
Maqedonia dhe Evropa
Shkruan: Trifun Kostovski
Ndjej nevojën që të ndaj opinionin tim lidhur me njërën prej temave më të rëndësishme – etablimin e Maqedonisë në Familjen evropiane dhe përcaktimin e datës për negociatat me Bashkimin Evropian. Nga gjysma e majit deri më sot jemi nën presionin e çështjes nëse do ta marrim datën e dëshiruar ose jo.
Mënyrat në të cilën plasohen të gjitha informacionet rreth kësaj “date” janë aq joserioze, prandaj vlerësoj se me të drejtë unioni mund të luaj me ne. Pyes veten nëse vërtetë dëshirojmë të hyjmë në familjen evropiane. Nëse dëshirojmë, atëherë duhet t’i bëjmë të gjitha reformat rrënjësore në të gjitha segmentet shoqërore të dhëna në dokumentet zyrtare të Bashkimit Evropian, nuk guxojmë të luajmë loterinë. Bota moderne demokratike është shumë pragmatike.
Kaluan kohërat kur Bashkimi Evropian pranonte në familjen e saj shtete të cilat as nga larg nuk i plotësonin kriteret për zhvillimin demokratik dhe funksionimin institucional.
Dikush do të thotë, vallë ndaj nesh gjetën t’i zbatojnë kriteret. Ndoshta bëhet fjalë për ndonjë veçanti time të karakterit, por unë nëse duhet të hyj në Bashkimin Evropian, siç hynë shumë anëtare, pa reforma të vërteta në gjyqësi, në vetë qeverinë, në të gjitha segmentet dhe të trajtohem si bonjak në këtë familje evropiane, më mirë të mos hyj asnjëherë.
Nuk jam bonjak e as ju nuk jeni bonjakë. Megjithatë, çështja kryesore është nëse kemi kapacitet t’i bëjmë reformat e vërteta dhe të ndalojmë me bixhozin.
Në kolumnat e kaluara i kam përmendur vendin dhe rolin e gjyqësisë dhe të gjitha institucioneve në qeverisjen e së drejtës. Dhe për fat të keq ndjej se këto çështje që lidhen me gjyqësinë jofunksionale janë kanceri i metastazuar shoqëror prej të cilit nuk mund të lirohemi.
Administrata publike e stërngarkuar dhe tërësisht e paaftë paguhet prej parave që nuk janë në buxhet dhe duhet t’i huazojmë. Transparenca gjatë shpenzimit të parave të buxhetit, qoftë në nivel qendror apo lokal, mungon. Vetëm këto tri segmente e japin pasqyrën reale për atë se kush jemi, ku ndodhemi dhe kujt i takojmë.
Në intervistën e fundit të kryeministrit Zoran Zaev, u tha se nëse nuk marrim datë, do të vijnë nacionalistët, të cilët shtetin do ta dërgojnë në një kaos të plotë. Pyes, cilët qenkan këta nacionalistë? Prej cilave radhë vijnë? Për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë themi se janë nacionalistë!?!
Të gjithë janë të vetëdijshëm për multietnicitetin tonë. Kemi qytetarë të cilët tashmë nuk besojnë se jo vetëm qeveria por asnjë garniturë politike dhe partiake nuk ka mundur ta çojë shtetin në rrugën e drejtë.
Që të mund të jemi anëtare dinjitoze e BE-së, dëshiroj të trokasim në derën e cila do të hapet kur të jemi dinjitozë për pranim, me reforma në gjyqësi, shëndetësi, arsim dhe modele institucionale.
Çfarë presim? Se nëse Bashkimi Evropian i fillon negociatat dhe nëse bëhemi anëtarë, në Maqedoni do të rrjedhin lumenj me para? Bashkimi Evropian është lodër e shtrenjtë në të cilën duhet të participojmë edhe ne.
Brukseli është institucion i shtrenjtë në të cilin duhet edhe ne të participojmë. Prandaj u rekomandoj të gjithë faktorëve të cilët kanë vendosur të merren me politikë të koncentrohen në raportet e BE-së, të cilat i marrim për dhjetë vite me radhë dhe me angazhim t’i bimë në rend institucionet e sistemit në pajtim me standardet të cilat mbizotërojnë në botën moderne. Përkushtim me të gjitha vërejtjet dhe analizë të thellë dhe zgjidhjen e të gjitha rekomandimeve të cilat Bashkimi Evropian na i ka dhënë si detyrë shtëpie.
Nuk dëshiroj që ky tekst të nënvlerësohet. Përkundrazi, besoj në kapacitetin demokratik për argumentimin kritik i cili do të çojë në të menduarit e thellë dhe serioz lidhur me ndryshimet e domosdoshme në kuadër të partive ndërsa më pas edhe në mbarë shoqërinë.
Dëshiroj ta përjetoj ditën kur bashkëqytetari im do të dalë në votim, por jo të votojë vetëm për atë simpatizues i së cilit është, por votën t’ua japë atyre të cilët me të vërtetë do të kenë kapacitet ta ndryshojnë narrativin shoqëror.
Për fat të keq, duhet pasur në mendje se partitë politike në tërësi e copëtuan indin – u ndamë në grupe, nëngrupe… Shoqëria është fragmentuar në milionë copë. Me këtë, është humbur ndjenja për të mira të përbashkëta dhe bashkësi. Vetëm interesat partikulare janë në lojë.
Çdo qeveri premton transparencë, reforma. Por, përgjigja ime për të gjitha këto premtime, është vetëm një – dëshmoni me vepra dhe jo me fjalë dhe pamflete.
Në fund dëshiroj të rezymoj – ne nuk jemi në Bashkimin Evropian, por jemi evropianë. Kultura evropiane për ne është imanente. Vallë do të mësojmë ndonjëherë të themi mjaft më! Për tre dekada partitë politike në pushtet dhe në opozitë na udhëheqin përmes pavarësisë tonë, por pa rezultate. Mbetemi edhe më tej një prej vendeve më të pazhvilluara në Ballkan. Me ekonomi fragjile, shëndetësi të keqe, institucione shkatërruese dhe administratë publike e cila është barë e buxhetit shtetëror dhe jo efikase.
Mua gjithsesi më ka ardhur në majë të hundës!
Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit
- INBOX 7 RAPORTI P THER LIGJIN PSR PROKURIMIN PUBLIK - March 15, 2020
- Autoritarizmi partiak “prodhon” deputetë të “përgjumur” - October 9, 2019
- Zhurma e kritikës së pabazë dhe jo e kritikës së argumentuar - October 1, 2019