Data e sotme
July 22, 2019

NGA VARDARI NË TORONTO

Shkruan: Aleksandar Krzhallovski

 

Qershori zakonisht është muaj i qetë, por ky u dëshmua më ndryshe, me epilogje të disa ndeshjeve sportive interesante për ne dhe në pritje të “datës” famoze për fillimin e negociatave me BE-në. Ngjarjet sportive dhe politike u ndërthurën njëjtë sikurse fitoret dhe dështimet. Ajo që më bëri përshtypje si një konstantë janë “urrejtësit” nëpër rrjetet sociale, të cilët çdo akt e shfrytëzojnë për hedhjen e dozës së urrejtjes ndaj “të tjerëve” (ose demonstrimi i përkatësisë ndaj “tanëve”), nënkuptohet në botën tashmë “normale” të lajmeve të rrejshme. Njeriu vështirë se mund të lexojë diçka që nuk do të sulmohet në komentet e “njërës apo anës” tjetër, ndërsa akoma më vështirë të shkruaj, ndërsa të mos cilësohet si “vmoron ose komunist” ose “shqiptar i mallkuar”, varësisht nga tema e shkrimit apo statusit në fejsbuk.

Prandaj, në pritje të “lajmeve nga Evropa” (unë gjithsesi nuk pres të jenë të mira, gjegjësisht të marrim gjatë kësaj jave të samitit të BE-së datë për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, por megjithatë shpresoj se kjo do të arrihet deri në fund të këtij viti), kjo kolumnë kryesisht u kushtohet “hejterëve”, ndërsa si vazhdim i shkrimit të para dy javëve “Një vardar për të gjithë”, gjegjësisht si demonstrim se sa vështirë do t’ia dalim (nëse do t’ia dalim ndonjëherë) drejt një shoqërie (të barabartë) për të gjithë!

 

Pas triumfit të hendbollistëve të Vardarit në Ligën e Kampionëve, nuk kemi mundur të gëzohemi siç duhet, kur për 2-3 orë jo të plota, nga euforia e pandarë dhe urimet e sinqerta të të gjithëve që shkruan diçka në rrjetet sociale (pa dallim të përkatësisë etnike dhe ndonjë përkatësie tjetër), për shkak të thirrjeve (me përdorimin e asaj të tmerrshmes “shqiptarët e mallkuar” për bashkëqytetarët shqiptarë) të një grupi tifozësh së Vardarit në shesh, fejsbuku u kaplua me statuse për gjuhë të urrejtjes, thirrje për bojkotimin e hendbollistëve dhe të klubit, deri në ekstremin tjetër me shpalljen e fashistëve.
Sipas meje, ky ishte reagim i tepërt (edhe pse ishte i arsyeshëm), duke e marrë parasysh rëndësinë e arritjes së KH Vardar, por edhe duke demonstruar se për shumicën (të paktën atyre që janë aktiv “onlajn”) më të rëndësishme janë elementet etnike, sesa prioritetet shtetërore/kombëtare (edhe prej njërës edhe prej bashkësisë tjetër më të madhe). Për fat të keq demonstruan se sa larg jemi prej konceptit “një shoqëri për të gjithë” ose siç shkrova atëherë “një Vardar për të gjithë”.
Të pakta ishin thirrjet e matura që të injorohen grupet e vogla të hejterëve dhe tifozëve të udhëhequr (me siguri minorenë) prej “udhëheqësve” të tyre. Nuk duhej shumë, pastaj ditën e ardhshme (gjegjësisht natën e ardhshme) në pritjen e hendbollistëve në shesh, pengesa “etnike” në internet u transformua në “interpartiake” me fishkëllimën e udhëheqësisë së qytetit e cila gjegjësisht e mundësoi dhe organizoi festimin, vazhdimin dhe thirrjet e përsëritura të pahijshme në shesh, deri tek përplasjet e pashmangshme në internet. Dhe është për të ardhur keq që një prej konstatimeve më mbresëlënëse për këtë rast ishte se suksesi grandioz i Vardarit (ekip në të cilin përveç 7 maqedonasve, ka edhe lojtarë prej të gjitha ish-republikave jugosllave, si edhe “ndikimi rus” i konsiderueshëm” arriti ta bashkojë Jugosllavinë, por edhe ta ndajë Maqedoninë!

 

Akoma nuk ndaluan pasionet rreth Vardarit, pas dy dështimeve të reprezentacionit tonë të futbollit, doli rasti me Ezgjan Alioski, me dëbimin nga një restorant në Prilep (qyteti i tij i lindjes) pasi kishte folur në gjuhën shqipe. Akoma pa arritur një ekip gazetarësh të shkojë atje dhe kontrollojë/përcaktojë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë, pati edhe nga mbi dyqind komente në rrjetet sociale për shkrimet që lidhen me këtë rast.
Nënkuptohet, hejterëve (të të dyja anëve, në këtë rast sërish të ndarë në aspektin etnik) nuk u interesonte e vërteta dhe çfarë kishte ndodhur në të vërtetë – nëse ishte dëbuar ose ishte lutur që të kalojë në një tavolinë tjetër; nëse kjo kishte ndodhur sepse kishte folur në gjuhën shqipe ose për shkak të një rezervimi paraprak të tavolinës etj. Dhe sërish për fat të keq, më së paku komentohej gjesti i bukur i Alioskit ditën tjetër, të kthehet në restorant dhe në mënyrë njerëzore të kuptohet me pronarin/personelin.

 

Në këto ndasi sportive tona, dhe në prag të përvjetorit të Marrëveshjes së Prespës dhe përpjekjet për të bindur shtetet anëtare të BE-së (dhe fqinjët e dashur në mesin e tyre) për t’i filluar negociatat, u paraqit një debat me Bullgarinë – i kujt është Goce Delçev, ose më saktësisht nëse ai ishte maqedonas ose bullgar. Pa hyrë në debatin për të dëshmuar (kjo sigurisht zgjat më shumë, dhe ndoshta nuk do të përfundojë kurrë), dhe siç përfundoi një mike – në pamundësi për ta pyetur atë personalisht, pse nuk është në mesin tonë më shumë se njëqind vjet; ma tërheqi vëmendjen një koment i cili thoshte: “sikur të kishte qenë Goce bullgar do të pagëzonin të paktën dikënd në Bullgari në të gjitha këto vite.”
Kjo më shtyu të kontrolloj, cilat janë emrat më të zakonshme në rajonin tonë. Dhe saktë si pohimi më lartë, Goce nuk ndodhet në listën e dhjetë emrave më të shpeshtë në Bullgari. Dhe me të vërtetë, i kam disa miq në Maqedoni me emrin Goce, ndërsa akoma nuk e kam hasur dikë në Bullgari me këtë emër (që do të thotë se nuk ka). Mirëpo, edhe tek ne Goce nuk është në mesin e dhjetë emrave më të zakonshëm, ndërsa nuk është as në favorin tonë ky argumentim, kur dihet se as emri Georgi nuk është tek ne në mesin e dhjetë emrave më të zakonshëm, ndërsa në Bullgari është në vendin e parë. Nëse është për t’u ngushëlluar (me rastin e përvjetorit të Marrëveshjes së Prespës), tek ne, emri më i zakonshëm maqedonas është Aleksandar, ndërsa në Greqi nuk është as në dhjetë emrat e parë!

 

Përfundimisht, kur jam tek hejterët, ata nuk e tejkaluan as shkrimin tim paraprak, kushtuar raportit të BE-së për Maqedoninë. Është interesante të lexohen komentet për tekstin tim në të cilat ata të shpallin “VMRO-ist latent” deri në “komunist”, ndonjëherë edhe për tekstin e njëjtë. Në pritje që të dakordohen me njëri-tjerin, nëse jam i këtillë ose i atillë, mundem vetëm t’i falënderoj komentuesit e paktë të matur, të cilët e potencojnë atë se çfarëdo që të shkruaj njeriu, menjëherë dikush e “klasifikon” si pjesëtar i ndonjërës “palë” (partiake, etnike apo tjetër) ose në masë të vogël akuzohet për anshmëri, veçanërisht të atyre që komentojnë për përmbajtjen e asaj që është shkruar dhe jo për “shkrimtarin”. Ose të citoj njërin prej komenteve të fundit: (madje sikur të jetë e saktë edhe njëfarë përkatësie ose anshmërie) kjo “nuk ia bën më pak relevant dhe real mendimin dhe vlerësimin”!

 

Dhe megjithatë, edhe krahas dominimit të komenteve me urrejtje në të gjitha temat që i përmenda më lartë, do të tentoj të përfundoj në frymë pozitive, sikur komentuesit e paktë në rrjetet sociale… edhe atë me edhe një ngjarje sportive – fitoren e Toronto Raports në finalen e sivjetme të ligës NBA. Për ne e gjithë kjo ka rëndësi të veçantë, për shkak të themeluesit të klubit, biznesmenit me origjinë maqedonase Xhon Bitov junior, i cili në vitin 1993 me partnerin e tij Alan Slejt i investuan 125 milionë dollarë ta sjellin basketbollin NBA në Kanada. Për herë të parë një ekip nga Kanadaja u bë fitues i ligës më të mirë të basketbollit në botë, ndërsa përveç kësaj – kjo fitore është triumf ndaj diversitetit kundrejt nacionalizmit (etnik), duke e pasur parasysh atë se Toronto është qyteti më i përzier në Amerikë, ndërsa me atë edhe tifozët e klubit.

Veçanërisht interesante në këtë kuptim ishte shou i Xhimi Kimel, në të cilin tentuan të ofrojnë prej tifozëve kanadezë slogane ofenduese (trash talk) kundër kundërshtarëve të tyre (Golden State Warriors), por edhe pas të gjitha tentimeve nuk ia dolën për këtë, por merrnin përgjigje si: “pse t’i ofendoj, ata janë gjithashtu ekip i mirë”, ose “jo, jo, ne nuk e bëjmë këtë, ne jemi kanadezë, ne jemi të edukuar” dhe ngjashëm. Shembull i mirë se si diku kanë arritur drejt një shoqërie për të gjithë!

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit