Data e sotme
July 22, 2019

NJË PROCES, DY PAMJE

Shkruan: Bardhyl ZAIMI

Në Maqedoni e Veriut, por përgjithësisht në Ballkan, proceset politike që sigurojnë të ardhme europiane përbyllen me vështirësi. Me presidentin e ri, Stevo Pendarovski, tashmë është përmbyllur një proces, i cili ka njohur situata dramatike që nga shfaqja e krizës politike dhe institucionale pas “bombave” të publikuara nga opozita e atëhershme, LSDM, që tashmë më tepër se 2 vjet drejton qeverinë më hetorogjene të mundshme. Në njëfarë mënyre, Maqedonia e Veriut, duket se ka dalë nga një tunel i errët i ngatërresave rajonale, të cilat jo njëherë janë shfrytëzuar edhe për përplasje të forta partiake. Për më tepër se 20 vite, çështja e emrit ka prodhuar konfliktualitete të brendshme në kufijtë e demonizimeve politike.

Maqedonia e Veriut duket se tashmë ndodhet në një stad tjetër më të relaksuar për sa i përket këtij konteksti rajonal, por edhe një një fazë tjetër më të relaksuar në planin e marrëdhënieve ndëretnike dhe marrëdhenieve tjera politike. Gjithë ky proces i tejkalimit të këtyre situatave të përcjella me ngerçe të pafundme politike gjatë tërë kohës është shtyrë përpara nga një vullnet i kristalizuar i shumicës së qytetarëve, të cilët kanë dhënë provën më sublime për mbështetje të kursit euroatlantik të shtetit. Çdo mendjemadhësi politike që e injoron këtë fakt elektoral dhe përgjithësisht qytetar shumë pak kupton nga kjo urtësi që më tepër ndërlidhet me një moment historik se sa me “suksese” të proklamuara nga qeveria.

Ky tejkalim i ngërçeve politike të stimuluara vazhdimisht nga aktorë të jetës politike dhe publike mbetet një shëmbull tipik i një vetëdije të lartë qytetare. Një vetëdije që brenda gjithë kaosit të shfytyrimeve demokratike të ndodhura përgjatë periudhës së gjatë të tranzicionit ka pasur sensin për të kapur momentin e shndërrimit cilësor, momentin e projektimit në një hapësirë tjetër afirmimi që nënkupton normalitet politik. Ky sensibilitet progresiv brenda kohës ka pësuar edhe “tronditje” politike, të cilat në rrugë e sipër janë shfaqur si “kompensime” në emër të drejtësisë. Në këtë drejtim, gjithnjë duhet të kemi parasysh “kompromiset” e dhimbshme me drejtësinë për të siguruar votat e nevojshme në parlament për Marrëveshjen e Prespës. Nga shumë aktorë të jetës publike ky kompromis është parë si shfytyrim i drejtësisë, si zmbrapsje nga drejtësia për keqbërësit e 27 prillit të përgjakshëm në parlament.

Shfaqja e shumë rasteve të nepotizmit në opinion, por edhe dyshime tjera për raste të korrupsionit dhe abuzimeve tjera qeverisëse kanë krijuar çarjen e madhe të besimit në qeverinë aktuale, e cila nuk ka arritur që brenda këtyre proceseve jetike për të ardhmen e qytetarëve t’iu japë përgjigje edhe defekteve të shumta.

Gjithë procesi i shkëputjes nga humnera e tranzicionit të stërzgjatur, nga praktikat konfliktueze dhe autoritare dhe nga keqqeverisja e mëhershme ka kaluar nëpër dy gjendje kundërshtuese njëra me tjetrën. Njëra gjendje mund të përshkruhet si vullnet i orientuar qytetar drejt vlerave euroatlantike, ndërsa gjendja tjetër ruan brenda vetes një zhgënjim nga gjithë ato premtime që u bënë nga qeveria aktuale. Pikërisht mbi këtë dyzim të arsyeshëm ka ngadhënjyer sensi mbi momentin historik që përcakton koordinatat e së ardhmes pavarësisht nga dështimet e qeverisë, pavarësisht nga një mal problemesh që ndodhen përpara qytetarëve.

Ky moment i tejkalimit të vetvetes, i tejkalimit të zhgënjimeve të arsyeshme flet për një fakt të thellë se gjërat nuk mund të shihen gjithmonë bardh e zi. Në dritë-hijet e këtij procesi padiskutim duhet të dallojmë edhe një angazhim korrekt politik properëndimor të koalicionit qeverisës. Njësoj siç duhet të afishohen zhgënjimet nga qeverisja e dertitashme, njësoj duhet të afishohet edhe kursi i politikave që kanë qenë në sinkron me angazhimet e bashkësisë ndërkombëtare në planin e orientimit bazik të Maqedonisë së Veriut.

Sidoqoftë, ky mbetet vetëm fillimi i një rrugëtimi që pritet të ndodh në të ardhmen. Një fillim prapa të cilit mbeten shumë momente dramatike politike, shumë barriera që harxhuan shumë energji politike. Një fillim që brenda vetes ka një lodhje dhe zhgënjim qytetar, një mosbesim se pavarësisht përbylljes së një procesi politik që hap shtigje të reja gjërat rëndë mund të lëvizin përpara.

Pas gjithë kësaj maratone të lodhshme qytetarët me të drejtë presin hapjen e negociatave për anëtarësim të vendit në BE. Ata presin që më në fund të hapet ky proces që siguron normalitet dhe shpresë së gjërat do të lëvizin në drejtim të duhur. Komisari për zgjerim të BE-së, Johanes Han, ka bërë të ditur se në fund të këtij muaji Komisioni Europian do të rekomandojë hapjen e negociatave për anëtarësim të plotë të Maqedonisë. Përfaqësues qeveritarë kanë shfaqur besimin se një gjë e tillë do të ndodhë, ndërkohë që ka paralajmërime se asgjë nuk është e sigurtë. Nuk dihet nëse parlamentet e disa vendeve anëtare të BE-së do ta miratojnë këtë rekomandim në mënyrë që Këshilli i Ministrave të vendosë për hapjen e negociatave. Qarkullojnë informacione se disa vendeve do t’iu duhet më tepër kohë që të marrin “aminin” e parlamentit.

Sidoqoftë, duket se vëmendja e qytetarëve ndaj punës së qeverisë në periudhën vijuese do të do jetë shumë më e madhe. Pas përmbylljes së një procesi politik llogaridhënia e qeverisë mendohet të jetë në fokusin e qytetarëve. Kryeministri Zaev ka paralajmëruar “fshesën” për shumë funksionarë që nuk kanë treguar rezultate në qeverisjen aktuale. Tashmë koalicioni qeverisës e ka edhe funskionin e kryetarit të shtetit. Një pushtet të plotë ng ai cili tash e tutje do të kërkohen rezultate shumë më të prekshme. Shumëçka besohet se do të varet nga hapja e negociatave, por edhe nga vullneti i qeverisë që përfundimisht t’iu kthehet reformave të mirëfillta që sigurojnë zhvillim.

Alibitë e “proceseve” të rënda politike dhe vetëm retorikat proevropiane duket se nuk do të kalojnë më te qytetarët, të cilët kërkojnë rezultate të prekshme në të gjitha fushat. Mbetet në dorën e qeverisë që të tregojë nëse i ka marrë leksionet e duhura brenda kësaj kohe për mënyrën e qeverisjes. Procesi i negociatave dhe angazhimet e brendshme konkrete në procesin e reformave janë komplementare. Tashmë është siguruar edhe një minimum normaliteti politik për t’u përqendruar në reformat aq shumë të trumbetuara. Gjithçka varet nga standardet e qeverisjes që do të vendosen në këtë kohë pritjeje. Një vit e pak më tepër deri te zgjedhjet e rregullta parlamentare nuk janë kohë e shkurtër për të treguar rezultate, por as edhe kohë e gjatë për ta humbur në retorika boshe!

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit