Data e sotme
August 24, 2019

MONOLUGU I POLITIKËS DHE SFERAVE AUTONOME

Shkruan: Bardhyl ZAIMI

 

Sado që të përpiqesh ta thjeshtëzosh bota mbetet e komplikuar për ta shpjeguar. Në hapësirën politike shpjegimet bëhen akoma më komplekse. Në Ballkan, ku gjatë tërë kohës prodhohen dramacitete mburrjesh të pafundme intepretimet mbeten akoma më të pamundshme. Por, e tashmja dhe e ardhmja ndodhet përballë një imperativi kategorik për të reaguar, interpretuar dhe reflektuar mbi realitetet politike dhe shoqërore. Dhe, kjo mbetet një punë e vështirë për shkak se politika e kuptuar vetëm si utilitarizëm dhe përditshmëria e mbushur me mendime copa-copa, gjatë tërë kohës përpiqen ta skematizojnë interpretimin në një mendim uniform që nuk guxon ta tejkalojë mesataren e gjithëpranishme.

Dhe, ku mundet më mirë se në dramë të shpërfaqen këto dilema të një shpirti që kërkon ndryshimin, që kërkon një kuptim tjetër mbi botën, mbi gjithë atë sistem të vendosur si kanon që kërkon të ruajë korrelacion fatal mes robit dhe sovranit, siç e përshkruan në librin e tij të jashtëzakonshëm “ Mbi lirinë dhe robërinë njerëzore”, filozofi Nikollaj Bergjaev. Dhe, kush mundet më mirë se Shekspiri ta artikulojë këtë dilemë protagonizmi ndryshe. Pikërisht te Hamleti do ta hasim aksionin për ta ndryshuar botën. “ O botë, o prapësi, o dreq, që unë paskam lindur të të ndreq”, kështu klith Hamleti në kulmin e dëshpërimit të tij. Pikërisht kjo klithje është intepretuar edhe në kuadër të teorive shoqërore, perveç atyre artistike që janë me mijëra për njërën ndër kryeveprat e Shekspirit mbi “Princin e vështirë” siç e definon në një ese të tij shkrimtari Ismail Kadare.

Kjo klithje e Hamletit në një intepretim krahasimtar joletrar është parë si një aksion shoqëror për ndryshim dhe si një premisë përgjegjësie dhe ndërgjegjësimi shoqëror që në kohën e sotme e artikulojnë dhe e çojnë përpara ato sfera  autonome të botës akademike dhe civile që në shoqërinë perëndimore mbeten shtysat krysore të mendimit publik dhe politik. Në hapësirat tona kjo klithje duket e vakët dhe gati e papërfillshme. Në fakt, janë dy gjendje që e ushqejnë njëra-tjetërn në procesin e përsëritjeve ballkanike dhe në procesin e mozlëvizjes së ideve. Në njërën anë është politika që gati tërësisht e përçmon këtë sferë autonome të mendimit, ndërsa në anën tjetër kemi sferë autonome që jeton në filmat e “shkencës së madhe” të paimplikueshme në dinamikat shoqërore dhe politike.

Ekziston tashmë me vite një hendek fatal mes dy sferave publike, të cilat nuk kanë asnjë interaksion me njëra-tjerën. Janë dy botë paralele që secila ekziston për hesap të vet. Politika që i ripërsërit dramat e rrënies së pafundme të qenies njerëzore dhe sfera e mendimit autonom që në vend se të jetë katalizator dhe protagonist në proceset politike dhe shoqërore ka zgjedhur akomodimin në një botë të pandikuar nga jashtë. Në këtë linjë duhet të dallojmë edhe dy momente që mbeten përjashtuese për këtë relacion të përjetshëm të moslëvizjes dhe skemave të paracaktuara nga të dy taboret. Njëri moment ndërlidhet me faktin që ka tek-tuk zëra që denjësisht kanë ofruar horizonte tjera për të ardhmen e politikës dhe shoqërisë përgjithësisht, ndërsa moment i dytë ndërlidhet me faktin që politika ndonjëhërë ka përvetësuar zëra nga sferat autonome me një qëllim të mbrapshtë për të përligjur vullnetin e saj për pushtet dhe jo për të krijuar një sinergji kreative për të ardhmen.

Në kohën kur këto dy entitete të mendimit publik ekzistojnë si botë paralale shpresa për të krijuar një interaksion më të madh dhe për të vendosur koordinata tjera të funksionimit institucional gjithnjë do të jetë më e zbehtë. Padyshim, kjo situatë prodhon monologun e përhershëm të politikës që operacionalizohet në vendime kuturi të çastit që në asnjë rast nuk mund të jenë gjithëpërfshirëse dhe efektive në raport me ndryshimet sistemore të cilat priten të etablohen si praktika të reja. Kjo situatë, gjithashtu prodhon një sferë autonome mendimi, e cila ekziston jashtë çdo impenjimi në sferën publike, gjegjësisht në hapësirën e krijimit të politikave publike.

Kjo gjendje, mbetet “parajsë” për mediokritetin politik, për monologun e ripërsëritur të politikës, që më tepër nënkupton parullat bjerrakohëse se sa një vizion dhe praktika të qeverisjes që përfshijnë interesin e gjithë qytetarëve. Kjo gjendje prodhon partinë-shtet, partinë-shoqëri, partinë e kudondodhur që vetëkaqet me magjinë e pushtetit, por që nuk arrin në asnjë rast të krijojë një ambient debati gjithëpërfshirës mbi problemet dhe kauzat e ndryshme të grupeve shoqërore.

Kjo gjendje gjithashtu prodhon ekspertin profan të statuseve të Facebook-ut, i cili në mungesë të mendimit realevant që duhej të vinte nga sferat realevante të mendimit autonom, e shpall veten kompetent për gjithçka. Ky lloj ekspertësh realisht njeh vetëm dy gjendje funksionimi: ose përkrah verbërisht ose kundërshton pa kuptuar asgjë. Ky në fakt është eksperti i newspeak-ut të Oruellit tërësisht arrogant dhe ambicioz në synimin e tij për të qenë “elitë” partiake i etabluar në brendësi të pushtetit të kontrolluar nga “elitat “ politike.

Politika e kuptuar vetëm si pushtet dhe jo si vizion, politika që tërësisht është utilitare dhe e dehumanizuar ushqehet pikërisht me këtë “mendim” jokompetentë. Kjo ndodh për shkak se politika gjatë tërë kohës ka menduar dhe vazhdon të mendojë për fasadën e jashtme që shitet përkohësisht në opinion dhe jo për zhillim të qëndrueshëm që siguron mirëqenie afatgjate për qytetarët.

Vendet perëndimor janë në këtë stad të zhvillimit të tyre, pikërisht për shkak se në kuadër të politikave publike kanë krijuar një interaksion dhe sinergji kreative me sferat e mendimit të pavarur, të cilat me profesionalizëm dhe përgjegjësi i kanë dhënë politikës koordinatat e zhvillimit nëpërmjet hulumtimeve, studimeve të pafundme, reflektimit konceptual dhe paradigmave shkencore që i janë përgjigjur një realiteti të caktuar dhe një evolute shoqërore dhe institucionale.

Asgjë nuk është e rastësishme, sferat autonome shoqërore gjithnjë kanë prodhuar dhe vazhdojnë të prodhojnë mendim, ndjeshmëri dhe vizion tjetër mbi botën që iu përgjigjen sfidave të kohës. Këto sfera autonome të mendimit dhe aksionit shoqëror janë kryeshtyllat e zhvillimit të qëndrueshëm që gjithnjë janë në interaksion të denjë me politikën. Ky është mendimi relevant i bazuar në dije që kahëzon gjithë planimetrinë e jetës politike dhe shoqërore.

Ne jemi këtu ku jemi, me monologun e politikave pa vizion të qartë dhe me sferat autonome të mendimit që për referencë kanë vetëveten. Vetëm një sinergji kreative mes dy botëve paralele që udhëtojnë tash për tash vërbërisht mund të shpresojmë në ndryshime kualitative. Në të kundërtën do të vazhdohet me farsat e politikës që vetëm premton, ose që kapet për momentume krekosjesh dhe “shkëlqimesh” sezonale.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit