Data e sotme
December 10, 2019
Foto: Print-skrin nga emisioni 360 në AlsatM

Nder dhe respekt për veteranët tanë ushtarakë

Shkruan: Denko Maleski

 

Nëntëdhjetetetë vjeçari Jordan Cekov Dane, komandanti i Brigadës së Tretë Sulmuese të Maqedonisë e priti në shtëpinë e tij presidentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovskin. Ky gjest simbolik i presidentit tregoi se si duhet të jetë raporti ynë drejtë veteranëve tanë ushtarakë. Me fjalimin të cilin e mbajti me rastin e Ilindenit, ai ua ktheu nderin dhe respektin njerëzve të cilët duke e rrezikuar jetën e tyre luftuan për shtetin në të cilin jetojmë sot dhe haptas e kundërshtoi mos falënderimin tonë proverbial dhe kujtesën e shkurtër. Them ua ktheu nderin dhe respektin, sepse, vite me radhë, ai iu ishte marrë nga ata të cilët nga lufta antifashiste dëshironin të bënin komplot komunist. Në fillim, vetëm që të fitojnë vota në zgjedhje, ata e thelluan ndasinë mes atyre të cilët ishin për Maqedoni gjithëpërfirëse përkundër atyre të cilët me pushkë në dorë e krijuan Republikën e Maqedonisë së Veriut. Pastaj, vetëm që të fitojnë vota refuzuan që t’i kuptojnë rrethanat komplekse ndërkombëtare dhe vendore të cilat ishin kundër idesë për Maqedoni të Madhe. Në fakt, asgjë origjinale nuk bënë nacionalistët tanë. Që nga rënia e Murit të Berlinit në vitin 1989, politikanët përgjatë Evropës Lindore e filluan lojën e quajtur “antikomunizëm”. Në mënyrë paradoksale, kjo, në fakt, ishte loja e vjetër e komunistëve dogmatikë vetëm e veshur me petkun nacionalist. E njëjta ashpërsi, moskompromisi i njëjtë, përjashtimi i njëjtë, vetëm se tani për kombin në vend se për ideologjinë komuniste si më parë. Krahas votave vendore, nacionalistët mendonin se kështu do të arrinin simpatinë e fuqive të mëdha perëndimore, por jo gjithmonë kishin sukses në këtë.

Të ulur rreth tryezës konferenciale në Hagë në mbledhjen me kryetarin e Konferencës për Jugosllavinë, Lord Karington, ne ministrat e Punëve të Jashtme të ish republikave të Jugosllavisë e ndiqnim hyrjen me vonesë të ministrit të Punëve të Jashtme të federatës, Budimir Lonçar. Zëshëm që të gjithë të dëgjonin ministrat e Kroacisë dhe Sllovenisë Sheparoviq dhe Rupel, kinse në shaka, hidhnin fjalë “Çka kërkon ky komunist këtu?”. I shkëlqyeri Lord Karington, me sens tipik britanik për humor, bërtiti: “Komunist, dikush tha komunist, nxirrni pistoletat dhe gjuani!”. Kjo ishte në fillim të nëntëdhjetave.

Maqedonia nuk kishte politikë të tillë. Politika jonë ishte se duhet të ruhet shtetit të cilin e trashëguam nga partizanët. Përfundimisht, kishim edhe partizan për president. Por, derisa, pas arritjes së pavarësisë, republikat e tjera shpejtë u rimëkëmbën nga vala antikomuniste dhe në mënyrë dinjitoze dhe njerëzore e rregulluan raportin me të kaluarën, ne në Maqedoni, u nisëm në drejtimin e kundërt. Nacionalistët tanë e bënë pikërisht atë që e paralajmëronte Vacllav Havell presidenti i Çekosllovakisë, se nuk duhet të bëhet. “Më të këqij se komunistët janë antikomunistët “, do të thoshte ai në një rast. E çka ishte e keqe te komunistët? Ashpërsia e tyre, përjashtimi, moskompromisi i sublimuar në fjalët e një kënge:”Kush thotë ndryshe, shpifje dhe gënjeshtra dhe ndjenja jonë e zemërimit … “ Kjo ishte ajo që i impresiononte nacionalistët tanë të cilët, me vetëdije ose pa vetëdije, e morën më të keqen nga ideologjia paraprake. Për këtë shkak jemi vonë me pastrimin dhe pajtimin me të kaluarën. Sepse, ky pajtim është brenda nesh, në atë se me çfarë syri e shohim historinë – me syrin e urrejtjes dhe tërbimit ose me syrin e mirëkuptimit dhe faljes. Dhe në vend se si në Slloveni dhe Kroaci të gjykohen krimet e pushtetit një partiak nga e kaluara dhe të festohet lufta antifashiste dhe krijimi i shtetit dhe kombit të ri, por edhe e ardhmja demokratike dhe evropiane e vendit, pushteti i nacionalistëve maqedonas me ujin e turbullt vazhdimisht e largonte edhe foshnjën nga govata.  Humbjen e komunizmit në korniza botërore nga ana e demokracisë liberale, disa mendja të vogla te ne e interpretuan aq bukvalisht sa i nëpërkëmbën veteranët ushtarakë të LNÇ-së dhe organizatës së tyre e cila është pjesë e rezistencës ndërkombëtare kundër fashizmit.

Komunizmi si lëvizje nga mesi i shekullit nëntëmbëdhjetë është reagim i mjerimit ekstrem të punëtorëve, nga Londra dhe Parisi, deri në Shën Petersburg dhe Shkup. Po, kushtet e rënda të punëtorëve dhe shfrytëzimi i pamëshirshëm i punës së fëmijëve dhe grave, e shkaktuan krijimin e Internacionales Komuniste dhe sindikatat e para të punëtorëve.  Sistemi monstruoz të cilin më vonë e krijuan Lenini dhe Stalini është rrëfim tjetër prej të cilit gjithashtu ka diçka që duhet mësuar. Se si pushteti në duart e një partie përfundon në pushtet të komitetit qendror, e pastaj në politbyronë, pastaj te një udhëheqës i plotfuqishëm, do të shkruajë Roza Luksemburg. Atëherë, ai zotëri i plotfuqishëm politik mundet, me ndihmën e policisë, të organizojë llogore dhe vrasje masive të kundërshtarëve politikë. Edhe vetë si pjesë e sistemeve njëpartiake të Evropës Lindore, përjetuam diçka nga ai sistem i sundimit, veçanërisht në vitet e para të pasluftës. Atë sistem definitivisht e larguam në vitin 1991 dhe të paktën me fjalë, u përcaktuam për demokraci, të drejtat e njeriut dhe shtet juridik. Filloi adaptimi ynë i mundimshëm drejtë të panjohurës politike e cila afirmon pluralizëm të ideve dhe ideologjive të cilat bashkekzistojnë në paqe, barazi dhe tolerancë. Në sistemin e tillë të lirë dhe të hapur të garës politike faktori i bashkimit tonë është vlera e demokracisë parlamentare, e jo e përjashtimit nacional dhe ideologjik. Partizani i vjetër i pyetur se si më tutje, porositi:Unitet. Ajo sot është e mundur vetëm rreth parimeve të shtetit demokratik dhe juridik. Dhe dinjitetit. A e vuri re dikush gjestin dinjitoz të presidentit të republikës i cili e mbante përkrahu kryetarin e Lidhjes së Luftëtarëve Nikolla Stojanovski deri te foltorja në shënimin e Ilindenit në vilën Vodno. Pse ky nuk është lajm në politikën maqedonase, ndërsa është lajm kur tërheqim dikë në tokë dhe nuk e lëmë të ngrihet?

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit