Data e sotme
August 23, 2019

MES CENSURËS DHE VETËRREGULLIMIT!

Shkruan: Bardhyl ZAIMI

 

Qeveria këtyre ditëve ka prezantuar një plan veprimi për luftën kundër dezinformimit. Kryeministri Zoran Zaev, ka theksuar se keqpërdorimi i teknologjisë për krijim të etniteteve të rrejshme dhe shpikja e ndodhive jo ekzistuese është bërë sulm serioz në zgjedhjet demokratike dhe seriozisht kërcënojnë të ndikojnë në besimin e qytetarëve në institucionet dhe mediat. Lajmet e rrejshme tashmë gjatë kohë janë bërë problem më vete, ndërkohë që nga përfaqësues të sferës mediale në vend me kohë është kërkuar një zgjidhje. Pavarësisht nga angazhimet e njerëzve të sferës mediale dhe të shoqërisë civile problemi me dezinformimin mbtetet një nyje gordiane për zhvillmet shoqërore përgjithësisht.

Në esencë ky plani veprimi për të luftuar dezinformimin dhe lajmet e rrejshme duket një hap i qëlluar i qeverisë, sepse tashmë gjatë kohë po kërkohet që të vihet dorë në kaosin e lajmeve të rrejshme, në atë kaos informacioni që funksionon pa asnjë rregull të mundshme, por vetëm nëpërmjet inercionit “kush si të mundet”. Megjithatë, pavarësisht nga qëllimi i mirë që mund ta ketë qeveria, saherë që “dora” e saj “zgjatet” në një sferë të ndjeshme siç është sfera mediale, dyshimet dhe reagimet janë më se normale.

Me shumë rezerva është parë ky plan i qeverisë nga njerëzit e sferës së mediave edhepse shumica nga ta e kanë vlerësuar si një domosdoshmëri për të vënë rend në kaosin e lajmeve të rrejshme dhe deziformatava përgjithësisht. Sidoqoftë ata kanë shfaqur kujdes në prononcimet e tyre, duke theksuar se ky plan veprimi i propozuar nga qeveria mund të krijojë një lloj censure në media. Dihet përgjithësisht se qeveritë, pushtet kanë prirje të vazhdueshme për të vënë në kontroll mediat si një instrument për të ushtruar propagandat e tyre. Pikërisht ky fakt krijon shumë dyshime dhe pasiguri dhe me të drejtë mbase nga njerëz të jetës publike në sfond projektohet një lloj censure e mundshme nëpërmjet një finese “fisnike” për të luftuar lajmet e rrejshme, të cilat padiskutim që mbeten me bollëk në Maqedoni.

Gjithë ky ngurrim i arsyeshëm ndërlidhet edhe me një të kaluar të hidhur të kontrollit të mediave nga pushteti paraprak, i cili me kohë kishte prodhuar forma brutale të lajmeve të rrejshme, dezinformatave, gjysëm informacioneve të kontrolluara dhe spinimeve të ndryshme, të cilat gjithnjë e kishin radhitur Maqedoninë e Veriut në vendet e fundit sa i takon lirisë së mediave.

Për shkak të një konteksti krejtësisht në favor të lirisë së mediave, brenda këtyre viteve të fundit ka përmirësime, por ato mbeten të pamjaftueshme për të konsoliduar një hapësirë mediale të pavarur dhe konkurrente në përmbjatjen e tyre. Lufta kundër lajmeve të rrejshme mbetet një fenomen global, ndërkohë që në Europë, por edhe në vendet e Ballkanit gjithnjë mbahen konferenca dhe publikohen doracakë të ndryshëm pikërisht për të parandaluar këtë dukuri të rrezikshme që gjithnjë vjen si kërcënim për vlerat demokratike. Një lajm i rrejshëm në esencë ka për qëllim deformimin e të vërtetës, krijimin e hutisë te lexuesi dhe për më tepër krijimin e një ambienti të pasigurtë dhe acarues që gjithnjë mbetet në funksion të kauzave ideologjike, aty ku edhe projektohen dhe prodhohen ato. Në nivel botimesh tashmë më në botë ekzistojnë me qindra libra dhe doracakë për këtë problematik, e cila mbetet një sfidë e përhershme për vlerat demokratike dhe për legjitimitetin demokratik dhe politik të instituciove dhe të gjithë sferës publike.

Mbetet shumë e rëndësishme që kjo temë tashmë ka njohur një nismë konkrete, e cila padyshim se duhet të përplotësohet me shumë elemente tjera, të cilat sigurojnë debat, transparencë, gjithëpërfshirje dhe zgjidhje afatgjatë për fenomenin e lajmeve të rrejshme. Vetë koha e prezantimit të këtij plani nga qeveria është vlerësuar si një gabim, sidomos pas aferës “zhvatja”, e cila ka trandur themelet e sistemit të drejtësisë, por edhe që ndërlidhet me pronarin e një mediumi televiz që mendohet të ketë qenë i afërt me funksionarë qeveritarë.

Sidoqoftë, ky plan mbetet një predispozitë e mirë për të krijuar mekanizmat e domosdoshëm të verifikimit të fakteve dhe për të krijuar dhe konsoliduar një hapësirë mediale të lirë dhe në funksion të misionit deontologjik të gazetarisë, që tash për tash ka rënë përtoke.

Ky plan veprimi në asnjë rast nuk mund të mendohet jashtë konceptit të vetërregullimit medial, që mbetet një ndër premisat kryesore për të siguruar lirinë mediale. Gjithsesi ky proces kërkon shumë analiza, shumë krahasime, në mënyrë që të gjendet një model i përshtashëm që do të mund të luftonte lajmet e rrejshme, që tashmë kanë vërshuar sferën online. Ekzistojnë shumë hulumtime, të cilat dëshmojnë për një kaos të vërtetë në sferën e mediave online. Janë me dhjetra media që funksionojnë pa transparencën minimale, ndërkohë një lajm i rrejshëm i prodhuar me një funksion të caktuar shumëfishohet pa asnjë lloj verifikimi.

Vetërregullimi mbetet një sfidë e vështirë përkundër faktit që në shumë raste është debatuar nga aktorët dhe e ekspertët e sferës mediale. Padiskutim që mbetet shumë e rëndësishme që të krijohen mekanizamt e nevojshëm për luftimin e lajmeve të rrejshme dhe dezinformatave përgjithësisht, të cilat pandërprerë e atakojnë sferën publike brutalisht, duke krijuar perceptime të gabuara ose duke e mbajtur publikun të ngujuar në mjegullën e kaosit të kontrolluar.

Betaja kundër lajmeve të rrejshme në asnjë rast nuk mund të mendohet edhe pa një dimension tjetër të rëndësishëm që ndërlidhet me edukimin mediatik dhe të menduarit kritik. Ky plan veprimi duhet të mbintërtohet pikërisht mbi këtë koncept gjithëpërfshirës që dimension të padiskutueshëm ka projektet, programet konkrete për edukim mediatik, sidomos tek të rinjtë si receptues potencial të informimit online, aty ku zakonisht lajmet e rrejshme janë më të pranishme.

Paravendosja e këtij gardi edukues mbetet një objektiv i domosdoshëm për të mbërritur te një komunikim receptim kualitativ me përmabjtjet mediale, të cilat tërësisht duhet t’i përgjgjen informimit diversifikuar, të saktë dhe të drejtë. Ky koncept padiskutim nënkupton edhe promovimin e një gazetarie profesionale, e cila tash për tash po dergjet nën rrënojat e mediave online “one man shoë”. Vetërregullimi në esencë e nëkupton paradigmën e gazetarisë profesionale, e nënkupton etikën e profesionit, e cila tashmë njeh kodekse funskionimi.

Përfshirja e këtyre elementeve dhe shumë aspekteve të tjera të thella që ndërlidhen edhe me çarjet e mëdha shoqërore dhe ideologjike, që ndërlidhen me fuqinë e pushtetit dhe grupeve të interesit, mund të hapin një horizont tjetër receptimi mbi dezinformimin dhe fenomenin e lajmeve të rrejshme që në Ballkan dhe në Maqedoni mbetet problem tepër serioz. Në të kundërtën, nëse kjo nisme mbetet vetëm si një prezantim bjerrakohës i qeverisë, atëherë ne edhe gjatë kohë do ta vuajmë kaosin e dezinformimit, kaosin e mediave që vrapojnë për klikime, pa e pasur idenë se çfarë në fakt do të thotë gazetaria.

Asnjëhërë nuk është vonë. Por, me një kusht, që nismat të jenë korrekte dhe gjithëpërfshirëse dhe të mbështeten në një debat të gjerë dhe esencial, në përvoja dhe modele të verifikuara dhe në bartës që i shkojnë deri në fund zbatimit të një plani të projektuar dhe krijuar bashkërisht.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit