Data e sotme
August 23, 2019

“ZHVATJA” E SHPRESËS

Shkruan: Bardhyl ZAIMI

Maqedonia po “lundron” drejt një krize të skajshme mosbesimi institucional dhe politik. Skandali me “Boki 13-t” ka trandur edhe themelet e institucionit që mendohej si instrumenti më i mirëqenë për vendosjen e drejtësisë në shtet. Prokuroria Speciale Publike tashmë ndodhet në një situatë të mjerë mosbesimi pasi dyshohet se kryeprokurorja Katica Janeva mund të jetë përfshirë në rrjet të inkriminuar reketimi që u bë publik nga një biznesmen ndaj të cilit zhvillohej një proces gjyqësor.

Mediat kanë raportuar se udhëheqësi i 1TV Bojan Jovanovski i njohur si Boki 13-t bashkë me Zoran Milevskin i njohur si Zoki Kiçes kanë reketuar biznesmenë duke shfrytëzuar pikërisht lëndët të cilat i posedon PSP-ja. Në gjithë këtë ngjarje është implikuar edhe emri i kryeprokurores speciale, e cila tashmë ka dhënë dorëheqje. Policia më urdhër të Prokurorisë Themelore Publike për ndjekjen e krimeve të rënda ka arrestuar Boki 13, ndërkohë që kryprokurores i është konfiskuar celulari.

Mediat raportojnë për shumë milionëshe reketimi në këmbim të lehtësimeve në proceset gjyqësore. Rasti i pagëzuar si “Zhvatja” ka nxjerrë në sipërfaqe një rrjet kriminal reketimi që mendohet se ndërlidhet edhe me Prokuroren Speciale, Katica Janeva. Kanë pasuar ndërkohë edhe reagimet politike. Kryeministri Zaev ka theksuar se secili është i barabartë para ligjit, ndërkohë që ka kërkuar nga gjykata që të verifikojë nëse Janeva është keqpërdorur apo kanë qenë pjesë e këtij kriminaliteti. Lideri opozitar, Mickovski, ka kërkuar që kryeprokurorja e dorëhequr, Janeva, menjëherë të arrestohet. Sipas, VMRO-DPMNE-së prapa këtij inkriminimi qëndrojnë edhe funskionarë të LSDM-së, ndërkohë që nga kjo parti kanë bërë të ditur se nëse partia opozitare ka fakte të tilla t’i paraqes në prokurori.

Përveç përplasjeve partiake, nëpërmjet një press konference është prononcuar edhe PSP-ja, e cila duket se tashmë është distancuar nga kryeprokurorja Janeva. Nga PSP kanë bërë të ditur se ky institucion nuk mund të identifikohet vetëm me një person, duke lënë të kuptohet që PSP-ja do të funksionojë edhe më tej.

PSP-ja ishte themeluar me pajtimin e të gjitha partive politike me Marrëveshjen e Përzhinos dhe ishte menduar si një mekanizëm i pavarur drejtësia që do të procedonte lëndët që dilnin nga përgjimet, të gjitha indiciet që mund të ndriçonin shumë raste të korrupsionit të pushtetit të kaluar.

PSP-ja ishte parë si një dritë shprese nga qytetarët për vendosjen e drejtësisë për shumë keqpërdorime nga pushteti i kaluar. Ishte institucioni më i besueshëm te qytetarët edhe pse me kalimin e kohës për shkak të punës joefikase kishte filluar të zbehet besimi në këtë institucion të shpresës për vendosjen e drejtësisë në shtet. Rasti i fundit, në të cilin implikohet edhe emri i kryeprokurores speciale ka shembur keq shpresën e qytetarëave.

Një besim dhe një shpresë e jashtëzakonshme është shndërruar në një zhgënjim të jashtëzakonshëm. Rasti “Zhvatja” duket se ka krijuar një tronditje të pazakontë në opinion. Një zhgënjim që do të duhet kohë që të riparohet. Ky rast ka hapur shumë dilema, të cilat vijnë si valë zhgënjimesh te qytetarët. Mbetet e pakuptuar deri në fund përmasa e këtij inkriminimi, këtij krimi të organizuar që minon çdo ide se në këtë shtet gjërat mund të shkojnë në drejtimine duhur.

Ky rast, padiskutim që i vë në sprovë pikëlluese kapacitet institucionale, gjithë regjistrin e bartjes së funskioneve publike. Ky rast shpërfaq të vërtetën se pushteti mund të ndërrohet, por jo edhe mendësia, jo edhe sistemi i perceptimit të pushtetit dhe funksioneve publike. Për vetë faktin që ky rast ndërlidhet me gjyqësorin edhe njëherë e vë në pikëpyetje nëse ky sistem gjyqësor me këta bartës funksionesh mund t’i rezistojë logjikës bizare për të “zhvatur”, për të qenë ndryshe nga periudha e kaluar.

Ky rast shpërfaq një të vërtetë të dhimbshme, logjikën bizare të keqpërdorimit të pushtetit dhe funksionit publik që tashmë perceptohet në opinion si normalitet. Pikërisht, ky perceptim se të gjithë janë të njëjtë mbetet ataku më i madh ndaj ndryshimeve, sepse në këtë rast humbet momentumi që bën diferencën për të lëvizur drejt një sistemi të mirëqenë vlerash. Inkriminimi elegant i njerëzve që qarkullojnë rreth pushtetit si burim fuqie dhe kontrolli, në këtë rast që ndërlidhet edhe me një media, ka krijuar me të drejtë perceptimin se secili pret radhën për keqbërje njësoj si pararendësit.

Gjithë kjo situatë duket se po e riciklon keqbërjen si logjikë e vetme që kalon nga një pushtet në tjetrin, nga një kohë në një kohë tjetër, me fytyra të reja, por me vese të njëjta. Për më tepër, ky skandal tronditës na vendosë përpara një defekti fatal të pamundësisë për të kultivuar individin e përgjegjshëm në raport me gjithë atë që përfaqëson e mira publike dhe që përfaqëson jeta institicionale dhe shoqërore.

E kemi shkruar edhe më herët se politika e kuptuar vetëm si pushtet ka prirje gjithnjë për keqbërje dhe abuzim me jetën e qytetarëve. Pikërisht, në këtë linjë ka dështuar tërësisht politika, sepse nuk ka arritur të krijojë minimumin e një ambienti ku do të funksiononin rregullat e lojës, gjegjësisht sundimi i ligjit. Ky rast e shpërfaq fatalisht dekompozimin institucional dhe shoqëror, prirjen e vazhdueshme për të “zhvatur” në emër të një fuqie që mund të fitohet nga konstelacione dhe privilegje të caktuara.

Sigurisht, PSP-ja nuk mund të identifikohet vetëm me një person. Ajo është një institucion i ngritur me ndihmën e miqve ndërkombëtarë dhe ekzistenca e saj mbetet jetike për funksionimin e drejtësisë. Brenda kohës, Komisioni Europian ka theksuar se puna e PSP-së duhet të vazhdojë në zbardhjen e rasteve që dalin nga materialet e përgjuara. në gjithë këtë situatë duket se mund të pësojnë një lloj defokusimi edhe rastet të cilat janë ngritur nga PSP. Kjo rrethanë krijon mundësinë që keqbërësit e djeshëm të “rehatohen” në kaosin e krijuar, sikundër që gjithmonë ekziston rreziku që shpëtimtarët e vetëshpallur të djeshëm të marrin rolin e “xhelatit” të fatit të qytetarëve.

Një gjë mbetet e sigurt. Çdo zmbrapsje nga ideja e drejtësisë do të thotë zhvendosje drejt një kaosi dhe ambisi fatal. Sidoqoftë, tashmë mbetet e qartë se pa një implikim serioz të ndërkombëtarëve në këtë proces gjithçka duket e pamundur. Një status i ri i PSP-së do të duhet të përfshijë një impenjim shumë më të madh të bashkësisë ndërkombëtare në formën e një monitorimi të punës së saj. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet kryefjalë e procesit integrues. Vetëm një drejtësi tërësisht e pavarur dhe me integritet profesional mund t’ia dalë mbanë në këtë betejë të pafundme me logjikën e zhvatjes së përhershme.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit