Data e sotme
September 21, 2019

QYTETARËT PO MBYTEN NË “KREDITË E SHPEJTA”: PËR DY VJET BORXHI ËSHTË RRITUR PËR 170 PËR QIND

  • Shuma e “kredive të shpejta” të miratuara për dy vjet është rritur trefish
  • Pas shoqërive me rritjen më të shpejtë financiare të cilat i plasojnë kreditë e shpejta famoze si pronarë paraqiten kryesisht kompani nga Bullgaria, Letonia dhe Estonia.
  • Deri para ca kohësh shkalla e shpenzimeve të përgjithshme të këtyre kredive të shpejta “pa interes” ishte deri në 500%, 600% në vit, por tani ligjërisht është kufizuar maksimum në 55%

 

Shkruan: Ekipi i INBOKS7

 


DOKUMENTACION


Të ballafaquar me pagat e ulëta dhe pamundësinë për t’i paguar llogaritë mujore, një numër i madh i qytetarëve vendosin të marrin hua, me shpresë se muaji i ardhshëm do të jetë më i bereqetshëm se i kaluari. Derisa më herët para huazoheshin prej miqve dhe familjarëve, tani “në ndihmë” dalin “shpëtimtarë” të rinj.

Ato janë shoqëritë financiare të cilat në opinion janë të njohura si kompani për kredi të shpejta. Me fushatë reklamuese agresive dhe me sloganet e tyre i tërheqin qytetarët e Maqedonisë që t’i shfrytëzojnë shërbimet që i ofrojnë.

Ato imponohen në treg si alternativë e kredive bankare dhe kreditë prej kursimoreve dhe organizatave mikrofinanciare të cilat në vend funksionojnë edhe më shumë se 20 vjet.

Mesazhet e tyre reklamuese thonë – “dyqan për para”, 0% interes, pa shpenzime, pa garantues”, “Miratimi për 30 minuta, pagesa menjëherë”…, por si funksionon në realitet sistemi i tyre?

 

TRUK MARKETINGU DHE INTERES REAL

 

Përparësia e këtyre shoqërive financiare është që realisht i ofrojnë edhe kushtet më të thjeshta për kreditë e tyre. Zakonisht kredia e parë, e cila mund të fillojë prej shumave minimale prej 3.000 denarë e më lartë deri në 60.000 denarë, por edhe më shumë, është pa interes nëse e ktheni në afatin e dakorduar prej një jave, dy javë, një, dy apo tre muaji. Nëse nuk mund të arrini në afatin e dakorduar, atëherë shoqëritë mund t’ju ofrojnë vonesë, por do të paguani interes i cili mund të sillet prej 8% për shtatë ditë vonesë e deri në 20% për qind për 30 ditë.

 “Shoqëritë financiare fituan imazh mjaft të keq në opinion viteve të fundit. I përfitonin qytetarët me kredi për të cilat gjoja nuk kishte interes, ose interesi është në maksimumin e rregulluar me ligj 8 për qind pikë mbi normën referente të interesit në shtet. Por, problemi ishte në normën e ashtuquajtur të shpenzimeve të përgjithshme (NSHP), për të cilën këto shoqëri nuk patën kurrfarë kufizimesh dhe jo rrallë e njëjta dinte të jetë edhe nga 300, 400 apo 500%”, thotë bashkëbiseduesi ynë i punësuar në sektorin financiar i cili deshi të mbetet anonim.

Mu për këtë, thotë ai, ka ndodhur dikush të marrë kredi prej 12.000 denarë dhe të duhet t’i kthejë 18.000 denarë për një muaj. Që është interes prej 50% në nivel mujor. “E shikoni tani se çfarë interesi është ky në nivel vjetor”, shton bashkëbiseduesi.

Mu për këto arsye Qeveria nga fundi i vitit të kaluar propozoi ndryshime ligjore me të cilat kufizohet NSHP në maksimum 55% në vit, ose 5 herë sipas normës së kamatëvonesës prej 11%. Këto ndryshime ligjore tashmë kanë hyrë në fuqi dhe shfrytëzuesit e kredive nuk do të paguajnë shpenzime të mëdha dhe do të minimizohet rreziku prej përkeqësimit të mëtejmë të gjendjes së shfrytëzuesve të kredisë që kanë probleme me pagesën e së njëjtës.

 

RRITET BIZNESI ME KREDITË E SHPEJTA

 

Por, edhe krahas këtij “shkurtimi të krahëve” të shoqërive financiare, nuk u pakësua interesimi për këtë biznes. Kjo shihet edhe prej numrit të këtyre kompanive i cili vazhdimisht rritet si edhe prej aktivit të përgjithshëm të këtij sektori të biznesit që shihet prej të dhënave në kuadër të Bankës Popullore, të cilat i analizoi INBOKS7.

Sipas tyre, mjetet e përgjithshme të të gjitha shoqërive financiare në shtet kanë qenë 3,24 miliardë denarë (rreth 53 milionë euro) në fund të kuartalit të parë të këtij viti, për dallim prej 2,4 miliardë denarë në fund të periudhës së njëjtë vitin e kaluar ose 1,3 miliardë denarë gjatë periudhës së njëjtë në vitin 2017. Që do të thotë se aktivi i shoqërive financiare (si edhe numri i tyre), është rritur për 2,5 herë.

Shuma e kredive të dhëna nga këto kompani në fund të tremujorit të parë të këtij viti arriti në 2,84 miliardë denarë (rreth 46 milionë euro), që është rritje prej 55% për një vit ndërsa 170% për dy vjet. Kur analizohen këto shifra, duhet të kihet parasysh se në bilancet e shoqërive financiare, në totalin e aktiveve përveç kredive të shpejta, hyn edhe lëshimi i kartave të kreditit dhe faktoring ose ndërmarrja e kërkesave të papaguara. Vitin e kaluar, kompanitë financiare e përfunduan me një shumë më të lartë prej 43% të kredive të miratuara krahasuar me 2017, dhe deri në 190% ose thuajse pak më pak se tre herë më shumë se në vitin 2016.

 

KAPITALI THEMELUES PREJ 100 MIJË DERI NË 5 MILIONË EURO

 

 

Për momentin në regjistrin e shoqërive financiare të publikuar në ueb faqen e Ministrisë së Financave janë 24 shoqëri financiare. Të parat janë regjistruar dhe kanë marrë leje për punë në vitin 2011, ndërsa licencat më të reja janë nga marsi deri në prill të këtij viti.
Pesë prej këtyre 24 shoqërive janë regjistruar vetëm për miratimin e kredive ndërsa të tjerat kanë edhe aktivitete të tjera financiare, si faktoring dhe dhënien e garancive. Ka shoqëri veprimtaria e së cilave është vetëm dhënia dhe administrimi i kartelave kreditore, konkretisht “Dajners Klub Internacional”.

Hulumtimi i INBOKS7 tregon se kryegjëja më e vogël me të cilën është regjistruar një nga këto kompani financiare është 6 milion denarë, ose rreth 100 mijë euro te kompania “Pro Inter Kapital Shpknjp Shkup”, ndërsa investimi më i lartë themelues që e kemi shënuar në Regjistër është në shumë prej 288 milionë denarë (rreth 4,7 milionë euro) në Qendrën e Kredisë Financiare “BS SHPK Shkup”. Nga këto 24 kompani financiare, 17 janë të regjistruara në Shkup, tre janë në Manastir dhe nga një në Ohër, Prilep, Strumicë dhe Shtip.

 

JANKOVSKI, MICEVSKI, ZAEVË… NË KËSHILLAT DREJTUES

Në mesin e anëtarëve të organeve drejtuese të shoqërive financiare, sipas dokumenteve të cilat INBOKS7 i mori nga Regjistri Qendror i Maqedonisë së Veriut, figurojnë disa emra të njohur të cilët kanë qenë ose akoma janë të lidhur me politikën. Përveç Bozhidar Jankovksi, i cili është drejtor shumëvjeçar i Dajners Klub në Maqedoninë e Veriut dhe bashkëshort i ministres Radmilla Shekerinska, e vërejtëm edhe emrin e Siljan Micevski, ish-kryetar i Komunës së Manastirit i cili lidhet edhe aferën e madhe financiare TAT. Mickovski tani pronar i më shumë bizneseve të mëdha në vend, në mesin e të cilave Pelister, Eurofarm, ndërsa në këtë rast edhe i shoqërisë financiare “Pelister Shpknjp”. Katerina Bojoviq – Zaeva është anëtare e udhëheqësish së ish kursimores “Poen” nga Strumica, e riregjistruar në vitin 2013 si shoqëri financiare me veprimtari të dhënies së kredive, faktorin dhe dhënies së garancive. Sipas shkrimeve të portalit Lider, kjo kompani është në pronë të anëtarëve të familjes së kryeministrit Zoran Zaev.

 

KUSH QËNDRON PAS SHOQËRIVE FINANCIARE PËR KREDI TË SHPEJTA?

 

Që para ca kohësh, shoqëritë financiare, ose të paktën shtatë prej tyre, vendosën të organizohen në shoqatë, më saktë Asociacioni i shoqërive financiare të Maqedonisë së Veriut (ASHF), anëtarë themelues të së cilit janë: Tigo Fajnans SHPKNJP Shkup, MOGO Kredi SHPKNJP Shkup, M Kesh Maqedoni SHPKNJP Shkup, IUTE Kredit Maqedoni SHPKNJP Shkup, Di xhibal Fajnans Interneshënall SHPKNJP Shkup, Kredisimo SHKPKNJP Shkup dhe SN Financa SHPK Manastir.

Sipas dokumenteve të marra nga Regjistri Qendror, si pronarë dominojnë individë dhe kompani nga Rusia, ish-republikat sovjetike në Baltik dhe Bullgaria. Kështu, pronar i Dixhital Fajnans Interneshënal SHPK Shkup është miliarderi rus Oleg Viktoroviç Bojko, i cili biznese të tilla ka edhe në vende të tjera të Evropës qendrore dhe juglindore, ndërsa kompaninë në Maqedoni e ka themeluar në tetor të vitit 2016 me investim prej 300 mijë euro. Ndryshe, Dixhital Fajnans është shoqëri e njohur në trgun vendor me brendin për kredi të shpejta Forca.

Pronar i Kredisimo Shpknjp është Kredisimo SHA Sofje, drejtues i së cilit është Sokol Radostinov Jankov, ndërsa kompaninë në vend e kanë formuar me investim prej 100 mijë euro.

Me shumë të njëjtë të investimit është formuar edhe shoqëria M Kesh Maqedoni, pronarë të së cilës janë Akses Fajnans, gjithashtu nga Sofja, Bullgari, ndërsa drejtues është Dimiter Aleksandrov Prodanski.

MOGO Shpknjp është formuar nga MOGO Finance S.A. me seli në Luksemburg, me kapitalin themelor prej 200 mijë euro, ndërsa veprimtaria kryesore është lizing financiar për automjete. Drejtues i kompanisë së Luksemburgut është Rainers Vilans, me adresë banimi në Rigë, Lituani.

Nga ky vend është edhe pronari i Tigo Fajnanas, Aigars Kesenfelds, i cili e ka themeluar kompaninë në Maqedoni me investim prej 400 mijë euro.

Nga Estonia fqinje vjen pronari dhe themeluesi i Iute Kredi Maqedoni, ndërsa ajo është kompania AS Iutekredi Evropë, me seli në Talin, kryeqyteti i këtij vendi baltik.

Kompania e vetme midis shtatë anëtareve të Asociacionit që është formuar me kapital vendor është SN Financa nga Manastiri, me investim prej 210 mijë euro, pronarë të së cilës janë shtatë aksionarë: Bllagoj Kërstevski, Hristo Kondovski, Nikolla Mitrovski, Nikolla Joshevski, Peco Stojanoski, Petar Milloshevski dhe Zoran Pejçinovski, të gjithë nga Manastiri.

Ndryshe, hapja e shoqërive financiare në vend u mundësua me Ligjin për Shoqëri Financiare i sjellë nga fundi i vitit 2010 dhe ato janë edhe një pjesë shumë e vogël e ekonomisë së përgjithshme.

Shpjegimi për nevojën për të hyrë në treg këto shoqëri financiare nga Ministria e Financave, e cila ishte propozuese e ligjit, ishte që ato të plotësonin veprimtarinë e kreditimit të bankave, veçanërisht për klientët me qasje të kufizuar në kreditë bankare për shkak të politikave konservatore të kredive.

Aso kohe, opinioni i përjetoi këto shoqëri si konkurrencë ndaj bankave. Ligji nuk u lejon këtyre shoqërive financiare të grumbullojnë para prej depozitave të qytetarëve dhe kompanive, por financohen në mënyrë dominuese prej kapitalit dhe rezervave personale, ose detyrohen me kredi afatshkurtra në banka.

 

Në vazhdim: Dëshmi të qytetarëve të cilët janë ngujuar në vorbullën e kredive “pa interes”? Pse shoqëritë financiare edhe krahas interesit “me fajde” akoma punojnë me humbje? Çfarë kodi për mbrojtjen e konsumatorëve kanë nënshkruar shoqëritë financiare?