Data e sotme
June 25, 2019

Vardari kampion i Evropës – dhe një ditë më pas

Shkruan: Trifun Kostovski

 

Ky vit do të më futet në memorie si një prej atyre viteve në të cilat më ndodhin gjëra të bukura. Gjithsesi, afinitetet për gjërat e bukura janë të ndryshme tek të gjithë prej nesh, megjithatë, jam i bindur se një pjesë e madhe e bashkëqytetarëve të mi do të pajtohen se vetëm me dy fundjava, 18 maj dhe 1 qershor i përjetuam momentet qiellore të gëzimit, lumturisë dhe të zemrës plot. Më besoni, kjo ndjenjë nuk blihet me para. Kjo është ndjenjë emocionale e thellë e cila stimulon krenarinë se jemi pjesë e familjes evropiane bashkëkohore. Problemet tek qytetarët e Republikës së Maqedonisë nënkuptohet se nuk janë zgjidhur dhe as që do të zgjidhen shpejtë. E, aq më shumë, ndjenja e fitores jep ngushëllim. Njëherësh, bëhet fjalë për stimul që të jemi më të mirë, jo vetëm në sport, por në të gjitha sferat dhe të ndërtojmë sistem me të cilin do të ngjitemi në majë në të gjitha fushat.

Tamara Todevska u zgjodh e para nga juria profesionale në Tel Aviv. Kjo është mirënjohje e madhe për Republikën e Maqedonisë edhe krahas asaj që shumë qytetarë dëshirojnë ta nënvlerësojnë. Vardari, për herë të dytë në periudhë prej tre vitesh u ngjit në fron si kampion evropian në hendboll për sezonet 2017 dhe 2019. Të gjithë të dashuruarit në sport, madje edhe ata të cilët nuk janë, ishin të lumtur se diçka pozitive është duke ndodhur në shtetin tonë. Pritja në aeroport dhe në Sheshin Maqedonia si edhe lumturia e cila shihej në çdo fytyrë, janë gjëra të cilat u mungojnë qytetarëve. Gjithsesi, jeta vazhdon ashtu siç ka qenë me të gjitha brengat dhe pakënaqësitë, por ky moment do të mbetet gjithmonë i memoruar si një copë gëzimi në zemrat e njerëzve.

Por, nuk mund dhe të mos i përmend vendin dhe rolin e pushtetit lokal dhe qendror në të gjithë këtë kontekst. Nuk e di si ju dukej ju, por mua më dukej shumë e pazakontë. Pasi Vardari u bë kampion, Shilegov, e hapi qesen tuaj dhe timen që t’i qerasë hendbollistët e Vardarit. Edhe Agjencia për Rini dhe Sport njëjtë me paratë tona do t’i qerasë hendbollistët.
Ndërsa kulmi i kësaj mungese të dëshirës është edhe njoftimi i kryetarit të Qeverisë se edhe ai do t’i qerasë hendbollistët me gjysmë milionë euro. Nuk e di për ju, por mua më duket sikur jam në kafene, ku muzikantëve të mirë u hedhim para. Por dallimi qëndron aty që në kafene i japim paratë tona nga xhepi ynë. Ndërsa këtu paratë e qytetarëve i dhurohen një klubi privat, pa e pyetur askush askënd.

Mua më kaploi turpi. Do të pyesni pse?

Një arsye gjoja minore, është neglizhenca ndaj transmetimit të finales. Nën ingerencat e qeverisë është RTVM. Njëherësh, përmes Këshillit për Radiodifuzion, i cili gjithashtu është nën Qeverinë, janë licencuar të gjitha mediat kombëtare. Asnjë medium nuk e transmetoi finalen e kampionatit në hendboll. Ndërsa ne, të cilët deshëm të gëzohemi, duhej ta shihnim përmes Arenës së Beogradit. Këto lëshime tregojnë për atë se çfarë është pasqyra e madhe.

Pushteti lokal dhe qendror u kyçën në ngjarje në mënyrën më populiste, në momentin kur e kuptuan se kjo është për të marrë pikë. Sporti nuk është imun ndaj politikës dhe ai duhet të jetë pjesë e politikave shtetërore.  Para së gjithash, kërkon dhe nevojitet strategji shtetërore me të cilën do të gjendet mënyrë se si organizohet financimi dhe zhvillimi i sportit dhe jo sjellje populiste politike.

Si ish-sponsor i klubit të hendbollisteve Kometal Gjorçe Petrov, sikur të isha në vendin e Samsonenkos, me indinjatë do t’i refuzoja të gjitha shpërblimet në të holla dhe do t’ju lutesha autoriteteve këto para të shfrytëzohen nëse jo në mënyrë urgjente, të paktën për zhvillimin e vazhdueshëm dhe jo aksidental në sport.

Të moshuarit thonë se me para blihet gjithçka. Që në përkthim do të thotë se gjithçka e ka çmimin e vet. Por nuk ka çmim më të lartë se dinjiteti.

Për në fund, urimet më të sinqerta të thella për hendbollistët, për të gjithë ekipin, për udhëheqësinë e klubit dhe për zotin Samsonenko. E kam kaluar njëherë këtë rrugë – nuk ka ndjenjë e cila mund ta blejë ndjenjën se jeni ngjitur në Olimp. Ky është shpërblimi për zotin Samsonenko.

Ndërsa pushtetit qendror dhe lokal u rekomandoj që të mos qerasin me para të huaja, por le të heqin dorë prej disa të ardhurave tatimore dhe këto mjete të drejtohen në zhvillimin strategjik të sportit.

 

Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit