Data e sotme
March 21, 2023

“NON-PAPER-i” EUROPIAN DHE ZARET POLITIKE

Shkruan: Bardhyl ZAIMI

 

Qershori me gjasë do të jetë një muaj dramatik për skenën politike. Në momentin që Komisioni Europian edhe njëhërë ka rekomanduar çeljen e negociatave për antërësim “ethet” e pritjes gjithnjë e më tepër janë të pranishme. Gjithçka do të varet nga Këshilli Europian, i cili brenda kohës duhet të marr një vendim për hapjen ose jo të bisedimeve me Maqedoninë e Veriut. Gjërat kanë filluar të komplikohen në momonetin kur disa nga shtetet anëtare të BE-së akoma nuk kanë shfaqur gatishmërinë për një vendim që realisht mbase edhe mund ta determinojë fatin e qeverisë aktuale.

Në një prononcim të tij, kryeministri Zaev, ka paralajmëruar se nëse në qershor nuk do të ketë datë për fillimin e bisedimeve, ai, do ta dorëzojë mandatin si kryeministër. Kjo deklaratë e kryeministrit ka hasur në intepretime të ndryshme në opinion. Për një pjesë të analistëve, kjo deklaratë ka qenë e ngutshme, ndërkohë që një pjesë tjetër e kanë intepretuar si një lloj presioni ndaj vendeve anëtare të BE-së për të pasur parasysh gjithë komplikimet që mund të shfaqen në skenën politike dhe që realisht mund të përfundojnë me zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Nga përfaqësuesit qeveritarë caktimi i datës për bisedime për anëtarësim në BE shihet edhe si një lloj mirënjohje për gjithë procesin e rëndë politik nëpër të cilin ka kaluar brenda dy vitesh Maqedonia e Veriut. Pikërisht, ky fakt është theksuar edhe nga shumë përfaqësues europianë, të cilët kanë qenë më të zëshëm në dhënien e datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Sipas tyre, Maqedonia e Veriut i ka përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për çeljen e bisedimeve. Partitë opozitare, nga ana tjetër, kanë shfaqur skepticizëm nëse Maqedonia e Veriut do të marrë datën në qershor siç kanë paralajmëruar partitë në pushtet. Sipas tyre, shtyrja e datës ka të bëjë me procesin reformave, aty ku edhe ka dështuar qeveria aktuale.

Përfaqësues të partisë opozitare VMRO-DPMNE e kanë ripërsëritu qëndrimin e tyre se nëse do të ketë shtyrje të fillimit të bisedimeve vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Ata janë të bindur se qeveria tashmë ka dështuar në gjithë storien për caktimin e datës.

Ekuacionet politike dhe diplomatike të këtij muaji duket se do t’i tejkalojnë kufijtë e Maqedonisë së Veriut. Në skenën e brendshme politike po ndodhin përplasjet e zakonshme pozitë-opozitë, ndërkohë që brenda BE-së duhet të bashkërendohen shumë pozicione gjeostrategjike që do të vulosin kohën e fillimit të bisedimeve. Dhe, ky proces politik duket se ndërlidhet me qasjet e ndryshme që kanë vende të caktuara europiane mbi përfshirjen e vendeve të Ballkanit në BE.

Metafora e “trenit të historisë” gjithnjë ka qenë e pranishme në Ballkan. Pas një kohe të humbur në rrënojat e tranzicionit duket se vendet e këtij rajoni kanë kaluar në një fazë tjetër të “urgjencave historike” për të kapur “trenin e fundit” për në BE. Këto “urgjenca” realisht po përballën me divergjencat konceptuale që kanë vendet anëtare të BE-së mbi procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit në familjen europiane.

Duket se gjithë historia e vendeve të Ballkanit Perëndimor po përqendrohet në një muaj të vetëm të këtij viti, qershorit, që është paralajmëruar si simbolikë që ndanë një epokë nga një tjetër. Fatkeqësisht, qërshori si kohë pritjeje, është projektuar në stilin e dilemës hamletiane “ të jesh apo mos të jesh”. Një dramacitet i panevojshëm që më tepër ndërlidhet me matematikat e brendshme të partive politike sesa me procesin që e nënkupton integrimi europian.

Bashkimi Europian me kohë e ka treguar impenjmin e vetë në gjithë rrugëtimin përmbi dy dekadash të Maqedonisë së Veriut drejt përafrimit me familjen europiane si koncept dhe si standard. Për këtë proces të vështirë që ka filluar që në vitet e hershme të demokracisë dhe deri më tani BE ka investuar qindra milionë euro.

Jashtë logjikës që mbretëron këtu, BE gjithnjë ka investuar që të përbrendësohen praktika të mirëqena dhe standarde që janë në funksion të harmonizimit dhe integrimit të plotë me atë sistem vlerash institucionale që gjithnjë kanë ardhur si rekomandime. Gjersa BE e kupton integrimin si një proces afirmimesh të politikave të mirëqena , aktorët e këtushëm institucionalë, por edhe të tjerë politikë duket se integrimin e kuptojnë vetëm si datë.

Por, zaret e betejës politike janë hedhur dhe nga kjo lojë qershori duket se do të varen edhe zhvillimet politike në kohët që vijnë. Ky muaj vendimesh “historike” mbase mund të shihet edhe nga një optikë tjetër. Liderët e partive qeveritare duket se në këtë “lojë e zaresh” e kanë vendosur kredibilitetin e tyre në raport me premtimet ndaj opinionit. Pikërisht, kjo logjike “ose-ose” i bënë të paparashikueshme zhvillimet politike. Mes këtij kredibiliteti të afishuar si premtim dhe shtyrjes së mundshme të bisedimeve qëndron qershori si shpatë Demokleu. Një rrugëtim që këtij muaji i jep tone të tragjikës thuajse gjithçka mbetet e kondensuar në format apokaliptike brenda kësaj kohe.

Mbase mund të jenë në pyteje vetëm disa muaj, por sedrat politike kanë vendosur që gjithë kuptimin e Europës ta kondensojnë brenda një muaji, brenda atij fataliteti tipik ballkanik dhe jo në suazë të një horizonti angazhimesh të përhershme që nënkuptojnë ndryshimin në radhë të parë për veten.

Që Europa është koncept i ndryshmërive këtë më së miri e dëshmon edhe debati mbi çeljen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Jo të gjitha vendet janë të gatshme për caktimin e datës. Brenda kohës, trembëdhjetë vende të BE-së, shumica anëtarë të rinj nga Evropa Qendrore dhe Lindore, si edhe Italia dhe Austria, do t’i drejtohen me kërkesë 28 vendeve të BE-së për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Më herët ishte dhënë lajmi se Polonia po përgatit një “non-paper” që në njëfarë mënyre paraqet një formë presioni, që nënkupton se dilema e disave, se BE-së fillimisht i nevojitet reformimi, pastaj zgjerimi, është e gabuar.

Të enjten e kësaj jave pritet që kryeministri Zaev të takohen me kancelaren gjermane Merkel. Shumëçka duket se do të varet edhe nga ky takim. Ndërkohë në opinion nuk kanë munguar paralajmërimet për zgjedhje të parakohshme nëse nuk do të ketë një datë për fillim të bisedimeve. Edhe ambasadori i BE-së në Maqedoni Zhbogar kishte deklaruar se akoma nuk është vonë për të bërë diçka. Një lobim, një shpjegim dhe argumentim mund të ndikojë në vendimin përfundimtar të 28 shteteve të BE-së. Edhe “non-paper-i” mbetet në këtë funksion. Sidoqoftë, qershori do të jetë një muaj i gjatë me shumë të panjohura!

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit