Data e sotme
July 22, 2019
Foto: Print-skrin nga emisioni 360 në AlsatM

Qërim i vazhdueshëm i hesapeve

Shkruan: Denko Maleski

 

Gazeta italiane “La Verita”, duke shkruar për ngjarjet që lidhen me kompaninë e tyre për furnizimin e pajisjeve për aeroportin e Shkupit vjen në përfundim se afera është pjesë e “qërimit të vazhdueshëm të hesapeve midis pozitës dhe opozitës”. Kjo, përfundon gazeta me emrin paralajmërues “E vërteta”, e karakterizon jetën e këtij shteti të vendosur në zemrën gjeopolitike të Ballkanit. Qërimi i vazhdueshëm i hesapeve, gjegjësisht është karakteristikë e jona kombëtare. Dhe jo vetëm në strukturat shtetërore. E përmend se në dyzet vjet karrierë akademike të Fakultetit Juridik në Shkup, nuk ndërmorëm asgjë serioze në shkencë dhe arsim  pasi karakteristika kryesore e jetës tonë “akademike” ishte qërimi i hesapeve midis të paktën dy grupeve. Tek ujqit e vjetër, profesorët e mi, pati edhe njëfarë dinjiteti, por pas ardhjes së gjeneratës sime në pushtet edhe dinjiteti humbi në qërimin e përjetshëm të hesapeve. Kur si bursist në Fulbrajt, u bëra profesor i vërtetë në një Universitet në Amerikë, pyeta njerëz atje nëse ka konflikte midis profesorëve të cilët e paralizojnë punën e institucionit. Përgjigja ishte se konflikte, sikur kudo midis qenieve njerëzore ka, mirëpo se njëra palë tërhiqet duke e vazhduar karrierën në një universitet tjetër. Mallkim i rrethit të vogël thashë, duke menduar për Maqedoninë ku nuk ka se ku të shkojë, dhe kur dy persona në një kolektiv kapen për fyti, mbyten deri në pension. Këto konflikte, nga ana tjetër, shkaktuan bllokime dekadëshe të nismave të vlefshme të drejtuara nga përmirësimi i arsimit në studimet e ardhshme, avokatë dhe administrativë, të cilët janë ashtu siç janë falë pafuqisë tonë para këtij shkatërrimi: qërimit të vazhdueshëm të hesapeve.

Nëse disa individë sillen në këtë mënyrë, atëherë mund ta imagjinoni ashpërsinë e konfliktit kur janë në pyetje grupe politike siç janë partitë. Në turmë, njerëzit fitojnë fuqi të tmerrshme. Ja sot, në një moment vendimmarrës për shtetin tonë, udhëheqësi i opozitës tonë i prish marrëdhëniet me qeverinë dhe presidentin. Udhëheqësi opozitar deklaron se qeveria nuk do të bashkëpunojë në planin e përbashkët për marrjen e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE në tetor, por vetë do të punojë në këtë drejtim përmes partive simotra. Me presidentin bashkëpunimi është përjashtuar derisa ai publikisht nuk kërkon falje për qëndrimin e tij ndaj Goce Dellçevit?! Kjo sjellje është edhe një dëshmi e logjikës “Sa më keq për shtetin, aq më mirë për ne në zgjedhjet e ardhshme”, lojë të cilën partitë tona e luajnë që nga viti 1991 e këndej. Për vëzhguesit e huaj, nga ana tjetër, kjo është vetëm një dëshmi se sistemi politik i Maqedonisë nuk mund të prodhojë minimum unifikim për reformën demokratike dhe juridike, dëshmi e cila me të vërtetë, të paktën pikërisht tani, para tetorit është koha e vërtetë për qërim hesapesh.

Gjithsesi bëhet fjalë për mentalitetin tonë. Mentalitet i cili nuk ndryshon. Mentalitet i cili nuk ndryshon as për dyzet vjet e lëre më për katër muaj (deri në tetor). Vallë pikërisht tani patëm nevojë për aferën e sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë? Krahas gjithë asaj që na ka ndodhur, krahas të gjitha këshillave dhe shkrimeve se si ta mësojmë leksionin e Patrik Mojnihan, profesor i Harvardit dhe senator shumëvjeçar, se sistemi politik i një shteti duhet të disejnohet sipas anës së errët të natyrës së njeriut: ajo e cila gënjen dhe vjedh. Të gjithëve që u është dhënë fuqia të disponojnë me paratë tona dhe jetët tona janë vjedhësit potencial dhe mashtruesit potencial, thotë Mojnihan. Por asnjë parti nuk mundet vetë të garantojë drejtësinë nëse mungojnë mekanizma për kontrollin e saj. Mungesë e vetëdijes për pushtet të kontrolluar dhe llogaridhënës, si sistem të cilin gradualisht e ndërtojnë partitë, do të thotë afera të përditshme dhe shlyerje e pafundme e faturave.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit