Data e sotme
November 23, 2017

KUR DO “VAJM” NE

Nga Arlind FARIZI *

Kur do vajm Ne” është refreni i çdoditshëm e makijatomenit… Njëriut të pagjumë që me sabah ligjëron tema partie në kafenenë plot shllunga tymi… “Kur do vajm Ne” është refreni i çdosekondshëm i kryetarit të nëndegës dhe krandes partiake… Ehoja e saj moti ka prekur veshin e liderit… “Kur do vajm Ne” është refreni i ciklit menstrual politik… “Kur do vajm Ne” është llafi i dytë pas sharjes së oponentit politik. Plane e plane thuren në mendjen e hakmarrësve politik. Plane për prerje testisesh, për burgime, për largime prej pune, për ndërrime vendesh pune e degradimesh tjera… Plane ogurzeza për ata që si takojnë grupit të njëmendësisë politike. Sa gjëra të këqija e presin ATË që s’është me ATO. Do e kryqëzojnë si më keq, do e akuzojnë për blasfemi…

Prej kur politika u bë arma më ë fuqishme e mendjes dhe arsyes, turma pa veshë e pa sy asgjëson gjithçka përpara, sall të mbërrij te karrigeje e limushët… Alet vrasës bëhet politika. Tjetri, ai i ndryshmi i politikës, edhe ai i dezertuari, janë armiqtë e mëdhenj dhe të tillët në kohë lirie e fitore të palës tjetër do rrjepen edhe shpirtërisht…

Edhe m’i vojli, edhe m’i ulti i politikës, ai ngjitësi i flamujve është në gjendje ta dëmtoj kojshinë e vetë, që s’ia dëgjoi llafin për ta votuar partine e tij të cilën e do më shumë se gruan e vetë…

Situata eskalon kur shpifja mbërrin përmes sms-it te lideri. Dhe ai qorrazi i beson simpatizuesit dhe merr vendimin: mbajte ket…. Liderët dëgjojnë dhe veprojnë sa herë kur het të bëhet keq ndërsa për të kundërtën, patjetër duhet ti shkojë emri i filtruar nëpër sitën e nëndegëve dhe degëve, e kur të vij të baza, atëherë e shohim punën edhe më detajisht.

E njoh mirë këtë realitet politik, të pandreqshëm me asnjë alkimi. E kotë është përpjekja e intelektualeve për ndryshim gjendjeje… Id – ja e realitetit tonë politik është e barabartë me thënien Kur do vajm ne… dhe prirja për të bërë keq s’ka të ndalur, rrjedh lum…

I them ATIJ, njeriut të politizuar, ç’ke më të lehtë, të bësh mirë apo keq? Të heqësh prej pune apo të shtosh një më tepër? Ti, homo politicus, e heq dot një të metë të dikujt siç mund të heqësh apandesitin? E shtyp dot një ves të keq si bishtin e cigares në një taketuke mërzie? E shton dot një virtyt si një pemë të mbjellur mbi kurrizin tënd?

I them ATIJ, që ngre telefon dhe flet për ATË, shpifësit ordinerë, se një ditë, britma e punëve të këqija do të del si pasqyrë rrëfimi para teje, do shohësh pamjen tënde të errët dhe çdo gjest dëmi do të vij vetëtimë mbi ndërgjegjen tënde.

I them ATIJ, që e shiti shpirtin politikës, bile lirë ia dha, për një post nëndege, se koha s’matet me mandate politike, kohën e bëjnë punët, veprat, ato të mirat, kohën e bëjnë fjalët, që herë- herë s’janë aq të pafajshme sepse ato vrasin.

I them ATIJ, krijuesit gjenial të shpikjes gjuhësore “Kur do vajm Ne”, se edhe në ardhshit JU, se njerëzit e mirë i ruan Zoti. Se liderët do mësohen të mos ndikohen nga JU, se pikërisht prishësit e politikës jeni JU, se arsyet pse një parti nuk arriti të ngritet në pozicionet ku deshi ishin soji JUAJ, kërcënuesit, frikësuesit, shqetësuesit, prerësit e testiseve…

Kjo është përrallë me përemra vetor. Shkrimi është për të gjithë ato që ndjejnë brenda vetës pozicionet UNË dhe AI para dhe pas zgjedhjeve…

*Autori është profesor universitar

Magazina online INBOX7 jo çdo herë pajtohet me qëndrimet e autorëve të teksteve në rubrikën SHPREHU. Përgjegjësia për mendimet e shpalosura në këtë rubrikë janë vetëm të autorit.

Shkruaj një koment

Koment(e)