profil proevropian, Stevo Pendarovski. Në opinion, fitorja e Pendarovskit është komentuar si përmbyllje e një procesi që i siguron Maqedonisë një rrugëtim drejt proceseve integruese. Zgjedhjet presidenciale janë parë si kapitulli i fundit i një sage politike me shumë tensione që ndërlidhet me orientimin gjeostrategjik të Maqedonisë. Me mbi 50 mijë vota më shumë kjo fitore është interpretuar si ngadhënjim i kursit politik të koalicionit qeverisës.

Pas përfundimit të procesit zgjedhor nuk kanë munguar edhe intepretimet e rezultateve nga secila parti. Në bllokun politik shqiptar partitë e koalicionit qeverisës që janë rreshtuar pas kandidatit të përbashkët, BDI, PDSH dhe Alternativa këtë fitore ia kanë përshkruar angazhimit vendimtar të tyre, ndërkohë që nuk kanë munguar edhe akuzat ndaj partive opozitare për një bojkot të heshtur në rrethin e dytë të zgjedhjeve. Opozita nga ana tjetër ka theksuar se pikërisht vota e tyre ka siguruar cenzusin në rrethin e dytë.

Përtej këtyre përplasjeve të zakonshme, rezultatet zgjedhore flasin për një pjekuri demokratike të elektoratit në Maqedoni. Fitorja e Stevo Pendarovskit, i dedikohet promovimit të politikave të matura dhe inkluzive si dhe orientim properëndimor. Shumica e qytetarëve janë rreshtuar me këtë substancë politike, e cila dimensionon një rrugëtim politik që është në përputhje me pritjet e shumicës së qytetarëve në Maqedoni pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike dhe fetare. Kjo votë sigurisht duhet të lexohet në mënyrë korrekte, duhet të lexohet si një moment reflektimi qytetar në një kontekst të dhënë të brendshëm dhe gjeostrategjik.

Përtej fitoreve dhe humbjeve ky rezultat zgjedhor vjen si një mesazh i madh për atë se çfarë në të vërtetë pëfaqëson dhe reflekton Maqedonia si shtet. Ky mesazh elektoral pretendon t’i jape zë konceptit të shtetit multietnik dhe prirjes qytetare për barabarësi për të gjithë. Ky koncept realisht është reflektuar në këto zgjedhje si votë dominuese në raport me një koncept tjetër, i cili pëkundër disa përpjekjeve të vogla nuk ka arritur të dalë nga lëvozhga e ideologjive ekskluzive nacionale.

Padiskutim, këto zgjedhje në radhë të parë, presidentit të ri të Maqedonisë ia ofrojnë logjikën e funksionimit në të ardhmen të funksionit president shteti që duhet të jetë në përputhje me këtë vullnet elektoral të manifestuar më tepër si platformë rrugëtimi. Përtej fitoreve dhe humbjeve të intepretuara nga partitë, këto zgjedhje shpërfaqen realisht ndjeshmërinë e shumicës së qytetarëve për një koncept inkluziv që përbashkon rreth idesë së një shteti modern që tashmë duhet t’i tejkalojë praktikat dhe logjikat e deplasuara politike dhe të vihet në rrugën e afirmimit të vlerave të përbashkëta demokratike të kultivuara në frymën e një respekti të ndërsjellë dhe në frymën e vlerave europiane.

Sigurisht, ky pretendim mbetet me shumë sfida, ndërkohë që rezultatet zgjedhore tregojnë për një votë solide edhe të kandidates të përkrahur nga partia opozitare maqedonase, e cila tashmë ka paralajmëruar se do të bëjë presion mbi qeverinë për zgjedhje të parakohshme. VMRO-DPMNE rezultatet zgjedhore i ka lexuar si një rikthim të fuqishëm politik të tyre, ndërkohë që kanë numëruar komunat në të cilat ata kanë grumbulluar më tepër vota.

Megjithatë, këto ishin zgjedhje presidenciale, pavarësisht se rezultatet mund të lexohen sikur ata të ishin zgjedhje lokale ose parlamentare. Ky fakt tashmë krijon një moment reflektimi nga të gjitha partitë politike në raport me pritjet e qytetarëve dhe në raport me gjithë suazën e angazhimeve që vijnë si “detyra shtëpia” nga ana BE-së. Përtej fitoreve dhe humbjeve, “triumfalizmit” dhe “zhgënjimeve” të momentit, ndodhet një realitet kokëfortë që për çdo ditë kërkon përgjigje nga qeveria dhe përgjithësisht nga politika.

Vota për kandidatin e përbashkët presidencial mbetet një moment kthjelltësie elektorale pavarësisht nga një mijë zhgënjimet që mbizotërojnë te qytetarët që realisht u manifestuan në rrethin e parë të zgjedhjeve. Kjo votë e tejkalon vetveten, i tejkalon zhgënjimet dhe “mburrjet” e sukseseve që vazhdojnë të mos prekin në jetën e qytetarëve. Kjo votë për më tepër është triumf i pjekurisë politike të elektoratit që në një moment të caktuar lë anash gjithë zhgënjimet e arsyeshme dhe e vendosë veten në koordinata strategjike afatgjata. Kjo nuk është votë “mburrjeje”, por një votë e angazhimit korrekt të të gjithë protagonistëve që kanë një vizion europian mbi Maqedoninë e Veriut.

Me këtë votë, me një pjekuri të jashtëzakonshme, përmbyllet një proces që kishte filluar me Marrëveshjen e Përzhinos dhe ishte finalizuar me Marrëveshjen e Prespës, si një e arritur bazike për anëtarësim të Maqedonisë në NATO dhe si një mundësi për të hapur negociatat me BE-në. Përtej fitoreve dhe humbjeve, secila parti politike duhet të shohë një moment reflektimi për t’u angazhuar dhe punuar në procesin e rëndë dhe të pakthyeshëm të anëtarësimit në NATO dhe BE. Mbase është momenti i fundit, që përtej fitoreve dhe humbjeve, të kuptohet realisht mesazhi elektoral në të dy rrethet zgjedhore, për t’iu dhënë kuptim dhe përgjigje pritjeve të qytetarëve.

Triumfalizmi i fitores në asnjë rast nuk guxon të mbulojë gjithë ato defekte të qeversjes që janë shfaqur përgjatë më tepër se dy viteve. E tha edhe kryeministri Zaev në rrethin e parë se e ka marrë mesazhin e qytetarëve. Fitorja e Pendarovskit shpërfaqi vullnetin politik për t’u rreshtuar me vlerat perëndimore, për të marrë pjesë në implementimin e një koncepti tjetër politik që nënkupton një sistem vlerash që do të kultivohen pandëprerë në hapësirën politike dhe institucionale.

Përtej fitoreve dhe humbjeve qëndron një hapësirë e angazhimit të përditshëm institucional që e nënkupton qeverisjen e mirë, sundimin e ligjit, kultivimin e interkulturalitetit, mundësitë për të gjithë dhe drejtësinë si kryeshtyllë të progresit. Është koha për të reflektuar në të gjitha këto dimensione, sigurisht gjithnjë duke pasur parasysh rolin e një opozite racionale, e cila do t’iu japë kuptim dinamikave politike në funksion të një rrugëtimi të pakthyeshëm drejt BE-së. Përtej fitoreve dhe humbjeve qëndron përditshmëria e zymtë, por edhe mundësia për të korrigjuar praktikat e deritashme që kanë prodhuar realisht një zhgënjim të vazhdueshëm të qytetarëve.

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit