Data e sotme
June 25, 2019

PËRÇARJET

Shkruan: Aleksandar Krzhallovski

 

Është thjeshtë e pabesueshme se si polarizimi në shtet çdo ditë ofron arsye të reja për përçarje, për nxitjen e jotolerancës (ndërsa tek shumë njerëz edhe urrejtje) ndaj “atyre të tjerëve” dhe për shtrirjen e të gjithë paletës së ofendimeve, sharjeve dhe lloj-lloj “argumenteve” të tjera nëpër mediat sociale.

Edhe pse ka diçka të mirë prej nxjerrjes “të së keqes prej nesh” publikisht, pjesa më e madhe e ndarjeve nuk janë në bazë të përkatësisë etnike, prej të cilës të gjithë ne disi më së shumti frikohemi pas asaj që na ndodhi në vitin 2001, por në linjë partiake – nëse komentohet në aspektin e ithtarit, simpatizantit apo pjesëtarit të pushtetit (koalicionit në pushtet) apo opozitës, ndërsa në kuptimin më të ngushtë, reduktohet në përkatësinë e dy partive më të mëdha VMRO-DPMNE dhe LSDM.

Dhe kjo nuk është vetëm prej para ca kohësh, para një ose dy viteve ose nga fillimet e tranzicionit në pluralizmin politik (të mos them demokracisë, pasi akoma nuk e kemi kuptuar se çfarë është kjo dhe se si duhet të funksionojë një sistem i tillë), ndërsa më kujtohet se në mënyrë eksplicite detektohej në hulumtimet për diskriminim diku midis vitit 2007 dhe 2009, kur përkatësia partiake “e ndërmori udhëheqësinë” si baza më e zakonshme për diskriminim.

Që atëherë, ndarjet “nuk lëshojnë pe” dhe vetëm rriten. Nga qëndrimi ndaj projektit Shkupi 2014, përmes kritikës apo mbrojtjes së qeverisjes së VMRO-DPMNE-së në 11 vitet e fundit apo të gjitha këto vite edhe presidentit Ivanov në periudhën e njëjtë, deri tek referendumi dhe Marrëveshja e Prespës, si çështjet më kurciale, por edhe raste të tjera të përditshme.

 

Si të fundit në këtë varg (nënkuptohet – tani për tani… kjo e keqe nuk do të kalojë aq shpejtë), këtë javë aktuale ishin raste Pavle (Bogoevski) dhe Tamara (Todevska). Nuk do t’i komentoj personalisht, aq më pak të moralizoj (kështu është dashur – ashtu është dashur), por vetëm të tregoj se sa me anshmëri shihen gjërat, pavarësisht nëse veprohet prej “anës së njëjtë” ose “prej të tjerëve”. Dhe kur nuk ka ose me të vërtetë nuk ka përkatësi partiake të protagonistit kryesor (si në rastin e Tamarës), menjëherë notojnë “pështymat” ndërsa më pas “edhe mbrojtësit e veprës” që të zhvillohet “debat” mbase edhe “luftë e tërë interneti”. Dhe çdo tentim në mënyrë të argumentuar të qaset ndaj rastit më shpejtë do të përfundojë me (dis)kualifikimin e atij që ka tentuar të thotë diçka të mençur, t’i takojë ose është i afërt me të parët apo me të tjerët. Ndërsa me këtë humbet edhe kuptimi i debatit dhe për fat të keq gjithnjë e më shumë mbytemi në këtë polarizim, prej të cilët nuk del gjë e mirë.

 

Në rastin e deputetit Bogoevski, publikimi i bisedës së përgjuar për gjoja furnizimin e substancave të ndaluara, u përshpejtua me atë që njeriu të akuzohet për vepër penale, për moralizator të rremë (si një prej përfaqësuesve më aktiv dhe më të zëshëm të Revolucionit të larmë), e deri tek vërja nën pikëpyetje e aftësisë afariste për gjykim (për shkak të përdorimit eventual të kësaj substance të ndaluar – për të cilën duhet të përcaktohet se çfarë ka qenë, edhe pse vetë deputeti deklaroi se bëhet fjalë për marijuanë mjekësore), me “pasoja të largëta, si votimi i Marrëveshjes së Prespës dhe për ndryshime kushtetuese”.Nga ana tjetër, menjëherë u gjetën edhe “mbrojtësit” të cilët shpejtuan të theksojnë se bëhet fjalë për “materiale të përgjuara në mënyrë ilegale”, se ndoshta bëhet fjalë për substancë ilegale, por se është në fazë progresive procedura për legalizimin e saj (marijuanës) dhe se ajo është legalizuar në pjesën më të madhe të botës progresive, ndërsa gjithsesi e përshëndetën edhe paraqitjen me vetiniciativë të deputetit në polici.

Do të jetë interesante të hetohet, të paktën për kritikët më të mëdhenj dhe mbrojtësit në këtë rast, që të njëjtit kanë shkruar në temë të ngjashme (si “bombat e Zaevit” për shembull), vetëm para ndonjë viti, por jo vetëm që nuk do të më befasojë, por për disa edhe vetë e di pasi i kam lexuar në kohë, se me ashpërsinë e njëjtë i mbrojnë saktë argumentet e kundërta prej asaj që e bëjnë tani.

Kështu shumë prej atyre që në shkurt të vitit 2015 u tmerruan nga bisedat telefonike të përgjuara në mënyrë të paautorizuar (dhe i quanin materiale të shkurtuara, të ngjitura dhe të montuara), tani janë përplot me lëvdata për drejtuesin e taksisë – informator ose kushdo që është ai që e ka incizuar deputetin dhe ka vendosur ta dorëzojë (ose me siguri – ta shesë) incizimin që të publikohet. Të tjerët nga ana tjetër “dëshmojnë” se nuk është e njëjtë, gjegjësisht se kjo atëherë ka qenë e arsyeshme që të zbulohet krimi dhe korrupsioni, ndërsa tani bëhet fjalë për ndihmën e një të afërmi në nevojë.

Ata të rrallët, nga ana tjetër “zërat e maturisë” të cilët tregojnë se deputeti është “kabaet”, se është mirë që është paraqitur vetë ditën e njëjtë me publikimin e incizimit dhe se duhet tani të lihen institucionet që ta hetojnë rastin dhe të veprojnë në mënyrë përkatëse, në vend që të dramatizohet dhe ngrihet eufori rreth kësaj, mbeten të vetmuar në detin e komenteve të tjera, “analiza”, statuse në fejsbuk dhe tuiter dhe deklarata në media… ndërsa përçarjet edhe më tej thellohen.

 

Dhe derisa për deputetin, i cili edhe pse i pavarur (nuk është anëtar i asnjë partie), megjithatë është pjesëtar i koalicionit qeveritar, dhe deri diku mund të kuptohet mobilizimi partiak “pro dhe kundër” figurës dhe veprës së tij, nuk mund ta kuptoj se si arritëm të ndahemi rreth paraqitjes së Tamara Todevskës në Eurovizion javën e kaluar.

Pavarësisht se çfarë mendojmë për këngën “Proud” (mua personalisht nuk më pëlqen dhe e vlerësoj si kombinim oportunist të muzikës së Adel dhe sloganeve të hedhura korrekte politike, në temën aktuale në mbarë globin si barazia gjinore… e cila, mbase mu për atë solli rezultat), ose për këngëtaren (njëjtë, nuk jam fans i madh i Tamarës, por vlerësoj se pati performancë të shkëlqyer në Tel Aviv, e nxori maksimumin nga kënga dhe e performoi në mënyrën më të mirë të mundshme, pa gabime, me emocion dhe fuqishëm), është e pakontestueshme se u arrit suksesi më i madh deri më tani prej të gjitha njëzet performancave tona në Eurovizion dhe është e pakuptueshme se ka njerëz të cilët nuk gëzohen për këtë e madje edhe u pëlqen që pasi gjatë gjithë natës ishim në epërsi, ramë madje në pozitën e tetë.

Edhe pavarësisht asaj se çfarë mendojmë për Marrëveshjen e Prespës dhe për “Verioren” (unë personalisht kam votuar kundër referendumit, nuk më pëlqen ndryshimi i emrit – jo për shkak të mbiemrit Veriore, por për shkak të vlerave të shkelura fundamentale evropiane – e drejta e vetëvendosjes, qeverisjes të së drejtës, drejtësia dhe jodiskriminimi), ai tani është emër kushtetues i shtetit dhe derisa eventualisht nuk ndryshohet përsëri, nën këtë emër do të prezantohet kushdo qoftë në Eurovizion, si edhe të gjitha seleksionet tona sportive dhe të gjithë përfaqësuesit e tjerë zyrtarë – kudo… dhe në këtë kuptim është marrëzi të nënvlerësohet Tamara për shkak të emrit të shtetit.

Polarizim plotësues u bë me komentet për diasporën – nëse kanë votuar ose jo, nëse kanë votuar mjaftueshëm ose jo, dhe kështu me radhë… por le të mos hyj tani edhe këtu.

 

Për në fund, nuk e di çfarë duhet ose çfarë mund të bëhet që të zvogëlohet ose në tërësi të ndalojnë përplasjet e paargumentuara në hapësirën publike, kryesisht prej pozitave partiake, me apo pa mbështetjen e vetë partive, por e di se kështu nuk do të shkojmë larg dhe vetëm gjithnjë e më shumë qytetarë do të dëshpërohen prej gjendjeve dhe do të dëshirojnë të largohen që këtu.

Sot fillojnë debatet publike për strategjinë e Qeverisë për konceptin Një shoqëri, mbase kjo do të japë shtytje që të bëhet diç më shumë në këtë fushë, për zvogëlimin e ndasive (fillimisht në bazë partiake ndërsa më pas edhe mbi baza të tjera) dhe depolarizimit gradual por sistematik të shoqërisë.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit