Data e sotme
June 25, 2019

NE E FITUAM EVROPËN – PRIMITIVIZMI NA MUNDI NE

Nëntoka politike madje edhe në këtë rast festiv i lëshoi kthetrat e veta në mesin e tifozëve të rinj dhe midis ushtarëve partiak të vet.

Shkruan: Zoran Ivanov

Shumë reagime dhe polemika shkaktoi pritja masive dhe solemne në aeroport dhe në shesh e kampionëve evropianë të hendbollit.

Fillimisht për Vardarin si shoqatë sportive. Në këtë kolektiv sportiv, krahas sportit, gjithmonë është ngritur, kultivuar dhe mbështetur maqedonizmi. Thënë në mënyrë më rigoroze, patriotizmi maqedonas. Në mënyrë akoma më rigoroze, veçantia nacionale maqedonase, madje në mënyrë akoma më rigoroze një dozë e mirë e nacionalizmit maqedonas. Para së gjithash në futboll e deri diku andej dhe në të njëjtën shoqëri sportive me një sërë disiplinash të ndryshme sportive. Pa dyshim se brendi Vardar, veçanërisht për shkupjanët, është simbol nacional.

Ja edhe klubi i hendbollit në të cilin lojtarë, trajnerë, pronarë ka nga kudo, e pasqyron këtë agjendë nacionale patriotike. Në të bashkohen grupe tifozësh dhe përmes tifozerisë sportive manifestojnë patriotizëm me një etno përkatësi nacionale maqedonase të theksuar.

Bota sportive dhe në përgjithësi ajo e tifozerisë gjithmonë e ka pasqyruar identitetin me etikë nacionaliste të theksuar më shumë apo më pak. Nga antika olimpike e këndej sporti ka qenë fushë për matjen e fuqisë fisnore, e më vonë edhe etnike dhe nacionale të një kolektivi ndaj një kolektivi tjetër. Diçka si kontroll mbi pasionet dhe si parandalim para sfidave për konfliktet historike dhe për ato etno luftarake edhe në kohërat më të reja.

Edhe sot, më pak ose më shumë, kudo në Evropë dhe botë, sporti edhe më tej është fushë e matjeve nacionale. Ai është arena bashkëkohore gladiatore edhe për matjet nacionale të forcave të kampionateve ndërkombëtare duke e përfshirë edhe të ngjarjeve më të larta sportive siç janë olimpiadat. Sporti është fushë për luftën e individëve, ekipeve e madje dhe kombeve. Sikurse edhe tek ne, kudo në botë, ndeshjet sportive janë në prani të publikut nacional të shpërndarë nëpër fushëbetejat, nëpër media e tani edhe nëpër rrjetet sociale. Bëjmë tifo, mbështesim, hedhim pasione sportive por edhe nacionale.

Parë përmes shembullit të ngjarjeve të fundit në sheshin e Shkupit megjithatë, çështja nuk është për vlerën e frymës sportive, por për të kuptuarit kulturologjik të suksesit në sport. Veçanërisht në manifestimin e lartësimit emocional deri në shkallën e primitivizmit emocional që ai i stimulon. Dhe veçanërisht në të kuptuarit e civilizuar të sportit dhe sukseseve sportive.

Unikja në matricën e tifozerisë pasiononte qëndron në faktin që nga njëra anë kjo diku bëhet me tifon për ekipin e zemrës, ndërsa diku për rivalin e ekipit të tyre. Në dallimin e këtyre hedhjeve të emocioneve të tifozerisë definohet edhe shkalla aktuale e kulturës së përgjithshme të publikut, të tifozëve, të grupeve të tifozëve. Në linjë të fundit aty është edhe shqyrtimi i nivelit të kulturës sportive, por edhe asaj politike dhe në përgjithësi të kulturës së përgjithshme në shoqëri.

Përgjigjja për atë se ku jemi ne në të gjithë këtë është edhe e thjeshtë edhe e ndërlikuar. Duke gjykuar edhe sipas ngjarjeve të veçanta javore në aeroportin e Shkupit dhe në sheshin e Shkupit, akoma jemi në nivel të ulët dhe mjaft vulgar të tifozerisë. Pritja e kampionëve evropianë të hendbollit në këto dhjetë orë në shumë elemente ishte një shpërthim instiktiv qytetar në mënyrë masive të manifestohen krenaria maqedonase dhe veçantia nacionale maqedonase. Por në të njëjtën kohë, ishte edhe provokim traumatik i shovinizmit maqedonas dhe primitivizmit të mbledhur maqedonas.

Derisa atë mbrëmje të së dielës njerëzit pasivisht dëshironin të jenë së bashku, që ta ndajnë gëzimin, të pranojnë dhe dërgojnë vibrime të bashkimit, argëtimit të plotësuar me të keqen edhe për momentin e skenarit jopërkatës, në masë të konsiderueshme e uzurpuan, e privatizuan, e partizuan qendra të cilat nuk kanë kurrfarë lidhje me sportin. As me patriotizmin dhe me emocionet kolektive të shpërndara nga fitorja e madhe sportive në Këln. Ngjarjet në aeroport dhe në shesh vetëm konfirmuan se, kur është në pyetje nacionalja dhe shtetërorja, ne akoma nuk mund të futemi brenda kornizave të standardeve kulturore evropiane.

Dhe gjithsesi, nuk bëhet fjalë për provokime të disa grupeve të vogla të fëmijëve të qytetit të udhëhequr nga euforia e suksesit të madh sportiv të hendbollistëve por, për shovinizma vulgare baza e së cilave, platforma e së cilave buron prej qendrave të caktuara partiake madje dhe fetare. Kundrejt multikulturalizmit të shoqërisë, në vend se të prodhojnë bashkësi, ata ushqejnë urrejtjen. E bëjnë atë ndaj gjithçkaje mbi çdo bazë, etnike, nacionale, kulturore, sportive, fetare apo sociale, gjithsesi, nuk identifikohet me interesat e tyre vetjake. Politizimet partiake, kultivimi partiak i ndasive, insistimet partiake për dominime mbi të gjitha në shoqëri, do të na mbajnë edhe më tej në fund të praktikumit të dëshiruar mental dhe të kuptuarit e sukseseve në përgjithësi, madje edhe të sukseseve në sport.

Por çfarë të presim tjetër kur në vend të krijimit të ngjarjeve për bashkim edhe më tej paketohen nacionalizma dhe ndasi nacionale. Si të sillen të rinjtë në grupet e tifozëve, çfarë të presim prej tyre kur në kabinetin e kryetarit të KOM, për shembull, me vite në mënyrë provokuese qëndron flamuri me diellin me gjashtëmbëdhjetë rreze. Kujt dhe çfarë mesazhi i dërgon me këtë, kryetari i kishës ortodokse. Ose me çfarë motivesh dhe në cilin drejtim janë deliktet verbale të kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame për identitetin e bashkëqytetarëve të tyre maqedonas. Ose cili është mesazhi për bashkëjetesë me mosvendosjen e flamurit shtetëror maqedonas në selinë e partisë së BDI-së. Dhe kush dhe çfarë qëllimi pati me njëqind flamujt e bërë gjatë një nate me diellin e Verginës që në mënyrë provokuese valonte gjatë festimit mbarëpopullor sportiv në sheshin Maqedonia. Dhe kujt i shërbyen të gjitha këto vulgaritete të instruktuara politike dhe nacionaliste të brohoritura vetëm një ditë pas njërit prej sukseseve më të ndritura në historinë sportive të Maqedonisë së Veriut.

Dhe pas së gjithash, të paedukuar dhe pa mirësjellje paskëkan qenë fëmijët. Ishin, vulgar në aspektin politik dhe agresiv në atë nacional. Ndërsa primitivizmi gjegjësisht buron prej shtrofullave kushtetuese institucionale. Nëntoka politike madje edhe në këtë rast festiv i lëshoi kthetrat e veta në mesin e tifozëve të rinj dhe midis ushtarëve partiak të vet. Që këtu, i dukshëm ishte edhe tentimi në mënyrë qyqare të imponohet pasqyra se suksesi shkëlqyes i Vardarit është gjegjësisht fryt i një supremacie të natyrshme etno nacionale.

Nënkuptohet ka ilaç për eliminimin e keqpërdorimeve në sport dhe rreth sportit për qëllime politike ose për qëllime të tjera josportive. Duhet vetëm të ndiqen, të pranohen dhe të aplikohen recetat e provuara prej të tjerëve. Prej atyre më me përvojë, të cilët, gjithashtu, ballafaqohen me antagonizma të ngjashme por të cilat arrijnë euforitë prej sukseseve sportive dhe traumat e josukseseve sportive në mënyrë civilizuese t’i modelojnë ndaj matricës e cila nënkupton mbështetje dhe dashuri për të vetët, dhe jo urrejtje dhe mohim ndaj të tjerëve.

Institucionet, punonjësit e sportit dhe gjithsesi sportistët e mëdhenj me autoritetin e tyre e kanë për obligim ta mbyllin sportin për të gjitha dukuritë josportive.  T’i dëbojnë fillimisht prej radhëve të tyre dhe më tej më gjerë në shoqëri.

Si shumë herë deri më tani, sikurse tani me Vardarin dhe para kësaj me Tamarën, ne edhe më tej me nga diçka do t’i fitojmë edhe Evropën edhe Botën.

Do të fitojmë gjithsesi, por do të ishte e udhës që më mos të lejojmë që primitivizmi të na mundë neve.

 

Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit