Data e sotme
December 10, 2019

E ardhmja e Ballkanit

Shkruan: Trifun Kostovski

 

Sado që të na duket se të gjitha temat të cilat e tangojnë shoqërinë tonë janë shpenzuar, megjithatë, sa më shumë që temat thellohen aq më shumë shihet se shtresohet nevoja që të flitet për përditshmërinë politike dhe shoqërore te ne. Megjithatë, sot do të doja të analizoj disa aspekte të shoqërisë sonë si pjesë e Gadishullit Ballkanik, i cili i përket kontinentit të Evropës. Është me rëndësi që ta shohim pozicionin tonë në kontekst më të gjerë dhe ta shqyrtojmë perspektivën zhvillimore. Vetëm kështu disa gjëra mund të marrin prioritet.

Nëse e shohim hartën e Evropës do të shohim se dominojnë 3 gadishuj edhe atë ai Pirinej, ku ekzistojnë dy shtete Spanja dhe Portugalia, ai Apenin ku ekziston një shtet, i cili është Italia dhe Gadishulli Ballkanik ku ka gjithsej 10 shtete.

Duke e pasur në mendje kostelacionin e tillë mund të pyetemi se a jep kjo fotografi për Ballkanin  garanci për prosperitetin e rajonit? Përgjatë dhjetë shteteve të Ballkanit thellë janë etabluar tri religjionet themelore, të cilat sot dominojnë në kontinentin evropian, por edhe në botë, e ato janë konfesioni ortodoks, katolik dhe mysliman. Të mos flas se ekzistojnë edhe shumë degë të këtyre grupimeve dominuese religjioze, në mesin e të cilave është edhe protestantizmi.

Lexues të mi të dashur, paramendoni të gjitha këto shtete të bashkohen në një Bashkim Ballkanik, çfarë do të thoshte kjo?

Kjo do të nënkuptonte perspektivë për gjithë rajonin, për gjithë popullatën e cila jeton në këtë gadishull. Të gjithë banorët e këtij gadishulli, shikuar përmes   historisë dhe shekujve, kanë shumë gjëra të përbashkëta të cilat më shumë na bashkojnë se sa ndajnë. Ndajmë klimë përafërsisht të njëjtë, identifikohemi me mënyrë të ngjashme të jetesës dhe ushqimit, kemi gati se pika identike në identitetet kulturore dhe historinë kulturore.

Prishja e kufijve, prishja e sistemeve tashmë të krijuara, shërbimet policore dhe doganore, kabinetet dhe këshilltarët qeveritarë, kryeministrat, do ta lironin qytetarin e thjeshtë nga shpenzimet dhe do të mundësonin qarkullim  më të madh të njerëzve dhe mallrave.

Vetëm si shembull negativ nga ky fragmentim i Ballkanit, do ta theksoj shembullin në vijim – ne qytetarët e Maqedonisë në cilindo qoftë destinacion të shkojmë në det, në të dyja drejtimet e vendkalimeve kufitare do të humbim më shumë se gjysmën e ditës. Ndërsa cilat do të ishin përfitimet nga një federatë e tillë? Ekonomi e përbashkët, zhvillim me ndërtimin e infrastrukturës moderne dhe funksionale, rrugë, hekurudha, aeroporte, porte, dhe mobilitet ekonomik dhe kulturor, profesional dhe turistik. Financimi i projekteve të përbashkëta për gjithë rajonin në sferën  e energjetikës, lulëzimin e bujqësisë dhe blegtorisë dhe përpunimin  e të mirave në produkte finale, përforcimin e bashkëpunimit të përbashkët të vendeve anëtare të asaj federate sipas parimit të Bashkimit Evropian.

Sigurisht do të mendoni se me këtë propozoj kopjimin e Bashkimit Evropian në Ballkan, por jo lexues të dashur, unë vetëm do të dëshiroja që të kopjohet dhe përshtatet ajo që është e mirë, e dobishme dhe që tregon rezultate, gjegjësisht funksionalitet në Bashkimin Evropian.

Larg asaj se BE-ja është sistem ideal politik, megjithatë, për dallim prej neve është shumë me e përparuar.

Nëse shohim pak më larg në sjelljen e Bashkimit Evropian drejtë Ballkanit, nuk do të na jetë i largët parimi i thënies romake PËRÇAJ DHE SUNDO, që sot ndodh me Ballkanin. Të gjitha vendet e Ballkanit, të cilat nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian shohin në të shpëtim dhe perspektivë, duke mos e parë egoizmin i cili është rrënjosur thellë në Bashkimin Evropian.

Sot vendet e Ballkanit të cilat nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian në tabaka i eksportojnë resurset e tyre njerëzore të arsimuara në vendet e zhvilluara evropiane, në sferat më të kërkuara të ekspertëve – mjek, inxhinierë dhe programerë të informatikës, inxhinierë të ndërtimit, arkitektë dhe ngjashëm. Ne jemi vetëm fidanishte e resurseve njerëzore për nevojat e Bashkimit Evropian të pasur, dhe jo vetëm ne, por edhe vendet e tjera të Ballkanit.

Ky është krim për vendet në zhvillim të Ballkanit, por nëse duhet të akuzoj dikë atëherë do t’i kritikoj liderët e mëdhenj të Ballkanit të cilët nuk dinë ta shohin fotografinë e madhe se çka domethënë rëndësia e idesë për Federatë të ardhshme Ballkanike. Atëherë do të jemi partnerë të vërtetë për negociata me të gjitha vendet në botë, përfshirë Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Federatën Ruse. Kështu, të ndarë, të vogël me ekonomi të vogla dhe nacionalizëm të madh mes njerëzve të vegjël, nuk mund të fluturojmë, të kuptojmë se sa më shpejtë duhet ta kapim rrugën për krijimin e Ballkanit si vend të sigurt dhe me dinjitet për jetesë.

Shumë nga ju do të mendojnë se kjo është utopi. Po, të dashurit e mi, ishte utopi edhe kur Zhil Vern e shkroi romanin 20 000 milje nën det, ndërsa pas 200 viteve u bë realitet. Unë personalisht nuk do të dëshiroja që të pres 200 vite, e shpresoj as ju.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit