Data e sotme
August 23, 2019

PRITJE DHE RETORIKË BOSHE

Shkruan: Bardhyl ZAIMI

 

Është kohë vere, kohë pushimesh, por edhe kohë pritjesh për të dalë nga tuneli i konfliktualitetit shterp politik. Tashmë jemi mësuar me përplasjet e panumërta të partive politike, të cilat gjithmonë në rend të parë kanë interesat e tyre të ngushta dhe shumë pak interesin e përgjithshëm. Është verë dhe prononcimet politike për shumë çështje që ndërlidhen me fatin e ardhmërisë europiane të qytetarëve përsëri i kanë ngujuar partitë politike në “kazamatet” e tyre. Secila palë me argumentet e veta, secila palë diku në “horizont” sheh pushtetin si formë të vetme të politikës.

Në teatrin e madh të pritjes, partitë politike luajnë “parimet” dhe “mirëqenien”, ndërkohë që te qytetarët vazhdon drama e tmerrshme e jetës së përditshme, e cila dita-ditës bëhet më e padurueshme. Syzet e politikës anakronike pamundësojnë që shikimi të shtrihet përtej foltoreve partiake, përtej atyre ritualeve diskurzive që njohin vetëm akuza dhe kundërakuza, që njohin komunikata shterpe që as për së afërmi nuk i përgjigjen pritjes dëshpëruese të qytetarëve për një perspektivë dhe zhvillim. Qytetarët janë në një pritje të ankthshme për një jetë më të mirë, ndërkohë që kjo pritje zhvendoset si kuptim edhe në hapësira tjera që nganjëherë mund të marrë edhe tone literare.

Metafora e madhe e pritjes gjithnjë ka qenë intriguese për botën krijuese. Pritja mbetet një gjendje njerëzore që dimensionon dhe i jep kuptime humane të ardhmes. Në format më të skajshme, ajo, bashkë me të gjitha “sikletet” dhe “padurimet” përfaqëson një moment shndërrimi, tejkalimi të gjendjes paraprake. Pritja që nga antika ka ngjizur vepra arti që vijnë me bukuri magjepse edhe në kohën tonë. Si vegim mbresëlënës, me notat më të thella të besnikërisë vjen para nesh pritja e Penelopës te “Odiseu”, një perlë letrare që ta ngjeth trupin. Në avlëmendin e pritjes, ajo thurr ditët një nga një. Pikërisht, në antikitet mund të gjejmë dy gjendjet gjenerale; pritjen e kthimit, siç është rasti me Penelopën dhe pritjen e nisjes, që ndërlidhet fatalisht me preludin e luftës së Trojës, kur anijet greke për shkak të mungesë së erës, u detyruan të presin me ditë, që më pas të niseshin drejt shkatërimit të madh. Do të duhej një Ifigjeni, sakrfikimi i saj, që më pas të prishje status quo-ja e pritjes. Këto tabllo letrare të antikitetit përfaqësojnë për më tepër një pritje të prekshme, të bukur dhe njëkohësisht fatale.
Pritja si një status quo metafizike gjithnjerëzore në vazhdimësi do të trajtohet nga krijues të shumtë, së cilës ata do t’i japin gjenialitetin e trajtimit të tyre. Perlë me vete mbetet “Shkretëtira e tartarëve” e Dino Buxatit. Në të njëjtat lartësi letrare qëdron edhe pritja e kolonelit me dinjitet fatal te romani “Kolonelit s’ka kush t’i shkruajë” të Markezit. Padyshim, në këto dy kryevepra letrare, pritja merr dimensione shumë më të thella që rrokin drithmat marramendëse të ekzistencës njerëzore. Edhe drama “Duke pritur Godonë” e Beketit eksploron pikërisht me gjendjen e pritjes, por kësaj here në dimensione shumë më absurde, të mjegullta dhe esencialisht fatale.

Sidoqoftë, le ta kthejmë këtë pritje letrare në ambientin e këtushëm politik. Saherë është premtuar jetë më e mirë, por në realitet është vazhduar me avazin e vjetër të keqpërdorimeve. Saherë kanë pësuar qytetarët nga politikat e gabuara, nga udhët qorre që politika e interesave të ngushta i ka propaganduar si udhë të “ndritshme”. Maqedonia e Veriut tashmë ka një momentum potencialisht të mirë që në tetor të hap bisedimet me BE-në. Ky duket të jetë një momentum shumë i rëndësishëm për të ardhmen europiane, por paraprakisht, mbeten disa obligime që duhet të përmbushen.

Janë tri çështje që duhet të marrin zgjidhje deri në tetor, në mënyrë që hapja e negociatave të ketë më shumë shanse. Tashmë beteja politike është zhvendosur te miratimi i Ligjit për Prokurorinë Publike, te çështja e regjistrimit të popullsisë dhe e ndryshimit  të Kodit Zgjedhor. Tash për tash zgjidhjet për këto tri çështje janë larg. Në kontekst të pritjes vendimtare për hapjen e bisedimeve me BE-në, duket se politika, partitë politike as për së afërmi nuk janë në lartësinë e duhur.

Në vend të krijimit të një atmosfere më të relaksuar për t’u fokusuar në gjithë atë paletë të gjerë procedimesh politike dhe institucionale për të përafruar praktikat me vizionin europian, në skenën politike shohim përplasje tashmë ataviste politike që kërkojnë vetëm “fitore” të çastit. Politika mbetet art i kompromiseve për gjërat jetike që ndërlidhen me mirëqenien e qytetarëve dhe jo një fushatë e përhershme propaganduese e ngadhënjimeve partiake. Por, duket se Maqedonia e Veriut është e dënuar që t’i ripërsërisë betejat shterpe politike, të cilat nuk ofrojnë asgjë përveçse apati dhe dëshpërim te qytetarët.

Tashmë është thënë se gjuha e politikës është gjuhë eufemike, grep i lëshuar për të peshkuar vullnetin për pjesëmarrje publike të qytetarit, që më pas ta degjenerojë në propagandë pushtetare. Strabizmi politik është uverturë e “totalitarizmit të të ndenjurit mënjanë”, e kësaj gjendjeje kolektive që nënkupton dorëzimin, por edhe refuzimin për të qenë pjesë e fushës së “minuar” politike. Kur nuk ka më se çfarë të poblematizohet, zakonisht mbeten vetëm gjërat që duhet të administrohen. Mjeshërit e retorikave boshe tashmë e dinë se kjo është fusha e pëlleshme e lojës së tyre politike, e zhveshur nga pjesëmarrja qytetare dhe e heshtur deri në britmat e fundit të realitetit.

 

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7. Për çdo ribotim duhet marrë leje nga redaksia. Inbox7 jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e autorëve në rubrikën e debatit