Data e sotme
August 23, 2019

LAJME TË RREME PËR VJEDHJE TË HISTORISË

Shkruan: Aleksandar Krzhallovski

 

 

Në mungesë të momenteve të reja në rastin “Zhvatje”, i cili dalëngadalë ka tendencë që të vazhdojë në stilin e mirë të vjetër “secila çudi për tre ditë” ose siç do të thoshin serbët “shumë zhurmë për asgjë” javën e kaluar opinioni ishte bombarduar nga paralajmërimi qeveritar për luftë kundër lajmeve të rreme dhe para kësaj deklaratës relativisht fatkeqe të kryeministrit për një televizion grek – për përvetësimin e  supozuar të historisë së fqinjëve.

Kjo do të jetë edhe tema e kësaj kolumne, por jo nga aspekti i zënkave të përditshme ditore politike, por në kontekst më të ngadalshëm në frymën e pushimeve të verës, me pak histori, diçka gjeografi dhe arkeologji dhe siç duket shumë lajme të rreme.

 

 

Është e njohur fraza se historinë e shkruajnë fituesit. Edhe shumicën e punëve të cilat i dimë ose janë të pranueshme në përgjithësi si të tilla janë në pjesë më të madhe pjesë e interpretimeve të bashkëkohorëve të palës së fituesve të atyre ngjarjeve. Unë gjithmonë kam qenë ithtar i historisë, që nga shkolla fillore, e deri më sot me ndjekje të shpeshtë të kanalit televiziv për histori “Viasat History Channel”, të cilin e rekomandoj ngrohtësisht. Reklama e tyre kryesore aktuale thotë “ka version të historisë për të cilin të gjithë e dimë…dhe versioni tjetër- se çka me të vërtetë ka ndodhur”. Porosi e fuqishme, se ndoshta edhe për ngjarjet historike më të  “pastra”, ka elemente të cilat nuk janë të qarta deri në fund, e as mjaftueshëm të hulumtuara ose thjeshtë nuk ka pasur kush ta thotë “pjesën tjetër të rrëfimit” ose mjaftueshëm dokumente/dëshmi që të konfirmohet se çka me të vërtetë ka ndodhur.

 

Një nga praktikat e televizionit është që të ruajë mendime të kundërshtuara për tema ose ngjarje veçanërisht kontroverse dhe të tentojë të japë pikëpamje nga disa këndvështrime, me hapësirë të mjaftueshme dhe argumentim të gjithë të përfshirëve, që në fund të tentojnë të nxjerrin përfundim se cila ishte e vërteta (e cilat ishin lajmet e rreme) – ku mund të bazohet ajo me dëshmi të forta dhe të qëndrueshme ose të konstatohet se nuk ka mjaftueshëm dëshmi që të thuhet se çka saktë ka ndodhur.

 

Këto ditë ishte aktuale tema “ zbritja në Hënë” me rastin e 50 vjetorit të kësaj ngjarje. Dhe kuptohet – skepticizmi i ithtarëve të teorive të konspiracionit – se kjo aspak nuk ka ndodhur. Siç do të thoshte një i njohur i imi në statusin e tij në Fejsbuk: sot festojmë që 400.000 persona të përfshirë në 6 zbritje të rreme në Hënë, 50 vite heshtin për këtë! Në emision hollësisht u hetuan sipas gjitha gjasave të gjitha argumentet e “konspirativëve”, si për shembull: si valon flamuri amerikan, kur në Hënë nuk ka erë; si nuk i ka “shkrirë” astronautët (por edhe fotoaparatet dhe filmat) radiacioni dhe erërat solare prej të cilave nuk ka mbrojtje si në tokë; deri te pyetja – nëse kemi mundur të shkojmë atje para 50 viteve, pse askush nuk e ka përsëritur këtë deri më sot, me teknologji shumë më të mirë. Për secilin nga këto por edhe zëra të tjerë jepeshin argumente se pse është kjo kështu, ndërsa si shtesë e asaj se megjithatë kishte ndodhur zbritja në Hënë, theksohet se në kushte të Luftës së Ftohtë në atë kohë mes SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik, në “luftën për gjithësinë” pala tjetër gjithsesi do të gjente mënyrë që ta kontestojë arritjen (ndërsa si SHBA-ja nuk i konteston sukseset e BRSS-së me satelitin e parë Sputnik dhe njeriun e parë në gjithësi – Gargarin, ashtu edhe rusët asnjëherë nuk e kanë kontestuar zbritjen në Hënë). Dhe siç konstatohet në fund të emisionit – NASA e ka pas më lehtë që të bëjë numër gjithësie dhe të dërgojë njerëz në hënë, se sa të sigurojë se asnjëri nga gati gjysma e njerëzve të përfshirë në atë projekt nuk do të thotë asgjë për atë nëse me të vërtetë nuk ka ndodhur. Por, besoj se edhe krahas të gjitha argumenteve dhe dëshmive, do të ketë edhe më tutje njerëz të cilët do të mendojnë ose besojnë se megjithatë nuk ka shkelë njeriu në Hënë.

 

Temë tjetër e cila hulumtohet shumë është Bibla dhe gjithçka që ka lidhje me krijimin dhe zhvillimin e krishterimit, përfshirë edhe figurën dhe pjesën e Jezu Krishtit. Për shembull, pse në pjesën më të madhe të paraqitjes së tij në freskat dhe ikonat e kishave, ai shfaqet si njeri i lartë me ten të ndritshëm, shumë shpesh me sy të kaltër dhe flokë, kur logjika (sipas pamjes së banorëve tipikë të atij rajoni në atë kohë), por edhe ekspertizave forenzike të shfaqura në disa prej emisioneve të kanalit televiziv, tregojnë se ndoshta nuk mund të ketë qenë më i gjatë se 165 centimetra, ndërsa sipas gjitha gjasave ka pasur flokë dredha dhe sy të zinj, dhe ten të errët. Rëndësi e veçantë kohën e fundit i kushtohet Maria Magdalenës dhe sipas gjitha gjasave rolit të saj real më të madh dhe më të rëndësishëm, se sa i jepet dhe pranohet nga kishat krishtere. Ajo vetëm dy herë përmendet në katër ungjëjt të cilat e përbëjnë Dhjatën e Re (pjesa e dytë/e fundit e Biblës) dhe janë pranuar zyrtarisht nga kishat, por ka shumë më shumë për atë në katër ungjëjt e tjerë të cilat janë gjetur shumë më vonë dhe asnjëherë nuk janë pranuar nga institucionet religjioze. Kjo rrjedh nga shekulli i 4-t dhe një nga Papët e atëhershëm, në frymën e kohës dhe kuptimit se “kjo është bota mashkullore”, kur “gabimisht” është krahasuar edhe me dy Maritë e tjera të Biblës (prej të cilave njëra është prostitutë, prandaj prej atëherë edhe stigma në këtë bazë). Por, ajo është temë tjetër, këtu vetëm e ilustroj tezën për fituesit dhe interpretimin e historisë. E për Zotin edhe për atë se sa “lajme të rreme” ose edhe më shumë interpretime të rreme në qëndrime të njëjta ndoshta përmbajnë librat më të rëndësishëm historikë, prej të cilave rrjedh identiteti i gjithë civilizimit të sotëm.

 

Por, të kthehemi në tema “tokësore” dhe më afër nesh. Këto ditë apo u gërmua një sarkofag antik dhe shpejt e shpejtë u mbulua – supozohet që të mos akuzohet dikush përsëri për antikuizim. Kjo më përkujtoi pak vizitën time në Romë dhe dëshpërimin (pas impresionizmit nga Koloseumi)se sa është e vogël pjesa e mbetjeve arkeologjike nga Roma antike (Fora Impera) – në hapësirë përafërsisht sa sheshi Maqedonia në Shkup. Ajo pjesë përfundon me kodrën Kapitolini (në të cilën tani gjenden muze të dizajnuara nga Mikelangjelo … në stilin e Renesancës, e jo në stilin antik ose neo-klasik), ndërsa vazhdon me Altarin e atdheut i cili ka elemente mbresëlënëse neo-klasike (Altera della Patria) i cili është ndërtuar nga viti 1911-1935 (siç do të quhej “Roma 1914) dhe përmendorja e mbretit të parë të Italisë së bashkuar – Vitorio Emanuele II. Digresion i vogël – edhe Kongresi edhe Senati amerikan quhet Kapitol dhe ka stil të njëjtë neo-klasik (si edhe Muzeu ynë i ri Arkeologjik) prandaj askush nuk mendon që t’i akuzojë për antikuizim.

 

Pse e përmend këtë? Pasi u përhap zhurmë për sarkofagun “tonë”, tentova që të kujtoj ndonjë lokalitet antik ose përmendore në Selanik, në Greqi, kjo është në Maqedoninë antike. Dhe e kisha të vështirë të kujtohem për çfarëdo qoftë. Kërkova edhe në internet dhe gjeta dy lokalitete të rëndësishme (nuk i kam vizituar): teatri antik/forumi në afërsi të Sheshit kryesor Aristotel; siç e quajnë Galeri. Të dy janë nga –Periudha romake. Kam qenë edhe në Pellë(Muze Arkeologjik) në të cilin mund të lexohet se është kompletuar në vitin 2009 (me rreth 14 milionë euro mjete të BE-së), pas zbulimit (nga një fermer lokal me traktor) të varrit më të madh antik në gjithë Greqinë. Dëshiroj të them… hajde që ne nuk veprojmë ngjashëm me zbulimet në territorin tonë, por nuk e kam të qartë nevojën që të “mbulohemi me hi” për gjithçka, madje edhe për faktet dhe gjetjet e pamohueshme historike.

 

Puna e dytë, pasi e përmenda mbretin e parë italian. Nëse për diçka deri më tani nuk na kanë akuzuar fqinjët tanë, ajo është se ua përvetësojmë mbretërit e tyre. Shpresoj se do të mbetet kështu. Por, nuk shoh se edhe ata shumë lavdërohen me mbretërit e tyre. Ndoshta sepse edhe vetë ato nuk janë “të tyre”. Mbreti i parë i Bullgarisë në erën moderne (formimi i shtetit kombëtar bullgar në vitin 1878, pas daljes nga Perandoria Otomane), është Aleksandër I Batenberg (i lindur në Veronë), ndërsa i dyti – Ferdinandi është nga shtëpia mbretërore Sakso-Koburg-Gota ( i lindur në Vjenë). Te grekët, mbreti i parë (1832) është bavarezi Oto (i lindur në Salcburg). Monarkia në Bullgari ka zgjatur deri në vitin 1946, ndërsa në Greqi që nga viti 1973. Nuk e di pse nuk na është kujtuar deri më tani që pak të marrim ose përvetësojmë edhe nga ajo histori e tyre?

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit