Data e sotme
December 15, 2019

ZGJIDHJET E KUADRIT – PALCA E SISTEMIT POLITIK

Shkruan: Trifun Kostovski

 

Nuk mund dhe të mos pyetem se pse çdo ditë na ndodhin, do të thosha fiasko në skenën politike. Duke menduar po e kërkoja gjenezën për mossuksesin e sistemit tonë politik nga pavarësimi e deri më sot.

Sot temë kryesore është “fshesa” e Zaevit. Kudo në botë, edhe tek ne, ndodh fluktuimi i fuqisë së punës i cili ka për qëllim të realizojë ambicie personale, standard të sigurt dhe të ardhme stabile. Në ekonomi dhe në sektorin e biznesit për mua fluktuimet e tilla janë normale dhe të pranueshme.

Por, nuk mund të jem i bindur se me “fshesën” vijuese të kryeministrit Zaev, me ndërrimin e qindra kuadrove në administratë prej të cilëve disa edhe në funksione të larta, do të presim një të nesërme më të mirë.

Ndryshimi i kuadrove me kuadro të reja, në cilësitë dhe kualifikimet e së cilave dyshoj, jam i bindur se do ta detyrojë kryeministrin sërish ta përdorë “fshesën”. “Fshesa” është vetëm një finale mbase jo shumë e suksesshme, e shumë problemeve në shoqëri. Në përkthim, kjo do të thotë zgjidhje të këqija startuese kadrovike në administratë. Por, po hyj më thellë në analizë pse po udhëhiqet politikë e keqe kadrovike e cila duket se nuk punon për të mirën publike por për interesat partikulare.

Nga pavarësimi e deri më sot liderët e partive ndjehen si sulltanë të cilët qeverisin pa kurrfarë kontrolli, duke menduar se janë magjistarë të shumëfuqishëm. Ndërsa bëhet fjalë për model populist të qeverisjes ku partia është mbi shtetin.

Pyes veten – nëse me të vërtetë jetojmë në shoqëri të vërtetë demokratike. Nëse Parlamenti si trupi më i lartë ligjdhënës është i pavarur dhe vepron për interesat e qytetarëve ose vepron në mënyrë parandaluese për interesa partiake.

Pozita e partive politike është burimi i cili e imponon rrjedhën e këtij skenari politik vrasës për Maqedoninë. Ndërsa maja e të gjithë kësaj janë ligjet e këqija votuese dhe modelet të cilat mbizotërojnë në Maqedoni.

Sipas mendimit tim, kodi zgjedhor aktual është burimi i të gjitha problemeve që lidhen më tej. Përkundër të gjitha rekomandimeve në Bashkimin Evropian, të cilat ishin gjithnjë pozitive, asnjë qeveri nuk mblodhi forcat që të angazhohet dhe të zgjidhë problemet reale që përsëriten çdo vit. Nëse Kodi Zgjedhor është burimi kryesor i papjekurisë sonë, si do të merremi me të gjitha anomalitë që ndodhin në shoqërinë tonë: gjyqësor, arsim, shëndetësi, kulturë dhe dimensionin më të rëndësishëm – zhvillimor në ekonomi.

Zoti Zaev këtyre ditëve me “fshesën” e tij i pastroi një pjesë të atyre që vetë i caktoi në disa funksione. Pyetja ime u drejtohet të gjithë juve, por veçanërisht aktorëve – kush duhet fajësuar për të gjithë këtë? Ne nuk jemi ata që zgjodhën funksionarët. Ne qytetarët nuk kemi asnjë ndikim në politikat e kuadrit të çdo qeverie që vjen dhe e cila ka qenë. Me politikat e këqija të kuadrit është shkaktuar dëm i pariparueshëm për të gjithë shoqërinë. Por, prandaj pyetem, kush është përgjegjës për politikën e keqe të kuadrit. Shpenzohen para të popullit ose të huazuara të cilat përsëri do t’i kthejë populli. Çdo funksion duhet të shihet nga shumë anë, por më së shumti prej dy: një si detyrim dhe përgjegjësi, dhe aq më pak si një privilegj.

Në emërimin e nëpunësve shtetërore dhe ministrave për fat të keq më e rëndësishme është përkatësia partiake sesa kualifikimet profesionale. Kjo është ta ngulësh thikën në zemër të shtetit. Ndjenja se jemi duke qëndruar në një vend është kaq e dukshme saqë pjesa më e madhe e qytetarëve të nisur nga mosbesimi se është e mundur që të ndryshojë narrativi shoqëror dhe politik. Shtetin e fuqishëm e bëjnë personalitete të fuqishme, me integritet dhe me ekspertizë dhe jo të dëgjuarit partiakë.

Për fat të keq me përjashtim të individëve në shtetformimin e deritanishëm prej tre dekadave të Maqedonisë, rastet e tilla me të vërtetë janë të rralla.

Në fund do t’i jepja edhe disa propozime. Fillimisht, duhet të ndryshojë Kodi zgjedhor. Formimin e një njësie zgjedhore dhe theksimin e kandidatëve në këto lista pa mbështetje partiake. Populli ia del të vlerësojë dhe zgjedhë, siç ia del edhe të dënojë. Besoj në të dhe dëshiroj të besoj se e nesërmja më e mirë do të vijë atëherë kur interesi publik do të jetë mbi atë personal dhe kur të vijnë në funksione përgjegjëse persona të cilët kanë profesionalizëm të lartë dhe integritet. Në të kundërt, “fshesat” do të jenë realitet. Papërgjegjësia për politikat e këqija kadrovike do të jetë e margjinalizuar dhe do të presim se çfarë do të na sjellë dita, duke qëndruar në një vend pafundësisht lidhur me qëllimin final.

I inkurajoj partitë politike që t’i demokratizojnë partitë. Të mos e shtypin intelektualin ose atë që më shumë din edhe se eprori i tij. Përkundrazi duhet t’i jepen krahë njeriut të tillë për t’u zhvilluar. Si edhe shumë prej nesh edhe unë jam i lodhur prej kësaj përditshmërie politike dhe prej reformave të pasuksesshme në të gjitha segmentet të cilat nuk japin asnjë rezultat.

 

Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit