Data e sotme
December 12, 2019
Foto: Print-skrin nga emisioni 360 në AlsatM

Dilema hamletiane maqedonase dhe shqiptare

Shkruan: Denko Maleski

Pak ditë më parë, presidenti shqiptar Ilir Meta zyrtarisht kërkoi nga OSBE-ja që të ndërmjetësojë në marrëdhëniet mes partive të cilat assesi nuk mund të merren vesh se ku është rruga për dalje nga kriza politike. Atë e bëri edhe pse është i vetëdijshëm se secila thirrja e faktorit të jashtëm që të përzihet në punët e brendshme të një shteti është dëshmi se politika vendore nuk është e aftë që të japë zgjidhje për problemet të cilat vetë i ka shkaktuar.
Nëse, sërish, shteti pret ftesë për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, thirrja është e barabartë me pranimin se Shqipëria nuk është e gatshme për këtë akt. Se rrënjët e politikave tona të këqija ballkanike janë në kokat e njerëzve te të cilët nuk ka vetëdije demokratike, u binda gjatë një vizite në Tiranë ku, me ftesë të kryetarit të atëhershëm të klubit të NATO-s dhe presidentit të ardhshëm të Shqipërisë, Alfred Mojsiu, kam folur në një konferencë të tyre. Dhe atëherë, para më shumë se një dekade, sistemi politik shqiptar ishte në krizë ndërsa rrugët e Tiranës ishin vërshuar nga protestuesit të cilët protestonin kundër Sali Berishës i cili, sipas pohimeve të partisë së atëhershme opozitare e cila tani është në pushtet, i kishte falsifikuar zgjedhjet.
Atë mbrëmje pranverore, duke i ndjekur nga larg protestuesit të cilët thyenin kordonët e policisë rreth institucioneve shqiptare, isha në shëtitje me përfaqësuesin e atëhershëm të OSBE-së në Tiranë, ambasadorin Gerd Arens. E pyes se për çka janë mosmarrëveshjet dhe ai thotë se nuk mund ta përcaktojnë të vërtetën rreth rregullsisë së zgjedhjeve.
Kam vërejtur se duhej të parashihej me kushtetutë ose me ligj ndonjë trup i cili ndershëm dhe paanshëm do të vendosë. Ai konfirmon se ekziston një trup prej shtatë anëtarëve por se problemi është te njerëzit.
Seriozisht përfundon se nuk ka shtatë personalitete të pavarura dhe të paanshme në politikën e shtetit. Nuk ka shtatë persona të pavarur në politikën e një shteti? Qesha, por shumë shpejt u mendova thellë. Kështu, u mundova që me gishtat e dorës të numëroj shtatë personalitete të pavarura në Maqedoni dhe pata problem.
Dy popujt, edhe populli shqiptar edhe ai maqedonas janë popuj të ndarë. Nacionalizmat tanë na verbërojnë para së vërtetës objektive historike se një pjesë e fajit është edhe te vetë ne e jo vetëm te interesat e forcave të mëdha.
Në rastin e Maqedonisë, provinca e fundit evropiane e Turqisë otomane, popujt tonë asnjëherë nuk kanë folur asnjë zë në konferencat në të cilat është shënuar harta politike e Evropës. Maqedonasit në të shumtën e rasteve kanë qenë të zënë me vrasjet ndërmjet vete, të shkaktuara nga shpirtrat e ndasive dhe të dhunës së nacionalizmave ballkanikë. Për herë të parë folëm me zë në Konferencën për Jugosllavinë në vitin 1991, kur shteti i krijuar nga gjenerata e partizanëve gjatë luftës antifashiste të popujve jugosllavë, duhej të promovohej në subjekt të plotfuqishëm në shoqërinë ndërkombëtare të shteteve sovrane. Kjo, ndodhi me mbështetjen e parezervë të partisë shqiptare në parlamentin e atdheut tonë. Të bashkuar rreth qëllimit të përbashkët arritëm që në mënyrë paqësore vendi të bëhet i pavarur.
Në rastin e Shqipërisë, e kam në kujtim një dialog karakteristik të Konferencës së Versajës kur shënoheshin kufijtë e shteteve të përshkruar në librin “Parisi 1919” të Margaret Makmilan. Në propozimin për bashkimin e territoreve të banuara me popullatë shqiptare drejtë shteteve fqinje, dikush ka pyetur e pse të mos bashkohen të gjithë shqiptarët në një shtet. Përgjigjja shokuese atëherë ishte se politikanët e Shqipërisë në ato vite të para të shtetësisë, dinin vetëm “të shqyenin gabzherrët” por jo edhe që në mënyrë demokratike të udhëheqin shtetin.
Këtu është edhe problemi ynë i përbashkët. Se si në mënyrë demokratike të menaxhojmë me pushtetin dhe opozitën në parimet e demokracisë parlamentare dhe shtetit juridik. Është dilema hamletiane e sistemeve politike të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut sot kur të dyja vendet trokasin në derën e Bashkimit Evropian. Përmbushni postulatet themelore demokratike (ndaloni që “t’i shqyenin gabzherrët”), thotë Franca, që të filloni negociatat. Ne, me sjelljen tonë sikur dëshirojmë ta japin mesazhin: hapni negociatat me ne që të mësojmë se si t’i respektojmë postulatet themelore demokratike. Kush ka të drejtë?

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit