Data e sotme
October 15, 2019

Përgjegjësia – vlera kryesore e njeriut si qenie politike

Shkruan: Trifun Kostovski

 

Mbase një prej instinkteve më të lashta tek njeriu, që e bën atë qenie që dallon prej të gjitha qenieve të gjalla, është mendimi i ndërgjegjshëm, racional i përgjegjësisë. Përgjegjësi ndaj vetes, ndaj rrethit më të afërt dhe ndaj bashkësisë më të gjerë. Një prej filozofëve më të shquar antik, Aristoteli e përcakton njeriun si qenie politike/shoqërore, jetësore (ζῷον πoλιτικόν): ai qartë edhe në veprat e tij Politika dhe Etika Nikomahea, tregon se njeriu nuk mund të mbijetojë jashtë politicitetit të tij, jashtë bashkësisë në të cilën domosdoshmërish krijon regata të përgjegjësisë, ndërsjelljes, duke vepruar për të mirën e përbashkët.

Pyetem vallë mbase i harrojmë, sot dhe këtu, këto njohuri të mençura të njërit prej filozofëve më të mëdhenj antik dhe krijuesve të mendimeve bashkëkohore politike strategjike të bashkësisë. Nëse Leka i Madh, mësues i së cilit ka qenë Aristoteli, është udhëhequr prej këtyre parimeve, pse nuk do të kishim mundur edhe ne.

Të gjithë dimë për proverbin e perandorisë romake, të cilët në kundërshtim me konceptin e Aristotelit, i kanë krijuar lojërat gladiatore: “Jepini popullit bukë dhe lojëra dhe me atë e keni blerë paqen në vendin ku qeverisni”. Për fat të keq, tek ne sikur mbretëron koncepti i vrazhdë, populist perandorako-gladiator i qeverisjes dhe jo ai i Aristotelit, i urtë, përkujdesës dhe fisnik.

Karnavalizimi i jetës politike në të cilën dëshmojmë në shoqërinë bashkëkohore maqedonase, na jep të drejtë të vërtetojmë se romakët kanë pasur të drejtë, duke e ndërtuar konceptin populist, për të anesteziuar pakënaqësinë e plebesë së uritur. Nëse në rëndësinë transmetuese buka është reflektim i varfërisë, ndërsa lojërat me të cilat plebeja argëtohet janë defokusim prej politikave karnavaliane të politikanëve tanë, në mënyrën më të hapur pyetem se kush e paguan këtë çmim të lartë të cirkut kaq të shtrenjtë? Kur them çmimi, nuk mendoj në çmimin e shprehur në shifra, por çmim i cili ka pasoja më të mëdha në kontekstin socio-kulturor në Republikën e Maqedonisë.

Në vend se të hapërrojmë përpara drejt qëllimeve të guximshme, bashkëkohore dhe të artikuluara qartë e demokratike, ne po hapërojmë në vend, duke pritur se, ashtu, servilizmi ynë ndaj Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duhet të shpërblehet me anëtarësimin në BE dhe NATO.

Jetojmë në një periudhë dinamike të rritjes së shpejtë ekonomike në botë ku shkenca dhe teknologjia çdo moment gjithnjë e më shumë implementohen në jetesën bashkëkohore. Më shumë herë kam përmendur se jam i lodhur në nivel ditor ta ndjek politikën e Republikës së Maqedonisë dhe në mënyrën më të sinqertë po përpiqem t’i shmang të gjitha informacionet ditore dhe jo rrallë edhe banalo-irrituese rreth politikës. Mua më interesojnë vizionet e mëdha strategjike dhe “organogramet” për të gjitha segmentet shoqërore të Republikës së Maqedonisë. Besoj në të ardhmen, besoj tek njeriu dhe aftësitë dhe njohuritë e tij, por ku janë ato? Të larguar nga Republika e Maqedonisë, të shpërngulur, të ardhmen e kërkojnë në shoqëritë e zhvilluara dhe vendet, ku puna e tyre është e valorizuar në mënyrë përkatëse, që do t’u mundësojë pa kurrfarë problemi ta vazhdojnë jetën e tyre të qetë dhe dinjitoze, siç ky vend nuk mund t’u mundësojë, për fat të keq.

Çfarë duhet bërë ne që ta mbajmë atë kuadër të kualifikuar në Republikën e Maqedonisë? Për fat të keq, asgjë. Madje edhe vlerësoj se largimi i intelektualëve është mbështetur prej partive politike, të cilat gjatë tre dekadave të kaluara qeverisin me Republikën e Maqedonisë. Meqë në vend, pikërisht atyre që qeverisin u nevojiten persona të dëgjueshëm, mediokër dhe jo ekspertë me frymë kritike dhe integritet.

Ju pyes ju, ndërsa edhe veten, vallë nuk mësuam se arsimi dhe njeriu i arsimuar është kapitali më i fuqishëm me të cilin disponon çdo shtet? Nuk do të doja ta kem këtë fije të trishtë, por, për fat të keq, nuk mund të jem i verbër dhe injorant para fakteve të cilat secilit i janë varur si re e errët – se si ky vend lejoi që të ikin më të mençurit, më të mirët dhe më të kualifikuarit!

A kemi shpëtim prej kësaj “murtaje”? Personalisht mendoj se çdo qeveri ka të drejtë të kërkojë dëmshpërblim prej vendeve ku shumë bashkëqytetarë tanë gjejnë strehim. Do të pyeteni pse? Pasi çdo njeri individ, i cili fiton njohuri dhe aftësi të caktuara është investim i cili kësaj shoqërie i kushton 300 dhe 500 mijë euro. Edhe krahas këtij investimi, këtij kapitali të krijuar, ne lejojmë ky njeri të largohet pa kthim.

I nderuar kryeministër i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, të nderuar ministra, të nderuar anëtarë të opozitës të cilët deri dje rinit në kabinetet qeveritare, duhet të vini gishtin në kokë se e kemi humbur substancën për ndërtimin e shoqërisë së shëndoshë dhe bashkëkohore. Ky është krim, të nderuar, për të cilin të gjithë kemi përgjegjësi dhe faj, por më së shumti njerëzit që e udhëheqin këtë shtet afro tri dekada.

Është e dhimbshme ndjenja kur prej ekraneve televizive ju bindin se qeveria është e përkushtuar në zgjidhjen e problemeve thelbësore në shoqëri, ndërsa shikoni dhe e ndjeni se absolutisht asgjë nuk ndryshon. Edhe tek më optimistët fillon të mbizotërojë ndjenja e dorëheqjes dhe lodhjes.

Më vjen keq që në këtë kolonë mbizotëron pesimizmi, por vlerësoj se pikërisht për shkak të progresit të vendit janë të domosdoshme ballafaqimet dhe fryma kritike. Ndryshe, gjithsesi, me gëzim të madh jap lëvdata për gjërat të cilat kreu shtetëror i kryen në dobi të së ardhmes së vendit, me përgjegjësi, për të mirën e përbashkët ashtu siç e kërkonte këtë Aristoteli prej qenieve njerëzore.

Mbase vera do të sjellë më shumë maturi, pasi të shikuarit prej anash jep pasqyrë më të pastër. E duam atdheun edhe ata në pushtet edhe ata në opozitë, por më shumë na nevojiten vepra sesa karnavalizime të politikës.

 

Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit