Data e sotme
August 24, 2019

“FSHESA” SI PARADIGMË DHE JO SI FASADË!

Shkruan: Bardhyl ZAIMI

Nuk ka kaluar pak më tepër se gjysma e mandatit dhe kryministri Zaev tashmë ka paralajmëruar “fshesën” politike për funksionarë të lartë të pushtetit ekzekutiv. Sinjalet e para për “fshesën” si simbolikë për “dehjet” nga pushteti janë dhënë që në rrethin e parë të zgjedhjeve parlamentare. Me gjasë, në vlugun e zgjedhjeve janë vërejtur “vrimat e zeza” të dehjes pushtetare, të cilat kanë rrezikuar koalicionin qeverisës në synimin për ta patur edhe funksionin e kryetarit të shtetit. Një funksion që është konsideruar vendimtar për të çuar përpara proceset e nisura, të cilat jo njëherë janë ripërsëritur me zë të lartë nga koalicioni qeverisës.

Maqedonia e Veriut nuk ka ndonjë përvojë të konsoliduar që i bënë të padhimbshme ndryshimet në qeveri. Jo njëherë qeveritë kanë manifestuar rezistëncë në shkarkimin e funksionarëve shtetëror, sidomos të atyre që janë identifikuar si problematikë, të paaftë për të bartur një funksion ose që e kanë keqpërdorur atë funksion për interesa personale dhe grupore. Kultura politike dhe bashkë me këtë edhe kultura e qeverisjes gjithmonë kanë qenë në nivele ordinere të zhvatjes së pushtetit dhe jo në funksion të interesit të qytetarëve. Nocioni qytetarë gjatë kësaj kohe të tranzicionit të dhimbshëm ka qenë i huaj për formatin e politikanëve dhe përgjithësisht funksionarëve që më tepër te pushteti kanë parë mundësinë për pasurim të shpejtë dhe për rehatime të “përjetshme” në piramidën e ëndërruar të privilegjeve qeveritare.

Përgjithësisht, partive gjatë qeverisjes u kanë munguar lëvizjet e guximshme për të identifikuar dhe për të bërë ndryshime të mënjëhershme në pushtetin ekzekutiv. Ka pasur tentativa për ndryshime kozmetike, të cilat asnjëherë nuk e kanë dhënë rezultatin e duhur. Funksionet politike dhe përgjithësisht funksionet ekzekutive në njëfarë mënyrë gjithnjë e pasqyrojnë atmosferën, gjithë ambiciet për pushtet që zakonisht “vlojnë” në çdo parti politike. Dhe, përgjatë këtyre viteve është bërë “standard” që disperzimi i funksioneve shtetërore t’iu jepet atyre që janë më të dëgjueshmit e partisë ose atyre që vardisen më tepër pas pushtetit. Dhe të tillë nëpër parti ka me shumicë, por ka edhe të tjerë që aderojnë dhe që kanë një raport tjetër me pushtetin, me atë që nënkupton përgjegjësi funksioni. Zakonisht këta të fundit rrallë vijnë në shprehje nga “frontmenët” e përzgjedhjeve të “përjetshme”.

Në Maqedoni nga qeveritë e mehërshme është treguar “gatishmëri” për ndryshime në qeveri, por siç është vërejtur me kohë, këto ndryshime më tepër kanë qenë kozmetike për të krijuar iluzionin e ndryshimit dhe jo për të fuqizuar përgjegjësinë e pushtetit. Tashmë është e qartë se çdo ndryshim që do të nënkuptojë fasadën pavarësisht nga “trumbetimet” nuk do të gjejnë reflektimin e duhur te qytetarët, të cilët presin rezultate të shpejta në jetën e tyre.

Perceptimi i pushtetit si diçka e dhënë njëherë e përgjithmonë mbetet shenjë dalluese e të gjitha partive politike. Realisht, në Maqedoni ndodh paradoksi i keqkuptimit të pushtetit si një mundësi vetëm për privilegje, për akomodime dhe keqpërdorime që manifestohen në format më të ulëta të ushtrimit të pushtetit, korrupsionit dhe nepotizimit. Ka kohë në Maqedoni që po qarkullon nocioni qeverisje e mirë, të cilën nuk e shohim gjëkundi. Përkundrazi, ciklikisht shfaqen të njëjtat defekte të favorizimeve dhe fuqizimit të pushtetit rreth disa individëve që në asnjë rast nuk e njohin llogaridhënien. Ky koalicion qeverisës nuk është përjashtim.

Ideja për ndryshime në qeveri gjithnjë përcillet me “trauma” brenda “aradhës” së funksionarëve të privilegjuar, të cilët nuk mund ta mendojnë veten jashtë “magjisë” së pushtetit. Partitë politike në Maqedoni që nuk njohin një demokratizim të mirëfilltë brenda vetes dhe një sistem vlerash, e kanë shumë të vështirë që të kalojnë në një stad tjetër të perceptimit të funksionit publik, sepse rrezikojnë që të krijojnë “tronditje” në strukturën e tyre partiake. Për këtë shkak, me vite të tëra, me pak përjashtime, mund të vërehen fytyrat e njëjta e të mërzitshme të politikës.

Sigurisht, çdo “fshesë” në kamaren e parazitizmit partiak rezulton të ngjallë reagime, pakënaqësi dhe rebelime. Damarët e këtij operacioni të “fshesës”  mund të prekin nyje të fuqisë së pushtetit të pamerituar që janë si zgjatime të mëhershme në një parti politike. Dhe gjithë kjo e komplikon çdo operacion “fshese” që paralajmërohet të ndodhë. Në çdo parti politike flejnë rehatshëm individë të paprekshëm dhe të padukshëm që shumëzojnë dhe pjesëtojnë pjesëmarrjen në pushtet, varësisht nga interesat e tyre dhe klaneve që përfaqësojnë.

Çdo ndryshim funksionarësh në pushtet do të thotë edhe një betejë për ta perceptuar ndryshe pushtetin, gjegjësisht qeverisjen. Mbetet një procedim shumë i rëndë të ndryshohet mënyra e perceptimit të qeverisjes. Një funksionarë përzgjidhet, emërohet për të përfaqësuar interesat e qytetarëve dhe jo për të shijuar “përjetësinë” e pushtetit. Ai zgjidhet për të punuar dhe dhënë llogari jo për të abuzuar dhe paralizuar qeverisjen. Një funskionarë duhet të jetë në funksion të një platforme politike, të një mirëqeverisjeje dhe jo në funksion të tekeve të tij dhe të idesë së pa të nuk mund të funksionojë një qeveri. Ky duket se është prototipi që i funskionarit që mund ta gjeshë te secila parti politike.

Sidoqoftë, kryeministri Zaev këto ditë do të vazhdojë konsultimet dhe bisedimet me partnerët e koalicionit për ta vënë në lëvizje “fshesën”. Nga përvojat e deritashme në opinion ka shumë skepticizëm, por njëkohësisht mbahet gjallë një shpresë se kësaj radhe mund të jetë ndryshe. Mbase është koha që përfundimisht dikush në Maqedoni të kuptojë se ndryshimet në qeveri janë gjë normale dhe se vetë e esenca e qeverisjes i nënkupton ndryshimet permanente. Mbase është koha të kuptohet më në fund se politikanët, funksionarët dhe gjithë ata që përfaqësojnë pushtetin si formë e qeverisjes së mirë janë në ato “lartësira” për intresin e përgjithshëm dhe jo për egot e tyre personale, për vullgaritetin e të kuptuarit të pushtetit si gjendje e përhershme e paracaktuar nga një fat që ata besojnë se e kanë të shkruar në ballë!

Në gjithë këtë afishim ndryshimesh duhet të theksohet edhe një dimension tjetër tepër i rëndësishëm. Ndryshimet nuk nënkuptojnë vetëm ndërrim emrash, figurash. Ndryshimet nënkuptojnë edhe ndryshimin e gjithë logjikës në sistemin e qeverisjes. Nëse në sistemin e njëjtë të degjeneruar vendosni figura të reja rezultati përsëri do të jetë zero. Duhet të ndryshojë mënyra e qeverisjes, duhet të vendosen parimet e qeverisjes në funksion të një misioni që nënkupton gjithëpërfshirje dhe praktika të verifikuara me njerëz që vlejnë.

Kjo mbetet sfida më e madhe e çdo ndryshimi që nënkupton politika tjera dhe njerëz të denjë për të qenë bartës të funksioneve në të mirë të qytetarëve. Ringritja institucionale nënkupton vendosjen e një sistemi tjetër vlerash politike dhe njerëzore. Siç e thotë, filozofi i shoqërisë së hapur, Karl Poper, institucionet performohen nga njerëzit, ato marrin trajtat e përkushtimit të tyre. Mbetet e sigurt që në Maqedoni ka njerëz që denjësisht mund të përfaqësojnë vlerë të sistemit nëse politika arrin t’iu krijojë hapësirë për ta afirmuar këtë përmbajtje. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse institucionet nuk perceptohen si hije të partive politike, por si një hapësirë konkurrence vlerore që strukturohet nëpërmjet prurjeve të reja politike dhe kulturore.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit