Data e sotme
July 22, 2019
Foto: Print-skrin nga emisioni 360 në AlsatM

Lufta e fundit midis maqedonasve dhe grekëve

Shkruan: Denko Maleski

 

Kur gazetari i njohur Dejvid Brinkli, i tmerruar nga kasaphana në Vietnam, e kishte pyetur presidentin amerikan Lindon Xhonson pse nuk i ka kthyer trupat në shtëpi, Xhonson është përgjigjur: “Unë nuk do të jem presidenti i parë amerikan i cili e ka humbur luftën. Edhe në “luftën” midis Maqedonisë dhe Greqisë, rezoni i politikanëve të Maqedonisë dhe Greqisë ishte i njëjtë: ata të mos regjistrohen në histori si tradhtarë të emrit. Në Ballkan kompromiset nuk bëhen lehtë pasi historia e popujve ballkanikë është traumatike. Produkt i këtyre traumave janë edhe politikanët ballkanikë. Tek ta, shpesh ka një përzierje helmuese të nacionalizmit, opsesionit dhe logjikës për të mbetur sa më gjatë në pushtet. Mbase, pjesërisht, kjo del edhe prej karakterit të luftërave ballkanike. Vëzhguesit e jashtëm, kur i kanë përshkruar luftërat, kanë konstatuar se ato nuk janë luftëra midis ushtrive por të popujve që janë shfarosur me njëri-tjetrin. Prandaj fundi i luftës në të vërtetë nuk është fund i luftës: urrejtja mbetet brenda nesh deri në përplasjen e radhës kur ne do të tentojmë të hakmerremi për të parët tanë. Thonë se edhe paqja është e rëndë në Ballkan. Pse urrejtja mbetet dhe transmetohet nga gjenerata në gjeneratë. Duke e ditur për këtë, prej kohësh kam paralajmëruar se popujt tanë nuk do mund të pajtohen nëse konstruksionit nacionalist grek i kundërvihemi me konstruksionin nacionalist maqedonas. Për fat të keq, mu kjo ndodhi. Me “antikuizimin”,me urrejtjen historike dhe frikën në mendjet tona, shtuam blloqe të reja të nacionalizmit të papajtueshëm.

Por, le të mos dëshpërohemi. Zgjidhja e kontestit të realizuar me Marrëveshjen e Prespës, mund të shihet edhe kështu: kur i hoqëm blloqet nga antika të ndërtuara nga politika e nacionalizmit maqedonas gjatë mandateve të VMRO-DPMNE-së dhe të presidentit Ivanov, mbetëm me politikën të cilën e formuluam dhe e udhëhiqnim në fillim të viteve të nëntëdhjeta. Çfarë ishte kjo politikë? Ishte politikë e paqes dhe zgjidhjes së problemeve përmes dialogut dhe kompromisit. Politikë e cila shmangte irritimin e fqinjëve, ndërsa rrënjët e kombit tonë i gjente në karakterin slloven. Politikë e cila thoshte se shteti dhe kombi ynë është i formuar në federatën jugosllave, pas Luftës së Dytë Botërore, ndërsa rrënjët i ka nga rilindësit maqedonas të shekullit nëntëmbëdhjetë, përmes Kërste Misirkovit dhe LNÇ deri më sot. Ky ishte një interpretim i historisë maqedonase që ishte në pajtim me të vërtetën historike, e pranishme në të gjitha tekstet shkollore botërore dhe e pakontestueshme nga askush me peshë relevante në shkencën dhe politikën botërore.

E këtë politikë, fillimisht e braktisëm, ndërsa më pas iu kthyem pas një çerek shekulli endje pas të kaluarës së lavdishme imagjinare. Me Marrëveshjen e Prespës, politikanët e rinj të guximshëm të Republikës së Greqisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke u liruar nga lidhja e fortë e nacionalizmave të veta dhe me mbështetjen e fuqishme të Perëndimit, na kthyen në rrugën e drejtë, në rrugën e vjetër. Atë që ia kemi ofruar shtetit grek atëherë, në fillim të nëntëdhjetave, ai e pranoi madje tani.

Ndryshimi tek grekët është i madh: atëherë Greqia deshi dhe punoi në atë drejtim që të na zhduk si shtet dhe si komb. Aeroplanët e saj në mënyrë kanosëse nuk e respektonin hapësirën tonë ajrore. Një milion e pesëqind mijë qytetarë të Selanikut dhe Athinës të dalë në rrugë, në atmosferë karakteristike para shpërthimit të luftës, brohorisnin “Maqedonia është greke”. Sot si aleatë në NATO, aeroplanët grekë patrulluan në mbrojtje të po këtij qielli maqedonas. Të dyja palët mund të thonë se kanë fituar. Cipras, këtyre ditëve, publikut të vet i tha se ata kanë fituar pasi e kanë mbrojtur antikën. Ne, e mbrojtëm të tashmen dhe të ardhmen tonë. Pasi, fakt është se asgjë e rëndësishme prej asaj që ishte politikë e jona në vitin 1991 nuk na është marrë. Nënkuptohet duke e demontuar konstruksionin tonë nacionalist antik, duhej të paguanim çmim më të lartë për kompromisin: kemi emër për përdorim të përgjithshëm, të cilin, mbase, nuk do të duhej ta paguanim nëse politika me përkushtim punonte në kompromisin në vend se të na e marrë kohën me vendosjen e themeleve të identitetit tonë aty ku, duhej ta dinte, se do t’i prishin. Kështu, e bëmë një rreth prej tridhjetë vitesh dhe u kthyem në pikën fillestare.

Por kjo është kjo. A do të përgjigjet dikush për gabimin katastrofik? A do të lavdërohet dikush se ka pasur të drejtë? Jo, edhe në rastin e parë edhe në të dytin. Nuk jemi prej atyre popujve të cilët mësojnë prej gabimeve të veta. Edhe sikur të mundeshim gabimet edhe refuzojmë t’i pranojmë. Kënaqësia e vërtetë është të jesh politikan në shtet demokratik liberal: elita politike greke paraprake për pak do të na shkatërronte neve ashtu siç e shkatërroi financiarisht shtetin e vet dhe asgjë, askujt; elita politike maqedonase paraprake të njëjtën do t’ia bënte shtetit të vet dhe asgjë, askujt. Më shumë analiza bëhen për hapësirat e ish-presidentit se për politikat e tij. Lë për të dëshiruar, për politikanë maqedonas dhe grekë të kthehen kohërat e politikës mesjetare të Makiavelit dhe Mediçit kur investimi për të marrë pjesë në lojën politike ka qenë jeta e politikanëve dhe rrallë kush ka vdekur në shtratin e tij nga pleqëria. Por, ato kohëra nuk kthehen. Tani jemi njerëz të civilizuar. Le të kemi kujdes. Mungesa e kontrollit dhe llogaridhënies në sistemin politik apo të observimit kritik të politikave të kaluara mund të keqpërdoren prej lakmitarëve dhe jo të civilizuarve. Prandaj duhet të përforcohen institucionet e shtetit demokratik dhe të kontrollit dhe llogaridhënies së punës së politikanëve: çdo ditë. Edhe bashkësia ime akademike e ka misionin e vet të rëndësishëm. Duhet të jetë më aktive në elaborimin e alternativave demokratike dhe në kritikën e nacionalizmit, nëse nuk duam, në ndonjë kthesë të re të historisë, si në fillim të pavarësisë sërish të endemi në rrethin tridhjetëvjeçar në vend se në mënyrë të përshpejtuar të shkojmë drejt integrimit me botën demokratike moderne. Politika nuk është linjë e drejtë, rruga më e shkurtër midis dy pikave, do të thoshte dikush. Saktë. Por, mu për këtë gjithmonë duhet të jemi të gatshëm që rruga e gjatë dhe e lakueshme deri tek qëllimi të mos jetë më e gjatë se që duhet.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit