Data e sotme
July 17, 2019

Presidenti

Shkruan: Trifun Kostovski

 

Nuk mundem dhe të mos e shpreh kënaqësinë time dhe gëzimin tim lidhur me zgjedhjet presidenciale të realizuara me sukses. Edhe në raundin e parë edhe në të dytin, nuk pati incidente, nuk pati parregullsi. Gjithçka u zhvillua në frymë dinjitoze dhe demokratike. Do të thosha, prej kohësh nuk kemi dëshmuar për një nivel të tillë të kulturës politike.

Zotit Pendarovski ia uroj fitoren dhe do ta përkujtoj në kolumnat e mia sot e tutje se është president i të gjithë qytetarëve të Republikë së Maqedonisë dhe se duhet t’i përfaqësojë interesat e të gjithë qytetarëve pa dallim të përkatësisë së tyre fetare, etnike dhe politike. Ai këtë edhe vetë e premtoi dhe nënvizoi. Shpresojmë se ashtu do të jetë dhe se askush nuk do ta pengojë në qëllimet dhe vizionet e tij të shprehura politike.

Përgëzime edhe për zonjën Siljanovska Davkova për paraqitjen e saj dhe marrëdhënien e saj origjinale dhe civilizuese gjatë gjithë fushatës. Përgëzime për të dy.

Të nderuar lexues të mi sado që funksioni i presidentit kontestohet prej shumë bashkëqytetarëve si edhe ndikimi i tij në zhvillimin e përgjithshëm të Republikës së Maqedonisë, megjithatë jam i bindur se ky funksion është mjaft i rëndësishëm. Kjo është fija kryesore në thurjen e rrugës tonë drejt integrimeve euroatlantike. Por, nënkuptohet, institucioni President do të jetë i rëndësishëm dhe do të jetë me ndikim aq sa ka fuqi ta imponojë ndikimin e vet personi që është bartës i këtij funksioni.

Shpresoj zoti Pendarovski se do t’i plotësojë pritshmëritë e të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë në planin socio-ekonomik, kulturor dhe politik, duke e arsyetuar besimin e qytetarëve të cilët votuan dhe i dhanë mbështetje.

Ajo që e pres është investim i fuqishëm i presidentit të ri në vendosjen dhe përforcimin e kohezionit midis grupeve të ndryshme etnike, kulturore dhe ideologjike, veçanërisht në bllokun maqedonas. Ndoshta do ta pyesni veten se pse për mua ky është aktivitet imperativ i presidentit të ri.

Zoti Pendarovski është zgjedhur me shumicë votash të të gjithë pjesëtarëve të shoqërisë tonë multikulturore dhe kjo është shenjë se si duhet të sillemi në të ardhmen gjatë çdo cikli zgjedhor. Edhe pse nuk kemi të dhëna zyrtare, është evidente se zonja Siljanovska Davkova 99% të votave të saj i fitoi prej maqedonasve etnikë. Kjo duhet të jetë sfidë për presidentin e ri dhe me veprimet e tija shumë më shumë t’i kushtohet unitetit në bllokun etnik maqedonas.

Është fakt se Maqedonia është shtet multikulturor, në të cilin dialogu interkulturor është me rëndësi të madhe për stabilitetin e ardhshëm politik, megjithatë popullata maqedonase e paraqet 2/3 e popullatës së përgjithshme në shtet dhe është bartësi kryesor i karakterit shtetformues në shtetin tonë.

Si biznesmen duhet ta shpreh kënaqësinë time, pasi për një vit e gjysmë nuk do të kemi zgjedhje, ndërsa vetë zgjedhje do të thonë stagnim për ekonominë, ndërsa akoma më shumë ndarje e indeve etnike të cilat e përbëjnë Republikën e Maqedonisë.

Dëshiroj të bëj apel se është momenti i vërtetë politik kur të gjithë aktorët politik të cilët mund të ndikojnë ndaj zhvillimit shoqëror duhet të fokusohen në eliminimin dhe ballafaqimin me ndarjet ndëretnike dhe ndarjet e brendshme etnike dhe me atë të na bindin neve qytetarëve se kanë vizion të qartë dhe strategji për të ardhmen dhe progresin e vendit tonë, veçanërisht në segmentin e zhvillimit të shpejtë ekonomik.

Le të më ndjejnë lexuesit që nuk e përdor nocionin “e Veriut” për arsye se akoma me vështirësi në mendime dhe në gjuhë më hyn kjo zgjidhje që në dukje është e detyrueshme dhe qesharake, e imponuar prej bashkësisë ndërkombëtare. Për mua është çështje e mbaruar me emrin, por do të më lejoni të paktën në kolumnat e mia ta quaj atdheun me emrin të cilin e zgjodhëm vetë dhe të cilin e mbaj në mend si emri i vetëm gjatë gjithë jetës time.

Radhën e keni ju zoti Pendarovski.

 

Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit